Suzan Kahramaner
Suzan Kahramaner (21 Maj 1913 – 22 shkurt 2006) ishte një prej matematicieneve të para gra në akademinë turke.
Edukimi
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Kahramaner lindi në Üsküdar, në Stamboll. Mamaja e saj ishte Müzeyyen Hanım, ndërsa i ati ishte kirurg, Dr. Rifki Osman Bey. Ajo studioi në shkollën fillore "Moda Nümune Inas" midis viteve 1919 dhe 1924. Pas regjistrimit në gjimnazin privat francez “Notre Dame De Sion” në 1924, ajo përfundoi gjimnazin dhe më vonë mori diplomën në 1934 në degën e studimeve franceze.
Suzan Kahramaner nisi studimet universitare në departamentin e matematikës dhe astronomisë në Universitetin e Stambollit. Përveç kurrikulës së re dhe fakultetit të rinovuar, Universiteti i Stambollit ishte universiteti ku shumë akademikë gjermanë erdhë dhe zhvilluan kërkimin shkencor, akademikë që ishin arratisur prej fillimit të Luftës së Dytë Botërore në Gjermani.
Gjatë studimeve, ajo mori leksione prej shumë matematicienëve të famshëm si Prof. Dr. Ali Yar, Prof. Kerim Erim, Prof. Dr. Richard Von Mises, Prof. Dr. Hilda Geiringer dhe Prof. Dr. William Prager.
Në 1939 Suzan u diplomua në Departamentin e Matematikës dhe Astronomisë në Universitetin e Stambollit. Ajo zhvilloi projekte kërkimore në fushën e Fizikës midis viteve 1939 dhe 1940.
Në 1943 ajo nisi studimet e doktoraturës nën mbikëqyrjen e Prof.Dr. Kerim Erimit, matematicienit të parë në Turqi me doktoraturë, i cili i kishte përfunduar studimet në Universitetin Friedrich-Alexander në Gjermani me mbikëqyrjen e Prof. Dr. Adolf Hurwitz. Prof. Dr. Kerim Erim ishte i pari shkencëtar që drejtoi studimet e doktoraturës në matematikë në Turqi.
Karriera
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në fillim të vitit akademik 1940-1941 meqenëse mësueset nuk emëroheshin në Stamboll por në qytete të tjera në Turqi, ajo nisi të punojë si asistent-profesoreshë në gjimnazin për vajza “Çamlıca” si dhe punoi si mësuese matematike atje deri në 1943. Në 1943 ajo nisi të punojë si profesoreshë në Departamentin e Matematikës në kurset “Analiza 1 dhe 2” në Fakultetin e Shkencave në Universitetin e Stambollit. Pas miratimit të tezës së saj në doktoraturë, Suzan Kahramaner vijoi studimet akademike dhe shkencore në Universitetin e Stambollit si një prej grave të para matematiciene në Turqi me një diplomë master në Matematikë.
Ajo përfundoi së shkruajturi tezën për gradën e Profesoreshës dhe më pas mori dhe titullin pasi kaloi me sukses provimet. Ajo u dërgua më pas në Universitetin e Helsinkit për një vit në janar 1957 në mënyrë që të zhvillonte kërkim në “Teorinë e Funksioneve komplekse”. Ajo mori pjesë në Kongresin Skandinav të Matematicienëve, Kolegiumin Ndërkombëtar mbi Teorinë e Funksioneve, në Helsinki në po të njëjtin vit dhe pati rastin të takojë disa prej matematicienëve më të famshëm si Ernst Hölder, Wilhelm Blaschke, Lars Ahlfors, Paul Montel, Olli Lehto.
Në nëntor 1957 ajo shkoi në Zyrih për të vazhduar kërkimin shkencor për një vit në Universitetin e Zyrihut, ku Prof. Dr. Rolf Nevanlinna jepte leksione. Në gusht 1958 ajo mori pjesë në Kongresin Ndërkombëtar të Matematicienëve në Edinburg të organizuar prej Unionit Ndërkombëtar të Matematicienëve.
Në fund të 1958 ajo u rikthye në Universitetin e Stambollit. Në vjeshtën e 1959 ajo fitoi bursën për në NATO, në të cilin ajo kishte aplikuar me një bursë nga Prof. Dr. Rolf Nevanlinna dhe me këtë bursë ajo punoi në Universitetin e Zyrihut gjatë viteve 1959-1960.
Më pas ajo zhvilloi kërkimin shkencor për një muaj në Universitetin e Stanford. Ajo vijoi kërkimin në të njëjtin vit në shtator në Universitetin e Helsinkit. Ajo iu rikthye punës së saj në Universitetin e Stambollit në fund të tetorit në 1960.
Jeta personale
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Suzan Kahramaner vdiq në Stamboll të mërkurën, 22 shkurt 2006.
Djali i Suzan Kahramaner është gjithashtu profesor matematike. Nipi i saj Deniz Kahramaner ka një diplomë nga studimet universitare për Inxhinieri Elektrike nga Universiteti i Stanford, dhe momentalisht po ndjek studimet master në shkencat kompjuterike në po të njëjtin universitet.
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Suzan Kahramaner - The Mathematics Genealogy Project
- 9th International Symposium on Geometric Function Theory and Applications Symposium, GFTA2013 (Dedicated to Suzan Kahramaner) Abstract Book.