Jump to content

Sistemi i shërbimit emergjent mjekësor

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Sistemi i shërbimit emergjent mjekësor paraqet sistemin i cili siguron menaxhimin e personelit, mundësive dhe pajisjeve, për një shpërndarje efektive dhe të koordinuar në një hapësirë të caktuar gjeografike, të një shërbimi mjekësor në kushtet e emergjencës, që ndodh qoftë si rezultat i gjendjes së pacientit apo si rezultat i fatkeqësive natyrore apo situatave të ngjashme, shërbim ky që administrohet nga një institucion publik ose privat jo profitabil i cili ka autoritet dhe mjete materiale për të siguruar administrim efektiv të këtij sistemi.[1]

Sitemi është i ndërtuar nga Departamenti i emergjencës mjekësore - është pjesë e Shërbimit të emergjencës mjekësore, i cili merret gjithanshëm me trajtimin e pacientit emergjent, diagnostifikimin dhe stabilizimin e plotë të tij në kuadër të spitaleve regjionale; Departamenti universitar i emergjencës mjekësore - paraqet institucionin referent në shërbimin emergjent mjekësor, i cili përveç trajtimit të pacientëve emergjent, ndihmon edhe në përpilimin e Protokolleve, zhvillimin e trajnimeve, specializimin e Mjekësisë Emergjente, ekzaminimin dhe certifikimin e punëtorëve shëndetësor nga kjo lëmi, ndihmon emergjencën mjekësore në nivelin primar dhe sekondar, në resurse humane dhe edukim të vazhdueshëm; Sistemi i komunikimit në Shërbimin emergjent mjekësor–SKEM, është shërbimi i ndërlidhjes vertikale dhe horizontale të shërbimeve të emergjencës, që përdor telefonin publik, kodin e posaçëm të radiovalëve tokë-tokë dhe tokë-ajër, si dhe telemjekësinë dhe teknologjinë tjetër bashkëkohore në këtë aspekt, në shërbim të pacientit, të pajisjeve mjekësore dhe personelit mjekësor emergjent; dhe Zyra për Shërbimin emergjent mjekësor në Ministrinë e shëndetësisë, është organi kompetent i cili koordinon dhe zbaton politikat shëndetësore të Ministrisë në Shërbimin emergjent mjekësor.

Elemente kryesore zbatuese të këtij sistemi janë punonjësit me profesione si : Mjeku i emergjencës - është mjeku i cili përveç shkollimit adekuat dhe licencës për punë ka të kryer edhe një stazh të emergjencës të paraparë nga programi i Departamentit të emergjencave mjekësore; Mjeku specialist i emergjencës - nënkupton specialistin i cili ka kryer specializimin nga Mjekësia emergjente, i testuar nga komisioni të cilin e ka autorizuar Bordi Qendror për specializime; Infermieri i emergjencës - është personi i cili përveç shkollimit të mesëm mjekësor ka të kryer edhe kurse trajnimi dhe certifikimin për emergjencë; Infermieri kardiak - nënkupton personin i cili është trajnuar dhe certifikuar në kurset e emergjencës mjekësore dhe ka të kompletuar trajnimin shtesë në MAKJ, të aprovuar nga Departamenti i emergjences mjekësore.

Burimi i të dhënave

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
  1. ^ LIGJI PËR KUJDESIN SHËNDETЁSOR EMERGJENT Në amëzën assembly-kosova.org Arkivuar 29 shtator 2007 tek Wayback Machine