Teatri Kombëtar i Çekisë

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Jump to navigation Jump to search

Teatri Kombëtar (çek. Národní divadlo) në Pragë njihet si monument i operës, historisë dhe artit çek. Është i vendosur në bregun e lumit Vltava, në qendër të Pragës. U takon institucioneve më të rëndësishme kulturore të Çekisë, me një traditë mjaft të pasur artistike.

Ky teatër përbëhet nga tri ansamble artistike: opera, baleti dhe drama. Shfaqjet e tyre mbahen në ndërtesën historike të Teatrit Kombëtar, në teatrin “Stavovské divadlo“ dhe në teatrin “Divadlo Kolowrat“. Të tre ansamblet artistike përzgjedhin repertorin e tyre si nga trashëgimia klasike, ashtu edhe nga autorët modernë.

Teatri Kombëtar u hap për herë të parë më 11 qershor 1881, për të nderuar vizitën e princit të Austrisë, Rudolf Franz Karl Joseph. Aty u dha premiera botërore e operës së Bedřich Smetana-s, “Libuše”, e drejtuar nga Adolf Čech. Pas kësaj u prezantuan edhe 11 shfaqje të tjera. Pastaj teatri u mbyll për të mundësuar përfundimin e punëve të mbetura. Derisa punët ishin në përfundim e sipër, një zjarr shpërtheu më 12 gusht 1881, i cili shkatërroi skenën e teatrit dhe disa pjesë të tjera të tij. Zjarri u pa si një katastrofë kombëtare dhe kjo i shtyu arkitektët e punëtorët që të vepronin sa më shpejt për rikthimin e teatrit. Arkitekti kryesor ishte Josef Zítek, i cili punonte bashkë me nxënësin e tij Josef Schulz, ndërsa punimet e brendshme janë bërë nga Mikoláš Aleš dhe František Ženíšek.

Ndërtesa e Teatrit Kombëtar u përurua më 18 nëntor 1883 dhe tani kishte pajisje të përsosura teknike. Arkitekti Zdeněk Vávra u zgjodh për të marrë përgjegjësinë për punën e rindërtimit të përgjithshëm. Ky projekt i gjerë kishte për qëllim përfundimin e punës në të gjitha ambientet e teatrit. Punimet përfunduan në një datë të rëndësishme, 18 nëntor 1983, që ishte data e 100 vjetorit të hapjes së Teatrit Kombëtar. Atë ditë, teatri ia dhuroi përsëri publikut shfaqjen e operës “Libuše” të Smetana-s.

Në vitin 1989, drejtori i përgjithshëm i Teatrit Kombëtar, kompozitori Jiří Pauer u shkarkua nga posti i tij për shkak të mbështetjes që kishte dhënë në politikën e ish-qeverisë komuniste çekosllovake. Pauer ia ndaloi të gjithë stafit mbajtjen e shfaqjeve për një kohë. Pas tri javësh Pauer u zëvendësua nga Ivo Žídek.

Teatri Kombëtar mbikëqyret nga drejtori dhe nga bordi i këshillit të tij. Bordi këshillëdhënës ka 11-13 anëtarë, të cilët emërohen dhe shkarkohen nga drejtori. Anëtarët e tanishëm të këshillit janë: Pavel Smutný, Dadja Altenburg Pešta Kohl, Petr Dvořák, Jiří Maceška, Vlasta Formánková, Bohdan Wojnar, Jiří Drahos, Pavel Kohout, Oldřich Černoch dhe Peter Palečka.

Më 4 maj 2005, banka Komerční nënshkroi një marrëveshje me Teatrin Kombëtar për të nderuar çdo vit shfaqjet më të mira që prezantohen në teatër, nga baleti, drama dhe opera. Fituesit e çmimit marrin një statujë të dizajnuar nga akademiku Jaroslav Rona dhe 100,000 koruna çeke. Ceremonia e parë u mbajt më 26 tetor 2006 në skenën e Teatrit Kombëtar.

Teatri Kombëtar ka qenë dhe do të mbetet një nga simbolet e identitetit kombëtar dhe trashëgimisë kulturore çeke, një përpjekje për të arritur cilësinë më të lartë artistike.