Statutet e qyteteve mesjetare
Statutet e qyteteve mesjetare kanë qenë tërësi normash të shkruara e të kodifikuara, që rregullonin jetën e brendshme të qyteteve mesjetare dhe marrëdhëniet e tyre si komuna autonome ose të pavarura me zotërinjtë feudalë. Mbi bazën e tyre zgjidheshin dhe vepronin të gjitha organet e brendshme drejtuese të komunës, që kryenin detyra të caktuara me karakter legjislativ, administrativ, gjyqësor etj. Në statute përcaktoheshin të drejtat dhe detyrat e qytetarëve të komunës, rregullat për shfrytëzimin e tokës pronë të komunës, parashikoheshin sanksione për respektimin rigoroz të tyre. Ka të dhëna të shumta arkivore të shek.XIV-XVI për ekzistencën e statuteve të tilla në qytetet Durrës, Shkodër, Drisht, Ulqin, Tivar, por këto nuk kanë arritur të ruhen deri në ditët e sotme.