Të mallkuarit e ditës së gjashtë
Të mallkuarit e ditës së gjashtë roman, Autori: Valter File. Faqet e librit 240.
Kur ta keni lexuar këtë libër do të ndjeheni të lehtësuar që ju vetë nuk jeni pjesë e botës së tij. Është një botë e largët ku në emër të pushtetit dhe sundimit çdo mizori është e justifikuar. Është një botë ku jeta do të bëjë ciklin e saj të natyrshëm të lindjes dhe të asgjësimit. Ne jemi ndryshe dhe nuk kemi asnjë lidhje me të, nuk i përkasim as kohës dhe as hapësirës së saj. Dhe përsëri nuk kemi si të shpëtojmë nga flligështia dhe mëkati, sepse bota në fjalë është brenda nesh. Ne s`kemi qenë kurrë pjesa e saj, por ama ajo është pjesa jonë. "Dhe ky breshër, që filloi kaq papritur, vazhdoi, pa ndërprerje tri herë nga gjashtë muaj. Gjashtë muajt e parë rrëzoi gjithçka përtokë dhe e ktheu në copa. Bimë, pemë, ndërtesa dhe gjithçka që kishte krijuar aty dora e njeriut e copëzoi. Gjashte muajt e dytë, çfarë ishte e copëzuar u shtyp dhe u rishtyp nga grushtat e akullt, derisa u kthye në grimca fare të vogla pluhuri. Në këtë pluhur u përzjenë të gjitha dhe askush nuk ishte në gjendje ta kuptonte, nëse aty brenda ishte gruri apo druri, krahu i mizës apo kokrra e grurit, eshtrat e njeriut apo ahkla e lisit. Dhe pas gjashtë muajve të tretë, duart e akullta e gatuan dhe e stërgatuan këtë pluhur në baltë."