Tasim Jonuzi
Dr. Tahsin Jonusi lindi në Elbasan, më 10.03.1912 dhe jetoi në Vlorë deri në vitin 1944, kur edhe u internua dhe ekzekutua në kampin e internimit në Mauthausen, në moshën 32 vjecare (më 01.08.1944).
Studimet e larta i kreu në Universitetin “Leopoldina Fransiscea”, në Innsbruck dhe në vitin 1932 u diplomua në Fakultetin e Filozofisë me rezultate të shkëlqyera, ndërsa në po të njëjtin universitet, në vitin 1937 mbrojti titullin Doktor në Filozofi me temën “Topografia dhe rrjeta e rrugëvet të Shqipnis në kohët e vjetra” [1] si dhe ju nënshtrua provimeve të ligjshme “në ditunin e Historisë dhe Arkeologjisë në mënyrë të lavdueshme”.
Po në vitin 1937, u kthye në Vlorë dhe në moshën 30 vjecare u martua me vajzën e patriotit Ibrahim Abdullah Nota (njëkohësisht kryetari i parë i Bashkisë së Vlorës). Nga kjo martesë erdhën në jetë dy djem, Mentori dhe Nestori, të cilët nuk arritën ta njihnin të atin pasi i la në moshë fare të vogël (Mentorin rreth 2 vjec dhe Nestorin 1 vjec).
Dr. Tahsin Jonusi punoi fillimisht si mësues dhe më pas drejtor në Institutin Tregtar, Vlonë (emëruar më 14.09.1943) si edhe si drejtor i Apollonisë . Ai bashkëpunoi ngushtë edhe me arkeologun italian Piro Marcone, ku për më shumë se 3 vjet, gjurmuan vatrat arkeologjike të lashtësisë ilire [2] [3] [4] në Velçë, Amantia, Himarë e Butrint .
Gjatë viteve të studimit por dhe më pas, Tahsin Jonusi ka shkruar [5] në shtypin e kohës në lidhje me tema që i takojnë arkeologjisë dhe historisë së Shqipërisë [6], të cilat mbeten ende për tu zbardhur dhe që sot gjenden në arkivat tona por edhe në ato të universitetit të Innsbruck-ut.
Punimeve të këtij studiuesi [7] i cili u largua nga jeta në moshë të re, nuk ju kushtua rëndësi në vitet në vijim pasi familja Jonusi, për shkak të të qenit tregtarë dhe tej mase të shkolluar, u trajtuan ashpër nga sistemi komunist.
Burimet
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ↑ https://www.bksh.al/details/462330/
- ↑ https://kohajavore.me/kulture/tahsin-jonuzi-e-libri-topografia-dhe-rrjeta-e-rrugevet-te-shqipnis-ne-kohet-e-vjetra/
- ↑ https://gazetadielli.com/topografia-dhe-rrjeta-e-rrugevet-te-shqipnis-ne-kohet-e-vjetra/
- ↑ https://www.deutsche-digitale-bibliothek.de/item/R4JWWJ2UTHTKEE3LZJLT3NBNEASCE63L/
- ↑ https://peizazhe.com/2023/05/21/tahsin-jonusi-ne-historine-e-arkeologjise-shqiptare/
- ↑ https://books.google.fr/books/about/Topografia_dhe_rrjeta_e_rrug%C3%ABvet_t%C3%AB_sh.html?id=dMDgzwEACAAJ&redir_esc=y/
- ↑ https://www.botimpex.com/index.php?p=liber&l=12838