Jump to content

Spiro Çalluka

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Spiro Calluka)
Spiro Çalluka
Emri Spiro
Mbiemri Çalluka
Lindur më 1878
Lindur në Potame, Perandoria Osmane
Vdiq më 28 qershor 1944
Vdiq në Paramithi, Greqi
Kombësia shqiptare
Profesioni advokat, revolucionar, patriot dhe anëtar për drejtësinë i organizatës Këshilla (vetëm gjatë Luftës së Dytë Botërore)

Spiro Çalluka ose Spiro Çallëka (greqisht: Σπύρος Τσαλούκας/Spíros Tsaloúkas), (1867-1944) lindi në fshatin PotameParamithisë (Ajdonati), më 1867. Më vonë u vendos me familjen në Paramithi. Kreu studimet për drejtësi në Athinë. Pas studimeve, filloi punë si avokat në këtë qytezë. Kishte njohje me Ismail Qemalin, Fan Nolin, Hasan Prishtinën etj., bashkë me patriotë të tjerë ortodoks çamë, nga fisi i Konomenjve i Gliqisë, Papejtë nga Kastriza, Gogozotët nga Rrapeza, që dolën në mbrojtje të tokave shqiptare nga copëtimi dhe lakmia greke. Në vitin 1912-1913, ai mori pjesë në luftën kundër forcave greke krahas me vullnetarë çame të tjerë në frontin Gliqisë. Në vitin 1917, pas tërheqjes italiane, Spiro Çalluka me atdhetarë të tjerë çame si Hoxhë Memeja ngritën flamurin shqiptar në Paramithi. Luftoi përkrah patriotëve Damin e Tahir Mete nga Mazreku, Haxhi Braho, Iljaz Haxhiu, dhe ishte kundër shkëmbimin e popullsisë (quajtur Anadallia në qreqisht) të çamëve myslimanë në vitin 1923.

Më 2 shtator 1941 në mëngjes, fshatarët përreth Paramithisë zbritën në qytezën dhe në xhaminë e Pazarit. Festimet pasuan për rrëzimin e regjimit të Metaksës dhe flamuri shqiptar u ngrit. Spiro Çalluka mbajti një fjalim të zjarrtë duke denoncuar administratën luftërave greke dhe diskriminimin e shqiptarëve. Ai gjithashtu bëri thirrje për shqipfolësit ortodokse nga Frari dhe Suli për të ndjekur shembullin e shqiptarëve myslimanë për të mbrojtur identitetin shqiptar të tyre. Spiro më vonë u bë një përfaqësues i administratës vendas shqiptare quajtur Këshilla, me postin të anëtar për drejtësinë, deri në qershor 1944. Më 28 qershor 1944, Spiro Çalluka u vra nga forcat greke të Napoleon Zervës. Deshmitarja prezente, Zeqie Nuri tregon:

Në datën 28 qershor 1944, zervistët nuk më pushkatuan, por më çuan në polici. Në oborrin e policisë ishte av. Spiro Çalluka, i cili nga torturimi ishte transformuar komplet, gjith gjak, edhe muret e policisë ishin gjakosur nga gjaku i tij. Po torturohej nga Gaqo Pasko, Dhimo Kasari dhe Ilia Nasto. Spiro Çalluka thoshte: “Për këto masakra që po më bëni Shqipëria do të marrë hakun!” Xhelatët në fillim i nxorrën sytë, pastaj e torturuan duke i copëtuar trupin dhe në fund e hoqën zvarrë nëpër Pazar, derisa vdiq”.[1]

Për përpjekjet e palodhshme që zhvilloi në gjithë jetën e tij për kauzën e popullit shqiptar, Spiro Çalluka u dekorua nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me nr.dekreti 386, datë 29 gusht 1992, me udhrin "Për veprimtari patriotike të kl.III".[2]

Trashëgimia në kulturën popullore

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Pas Luftës së Dytë Botërore, ato Çamët nga Paramithia dhe fshatrat përreth që mbijetuan spastrimin etnik, e kujtuan Spiro Çalluka në kënga të kompozuar në dialektin çamërisht:

NË DIZET E KATRËN NË PARAMITHI[3]

Mbani vesh t’u them një fjalë, shokëni,
Në dizet e katrën, në Paramithi,
Vrau burrat Zerva, gra e çilimi,
Proto vrau Spiron, atë plak njeri,
që më dimbëdhjetën kërkoi liri.
Seç të vrau, o Spiro, ai derr i zi,
Në furrë të dogji e të bëri hi,
Ti s’do të harrojmë kurr’ në Çamëri,
me lot do të klajnë dhe në Shqipëri,
se për të punove sa klehe i ri,
dhe gjakun ja fale ti në pleqëri.

Karabunarë – Paramithi, Fier 1965.

O SPIRO ÇALLËKA TI O PLAK NJERI[4]

Bastunin në dorë, gjuslukët në si,
O Spiro Çallëka, ti o plak njeri,[5]
me shkoje pazarit me një krenari,
muhabet ti bëje veç për kombësi.
doje gluhën tënde, kërkoje liri,
Letër të dërgoi ’Smail Qemali:
«Mjaft Spiro punuam për grek’ e Turqi»

I klehe betuar: «Do vdes për Shqipri
do ta marr në ballë si Mark Boçari
Spiro të zu Zerva me një pabesi,
gjiqinë ta bënë në Paramithi.
«Palo arvanitis ti thelis esi?[6]
Për ju s’do të këtë gluhë dhe liri,
do këtë fushekë me barot të zi.
Ti u hape gjoksin u the «Vrimeni,
Se u jam shqiptar dhe vdes për liri!»

Paramithi, Tiranë 1950.

  1. ^ Nexhat Merxhushi & Mehmet Minga (2011). Paramithia - Qytetërimi mes tragjedive. Natyra. f. 101.
  2. ^ Merxhushi & Minga Paramithia - Qytetërimi mes tragjedive. 2011. f. 102.
  3. ^ Fatos Mero Rrapaj (1983). Këngë popullore nga Çamëria. Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Instituti i Kulturës Popullore. f. 749. Ndonëse procesi i spastrimit etnik ka filluar në 28 qershor 1944 në Paramithi, datën e përmendur këtu, 24 qershor 1944, pasqyron datat e mëparshme që spastrimi etnik kishte filluar në vendbanimet përreth si Karbunarë.
  4. ^ Rrapaj. Këngë popullore nga Çamëria. 1983. f. 750.
  5. ^ përsëritet pas çdo vargu.
  6. ^ gr. «O shqiptar i lik, çfarë kërkon ti?»