Sokol Gjoka
Sokol Gjoka, ka lindur në vitin 1958 në Tiranë, është një nga diplomatët më me eksperiencë në shërbimin diplomatik shqiptar. Ai është bërë pjesë e këtij shërbimi në vitin 1997 dhe ka mbajtur gjithnjë poste drejtuese në të. Sokol Gjoka e ka filluar karrierën e tij diplomatike si Drejtor i Shtypit dhe Informacionit dhe si Zëdhënës i Ministrisë së Jashtme, duke përballuar sfida të mëdha të periudhës së shtet-konsolidimit në Shqipëri, por edhe të institucionit të zëdhënësit në administratën shqiptare. Sokol Gjoka vinte nga një karrierë e pasur gazetarie, me kontribute si brenda ashtu dhe jashtë vendit. Ai ka shërbyer më pas si Drejtor i Drejtorisë së Analizë-Prognozës në Ministrinë e Jashtme, si Drejtor i Drejtorisë së Vendeve te Evropës Juglindore, si Drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Marrëdhënieve Dypalëshe, si Drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë për Çështje Politike dhe Strategjike po në Ministrinë e Jashtme dhe, për një periudhe kohe, si Këshilltar dhe Zëdhënës i Këshillit të Ministrave. Që nga viti 2003 e në vijim, z. Sokol Gjoka ka shërbyer si Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Poloni, Lituani, Letoni, Estoni, Ukrainë, Federatën Ruse, Kazakistan, Bjellorusi dhe Uzbekistan. Ai ka përfaqësuar Shqipërinë në një sërë organizmash ndërkombëtarë si OKB, UNESCO, Këshillin e Evropës, OSBE, CEI, SEECP etj. Për punë të lavdërueshme dhe shërbime ndaj Shtetit, Sokol Gjoka është nderuar me një sërë vlerësimesh, për tu përmendur Medalja “Naim Frashëri” e Klasit të Parë, Medalja e “Mirënjohjes” nga Presidentë të Republikës së Shqipërisë, Urdhri i Meritës së Kryqit të Komandantit nga Presidenti i Republikës së Polonisë etj. Sokol Gjoka është i martuar dhe është babai i dy fëmijëve.