Teatri Stavovské divadlo

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Stavovské divadlo (shq. Teatri i shtresave) është njëri ndër teatrot më të vjetra në Evropë, që nga viti 1783. Këtu mund të shohim operë, dramë e balet. Teatri u ndërtua nga konti Nostic-Rieneck, një aristokrat i Iluminizmit, i nxitur nga dëshira për ta bërë vendlindjen e tij më të mirë. Konsiderohet si një ndër teatrot më të bukura dhe historike të Evropës. Ai u ndërtua me stil klasik dhe vazhdon të qëndrojë në kushte të njëjta. Ndërtimi zgjati më pak se dy vite dhe teatri u hap në vitin 1783, me shfaqjen e tragjedisë “Emilia Galotti”. Shfaqjet e para çeke u paraqitën në vitin 1785, por jo shumë shpesh. Që nga viti 1812 u shfaqën rregullisht , të dielave pasdite dhe gjatë festave. Natyra disi politike e këtyre shfaqjeve më vonë çoi në idenë e themelimit të Teatrit Kombëtar, pas vitit 1848 me humbjen e revolucionit dhe largimin e J.K. Tyl.

Teatri Stavovské divadlo nuk ishte i kufizuar vetëm për pjesëmarrësit vendas, shumë artistë të njohur evropianë gjithashtu ishin aktivë, të tillë si Carl Maria von Weber, Anton Rubinstein, Karl Goldmark dhe Gustav Mahler. Emra të tjerë të famshëm ishin aktorët A.W. Iffland, F. Raimund, J.N. Nestroy, së bashku me këngëtaren e operës Angelica Catalani dhe violinistin Niccolò Paganini.

Historia e teatrit është e lidhur me talentin e Wolfgang Amadeus Mozartit dhe me premierën botërore të operës së tij “Don Giovanni” në vitin 1787, e cila akoma është e përfshirë në programin e teatrit. Gjithashtu, në vitin 1791, “La Clemenza di Tito” e Mozartit u shfaq këtu për herën e parë në kremtimin e kurorëzimit të Perandorit Leopold II. Është i vetmi teatër që akoma funksionon, në të cilin Mozart ka luajtur. Edhe pse teatri fillimisht u ndërtua me qëllimin e promovimit të dramave franceze e operave italiane, veprat në gjuhët e tjera u shfaqën gjithashtu.

Premiera e parë e operës moderne çeke Dráteník (Kallajxhi) nga František Škroup u vu në skenë në vitin 1826, kurse në vitin 1834 u shfaq premiera e këngës “Kde domov můj”. Ajo u performua në bas nga Karel Strakatý, me tekst të shkruar nga Josef Kajetán Tyl e melodi nga Škroup. Kjo këngë më vonë u bë himni kombëtar i Republikës Çeke.