Jump to content

Suli dhe suljotët

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Suli dhe suljotët libër me autor Vaso Dh. Psimuli. Shtëpia Botuese "Toena" , faqet e librit 568. Viti i botimit 2016.

Mbi librin:

Historia e Sulit është njëkohësisht emblemë, mit dhe realitet. Libri nga pikëpamja shkencore, hedh dritë, kryesisht, mbi realitetin. Nga epoka e trazuar e shekullit XIV, një epokë kjo e despotateve dhe e aristokratëve vendorë, e depërtimeve apo zhvendosjeve shqiptare dhe atyre serbe e deri te bashkësitë e veçanta malësore të shtetit otoman. Nga sistemi i organizimit të brendshëm të bashkësive malësore, sistem ky i hakmarrjeve të tejzgjatura dhe marrjes në mbrojtje të të paarmatosurve nga të armatosurit e deri te marrëdhëniet e vështira që lidhin këto bashkësi me të tjera institucione të Perandorisë Otomane, por edhe me vetë administratën otomane. Ndonjëherë edhe me fuqi të huaja, siç ishin Venediku, Franca, Rusia. Vëzhgimi i këtyre marrëdhënieve nxjerr, tekefundit, në pah edhe një imazh krejtësisht të ndryshëm për funksionimin e shtetit otoman dhe për bashkësitë e ndryshme kulturore të tij. Aleancat që përtëriheshin vazhdimisht, përmbysjet e raporteve të forcave të brendshme - komunitete, armatollëqe, pashallëqe, jeniçerë, administratë qendrore - konfliktet e tyre të thella dhe shpesh të pakapërcyeshme shpalosen dhe kundrohen në gjithë dinamizmin dhe larminë e tyre. Vetë historia klasike e përplasjes mes Ali Pashës dhe suljotëve, që përfundoi me shpërbërjen e kësaj bashkësie malësore, shtjellohet këtu me gjithë hollësitë e saj; në gjithë anët e saj të errëta dhe të dyshimta; ndriçohet prej vetë arsyes së saj të brendshme, brenda kuadrit dhe kodeve të saj, në mënyrë që të shihet si pjesë e një historie të vërtetë dhe jo si një sajesë e mëvonshme për të tjera nevoja dhe qëllime. Historia e suljotëve përfton një tjetër përmasë emocionale kur, pas disfatës, do të shpërndahen si refugjatë nëpër Ishujt Jonianë, fillimisht, dhe nëpër Greqinë e kryengritjes kombëtare pak më vonë. Në këtë mënyrë, ata do të integrohen, pas një vargani peripecish të reja, në tërësinë dhe në ideologjinë e shtetit grek, ku do të njohin një vlerësim të ri dhe emblematik.