Jump to content

Tahir Baçova

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Tahir Baçova: Krijuesi i profilit të zbutësit të kafshëve në Cirkun Shqiptar.

Tahir Baçova, një prej figurave më të shquara të artit të cirkut në Shqipëri dhe një Artist i Merituar, lindi në Tiranë më 23 korrik 1936. Ai ishte i njohur si krijuesi i profilit të zbutësit të kafshëve në Cirkun shqiptar dhe ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në transformimin e këtij zhanri artistik në vend. Tahiri e filloi karrierën e tij artistike që në moshën 17-vjeçare dhe e vazhdoi për më shumë se pesë dekada, deri në moshën 65-vjeçare. Edhe pasi doli në pension[1], ai kurrë nuk u nda nga pasioni për zbutjen e kafshëve dhe e shndërroi këtë pasion në një art të vërtetë, për të argëtuar të madh e të vogël, jo vetëm në Tiranë, por në mbarë Shqipërinë.

Fillimet e tij artistike nisën në Cirkun Amator, por ai shpejt u bë pjesë e trupës së Cirkut të Tiranës, sot i njohur si Cirku Kombëtar. Me talentin dhe përkushtimin e tij, Baçova mbeti bazamenti dhe promotori i profilit të kafshëve në Cirkun shqiptar, duke vendosur standarde të reja dhe duke krijuar një stil unik në zbutjen e kafshëve. Puna e tij e palodhur dhe pasioni për këtë art u reflektuan jo vetëm në marrëdhëniet e tij të afërta me kafshët, por edhe në ndërveprimet e tyre me akrobatët e cirkut dhe me publikun.

Përveç arritjeve të tij personale, Tahir Baçova pati një bashkëpunim të ngushtë me bashkëshorten e tij, Sanie Baçova[2], e cila ishte e para dhe e vetmja artiste grua në profilin e zbutësit të kafshëve në Cirkun shqiptar. Së bashku, ata krijuan një duo të jashtëzakonshme që kontribuoi në formimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të Cirkut shqiptar. Ky bashkëpunim familjar dhe profesional i dha cirkut shqiptar një dimension të ri dhe të freskët, duke e bërë atë të njohur për aftësitë dhe artin e veçantë në zbutjen e kafshëve.

Për më shumë se 40 vjet, Tahir Baçova ia kushtoi jetën dhe pasionin e tij punës me kafshët. I palodhur dhe këmbëngulës, ai punoi me një dëshirë të madhe për të dhuruar art. Ai u bë simbol i përkushtimit dhe novacionit në artin e cirkut shqiptar, duke bërë të mundur të pamundurën dhe duke i kthyer kafshët në aktorë të vërtetë të spektaklit.

Tahir Baçova, krijuesi i profilit të zbutësit të kafshëve në Cirkun shqiptar, ndërroi jetë më 2 shtator 2024[3] në moshën 88-vjeçare[4]. Ai la pas një trashëgimi të pasur artistike dhe një histori suksesi që do të mbetet gjithmonë në kujtesën e publikut shqiptar dhe do të frymëzojë breza të rinj artistësh në Cirkun Kombëtar. Tahir Baçova do të kujtohet gjithmonë si një njeri që ia dedikoi jetën artit dhe që kontribuoi në një mënyrë të jashtëzakonshme në fushën e zbutjes së kafshëve, duke e kthyer atë në një formë të lartë arti për të gjithë shqiptarët.


  1. ^ https://www.tiranadiplomat.com/2024/01/13/tahir-bacova-edhe-pse-ne-te-90-tat-e-tij-me-cuditi-duke-me-surprizuar-me-nje-pyetje/
  2. ^ https://abcnews.al/ndahet-nga-jeta-sanie-bacova-gruaja-e-pare-qe-zbuste-kafshet-ne-cirkun-shqiptar/
  3. ^ https://ata.gov.al/2024/09/02/nderron-jete-artisti-i-cirkut-tahir-bacova/[lidhje e vdekur]
  4. ^ https://shqiptarja.com/lajm/shuhet-ne-moshen-88vjecare-mjeshtri-i-cirkut-tahir-bacova/