Stampa:Manastiri i Ardenices

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Manastriri i Ardenices Manastiri i Ardenices shtrihet 8 km në jugperëndim të qytetit të Lushnjës, Shqipëri buzë rrugës kombëtare që lidh qytetin e Fierit me atë të Lushnjës ne një pozitë dominuese në kodrat me të njëjtin emër, në lartësinë 237 m mbi nivelin e detit. Manastiri mesjetar mban emrin e Marisë Hyjlindisë, ashtu si shumica e kishave të trevës së Myzeqesë, në të cilën ajo njihet si mbrojtëse e veprimtarisë kryesore ekonomike bujqësore.

Manastiri, edhe pse në pamje të parë të lë përshtypjen e një objekti kulti të zakonshëm fsheh në brendësi të tij vlera mjaft të mëdha. Sa më shumë të futesh në labirintet e historisë së tij aq më shumë dalin në dritë vlerat e tij, të cilat do t'i rendisim një e nga një në këtë shkrim.

Historia Mendohet se themelet e këtij manastiri janë hedhur në vitin 1282 me nismën e perandorit Andronik II Paleolog të Bizantit, i cili e ngriti këtë tempull pas fitores mbi anzhuinët në Berat. Shtysë për këtë veprim do të jetë bërë ndodhja në atë vend e kapelës së Shën Triadhës, e ngritur aty shekuj më parë. Ekziston hipoteza se kapela mund të jetë ndërtuar në themelet gërmadhë të një tempulli pagan, i cili ka qenë ndërtuar për nder të hyjneshës Artemisa nga ka rrjedhur dhe emri i sotëm Ardenica. Fare pranë këtij tempulli, në rrethinat e të cilit sot ndodhet manastiri, kalonte dega jugore e rrugës antike Egnatia, pikërisht 1 km në perëndim të tij. Për rreth manastirit shikohen, aty-këtu, ndërtime të vjetra, të cilat të japin mendimin se rreth tij ka pasur ndoshta një qendër të banuar. Sipas defterit osman të vitit 1431-'32, në nahijen e Myzeqesë, ndodhej fshati Ardenicë me tetë shtëpi, i cili mund të jetë shtrirë për rreth manastirit. Dëshmi tjetër, për rëndësinë e këtij manastiri është dhe fakti që po zë një vend gjithnjë e më të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë, se në altarin e Kishës së manastirit të Ardenicës, është bërë edhe kurorëzimi i martesës së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti me Andronika Arianitin. Ceremoniali u bë në mesditën e 21 prillit 1451 nga peshkopi i Kaninës Feliks, në prani të princave shqiptarë dhe ambasadorëve të Napolit, Venedikut, Raguzës. Këtë fakt e përmend për herë të parë në vitin 1940, italiani A. Lorenconi. Arkitektura Manastiri është i tipit bizantino-ortodoks. Ai, së bashku me konaket që i janë shtuar më vonë, zë një sipërfaqe prej 2.500 m2. Ky monument përbëhet nga kisha e Shën Mërisë, kapela e Shën Triadhës, konaket, mulliri vajit, furra, stalla, etj. Në qendër të tij ndodhet kisha "Lindja e Shën Mërisë", e cila është ndërtuar pjesërisht me gurë të sjellë nga Apollonia dhe gurë shtufi. Kisha është e tipit Bazilikal. Ajo zë një vëllim të madh dhe është e mbuluar nga një çati druri me tavan të rrafshët. Mjediset që përbëjnë këtë kishë janë: naosi, narteksi, egzonarteksi dykatësh, ku në fund u bashkëngjitet kambanorja e lartë 24 m. Në anën jugore ndodhet portiku i hapur i ndërtuar me kolona dhe harqe. Naosi përbëhehet nga tre pjesë, të cilat ndahen në dy rreshta kolonash prej druri. Naosi ndahet nga altari me anë të ikonostasit. Dyshemeja e kishës është shtruar me pllaka guri, e cila përfshin edhe ambientet e narteksit dhe egzonarteksit.

Në vitin 1743 me nismën e peshkopit të Beratit, Metodit, i cili ishte me origjinë nga Bubullima (Myzeqe), u bënë në këtë manastir punime rregulluese përfshirë edhe kishën e Shën Mërisë. Kapela e Shën Triadhës shtrihet në pjesën verilindore të manastirit dhe ka përmasa 7,50 m x 3,70 m.

Hyrja e saj është në anën perëndimore dhe është e pajisur me dy dritare të vogla në faqen jugore. Kjo kapelë është ndërtuar me gurë shtufi dhe është e pajisur me një hapësirë, muri gjysmërrethor i së cilës e ndan atë nga një sternë uji. Porta e kapeles është mbuluar me harkë guri, pranë dritares lindore të saj ndodhet edhe një reliev qeramike

Kleriket Këtij manastiri nuk i kanë munguar asnjëherë klerikët e përkushtuar. Për t'u përmendur janë shumë prej tyre po ne po prekim vetëm dy. Njëri prej tyre, Igumeni, Nektar Terpo me origjinë nga Voskopja, shkroi në vitin 1731 një lutje të shkurtër në formë afresku. Lutja është shkruar në katër gjuhë: latinisht, greqisht, arumanisht dhe shqip. Është i rëndësishëm fakti se ky tekst përmban shkrimin e parë të shqipes të shkruar në shkollë nga grekët, teksti shqip i shkruar në alfabetin grek është i tillë: "Vigjin dhe mame e Perendis uro pren fajt orete" në fund të tij ndodhet nënshkrimi i autorit, Hieromonah - murgu, Nektarit. Ky murg ka shkruar edhe librin me përmbajtje fetare "Besimi" (Pistis), i cili u botua në Venedik në vitin 1773.

I dyti klerik që përmendet në historinë e kishës Ortodokese, është prifti Marko, i cili është ai që gjeti kufomën e shenjtit Kozma të hedhur në lumë nga suvarinjtë turq. Ja ç'thuhet në "Martirdogun" Shën Kozma Etollosit të përshkruar nga Shën Nikodhimi: Pas tri ditësh një prift i përkushtuar i quajtur Marko që shëbente në manastirin e Ardenicës, pranë fshatit të Kolkondasë hipi në një trung bëri kryqin dhe shkoi të kërkonte. Gjatë ecejakeve të tij me barkë përgjatë lumit Seman ai gjeti trupin e të shenjtit, i cili qëndronte mbi ujë sikur të ishte i gjallë. Pasi e nxori nga lumi ai e veshi kufomën me rrasën e vet dhe e varrosi atë në kishën e Shën Mërisë së Kolkondasit, ku vite më vonë Ali Pashë Tepelena do të ngrejë manastirin e Shën Kozmait, si qendër të rëndësishme të kristianizmit në Myzeqe. Në fund të viteve 60 të shekullit të XX, në këtë manastir kaloi vitet e fundit të jetës edhe krypeshkopi i kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Imzot Irene Banushi, një nga figurat më të shquara të klerit ortodoks.