Sopia

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Fshati Sopijë Komuna e Therandës, Republika e Kosovës, është vendbanim i cili shtrihet në një pjesë të rrafshët rreth 3 km në juglindje të Therandës. Nëpër të kalon lumi i fshatit Sopijë. Është vendbanim i tipit të grumbulluar.

Familjet: Sadikaj, Mazreku, Elshani, Sahitaj, Jashari, Sopa, Bytyçi, Kryeziu, Kabashi, Aliu, Gashi, Krasniqi, Berisha, etj.

Mikrotoponimet më karakteristike: Çesta, Dubica, Agraxha, Ribnik, Branezha, Gramadizhde, Selishta (Katunishta), Drume, Guri i Shejt, Rupe, Cerkvina, Tocia, Kishevica, Rrëzina, Mahmutica, Pojata, Te Kisha etj.

Afër këtij fshati gjenden gjurmët e një lokaliteti të lashtë. Në pjesën veriore të fshatit, në një pjesë të ngritur në vendin e quajtur Hisari, thuhet se ka qenë vendbanim. Edhe në pjesën jugperëndimore të fshatit në vendin e quajtur Katunishtë - Selishtë dalin gjurmët e vendbanimit, posaçërisht qeramikë, gurë etj. Aty është ruajtur mikrotoponimi - Te Kisha, si dhe Iugina e quajtur Kishevica. Me rëndësi të vaçantë duhet theksuar se afër fshatit Sopijë, në lokalitetin Dubiqaku, rreth 2 km në lindje të Therandës, ekziston një lokalitet arkeologjik që përbëhet prej 8 tumave. Këto tuma i takojnë popullates ilire - dardane, të kohës së Hallshtatit ose të Hekurit të zhvilluar.

Në dokumentet e shkruara përmendet në kartën e perandorit Dushan lëshuar në vitin 1348 manastirit të shenjëtarëve Mihal e Gabriel, afër Prizrenit, pastaj në një dokument arkivor të manastirit të Hilandarit të vitit 1454 përmenden banorët e fshatit Sopijë së Epërme dhe të Poshtme. Në hartën e Gjakomo Kantelit da Vinjola e vitit 1689 është e shënuar emri Sotuchian. Meqë është lokalizuar në trevën e Therandës, besohet se ka të bëjë me fshatin Sopi. Pas dëbimit të shqiptarëve muhaxhirë nga Sanxhaku i Nishit më 1877/78 këtu u vendosën pjesëtarët e më tepër se 8 fshatrave: Konjufca, Popoci, Slishani, Rafuna, Bublica, Kamenica, Gajtoni, Berajni, me disa shtëpi.

Me këtë emër është i regjistruar në sallnamet e Vilajetit të Kosovës të vitit 1893 (1311 h), të vitit 1896 (1314 h) dhe të vitit 1900 (1318 h).

Shumë familje nga ky vendbanim shpërngulën në Turqi si p.sh. Gajtonët, Bublicët etj.

Thuhet se serbët kanë ardhur nga Mali i Zi në vitin 1890.

Shënimet statistikore:

Në vitin 1879 kishte 35 shtëpi (25 myslimane shqiptare, 9 serbe e 1 rome);

në vitin 1903 përveç populkitës shumicë shqiptare, këtu jetojnë edhe 5 familje serbe;

në vitin 1905 - 57 shtëpi shqiptarë. (J. Cvijiqi thotë me pezm e më qëllim shovenist "serbë të shqiptarizuar"), 4 serbe e 3 rome myslimane; së bashku me lagjen Dubrava në vitin 1913 - 603 banorë;

në vitin 1919 - 65 shtëpi me 475 banorë (56 shtëpi shqiptare me 399 banorë dhe 9 shtëpi serbe me 76 banorë);

sipas regjistrimit të vitit 1921 - 67 shtëpi me 610 banorë; në vitin 1948 - 106 shtëpi me 735 banorë; në vitin 1953 - 113 shtëpi me 827 banorë; në vitin 1961 - 136 shtëpi me 1047 banorë (932 shqiptarë, 113 serbë, 2 të tjerë); në vitin 1971 - 162 shtëpi me 1507 banorë (1375 shqiptarë, 150 serbë); në vitin 1981 - 204 shtëpi me 1977 banorë (1798 shqiptarë, 178 serbë, 1 mysliman).

Ky fshat para agresionit serb gjatë viteve 1998-99 kishte 340 shtëpi me rreth 3500 banore shqiptarë dhe 23 shtëpi me rreth 200 banorë serbë e malazez. Gjatë sulmeve barbare serbe në vitin 1999 janë shkatërruar, djegur apo dëmtuar pothuajse të gjitha shtëpitë shqiptare përveç 7-8 shtëpive. Xhamia e fshatit është demoluar. Serbët e këtij fshati, të maskuar më 2 prill 1999 ekzekutuan dhe masakruan 36 shqiptarë. Në fshatin Sopijë janë vrarë edhe 8 refugjatë nga fshatrat tjera. Janë vrarë edhe dy pjesëtarë të UÇK-së deshmoret e kombit Fadil Kabashi dhe Fadil Elshani. Ndërmjet fshatrave Sopijë e Savrovë është zbuluar një varr masiv i 14 femrave të reja të cilat ishin futur në një varr në fund të këtij fshati. Më 3 prill 1999 popullata u dëbua në Shqipëri, e disa qëndruan nëpër male të Budakovës. Sipas shënimeve të Kuvendit Komunal në vitin 2000 kishte 3150 banorë.