Teatri Kombëtar i Fëmijëve
Teatri Kombëtar i Kukullave në Tiranë, është krijuar në vitin 1950 nga një trupë profesioniste dhe jepte çdo vit 500 shfaqje, në të gjithë vendin. Në shfaqjet e Teatrit Kombëtar për Fëmijë përdoren kukulla me tela, kukulla marionetë, maska, teatro hijesh e pantomima, si dhe shfaqje me aktorë.
Restaurimi i Teatrit Kombëtar të Kukullave nga projekti EU4Culture
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në nëntor të vitit 2019, Shqipëria pësoi dëme të konsiderueshme nga termeti me magnitudë 6,3 i shkallës Rihter, i cili mes shume objekteve të tjera dëmtoi rëndë edhe Teatrin Kombëtar të Kukullave. Si një nga monumentet më të rëndësishme kulturore dhe historike ky teatër u përzgjodh për t’u restauruar në kuadër të projektit “EU4Culture”, financuar nga Bashkimi Evropian (BE) dhe zbatuar nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projekteve (UNOPS) në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë.
Godina mbart vlera të mëdha historike pasi arkitektura e saj është një reflektim gjithmonë në ndryshim i zhvillimeve kulturore dhe sociale të shoqërisë shqiptare. Teatri u ndërtua në vitin 1924 për të shërbyer fillimisht si Shtëpia e Oficerëve dhe më pas u përdor si Parlamenti i parë i Shqipërisë, ku përdorej rregullisht për seancat plenare, mbledhjet e qeverisë, pritjet diplomatike dhe koncerte. Ajo ishte një prej godinave të para administrative në Tiranë e ndërtuar sipas stilit Evropian. Që prej vitit 1960, godina ka shërbyer si Teatër Kombëtar i Kukullave – një qendër kulturore për fëmijë e ngulitur thellë në kujtesën e disa brezave të shqiptarëve.
Punimet e restaurimit synojnë të ruajnë të gjithë elementët autentikë të pjesës së jashtme dhe të brendshme, duke i kushtuar një fokus të veçantë ruajtjes së fazave kryesore të ndryshimeve arkitekturore që ka pësuar godina, fillimisht në vitin 1924, për të vijuar më pas në vitet 1930, 1950 dhe në fillim të viteve 1980. Kjo do të realizohet përmes një procesi rigoroz të ruajtjes së elementëve të mbetur dhe restaurimit në rastet kur materiali dhe evidencat historike janë të padiskutueshme.
Restaurimi i Teatrit Kombëtar të Kukullave do të jetë plotësisht në përputhje me standardet kontemporane dhe do të ketë një kapacitet prej 160 personash. Përmirësimet e kryera do të përfshijnë përmirësime në mekanizmin e skenës dhe sisteme më të mira të performancës audio-vizuale.