Jump to content

Teodor Drajzer

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Teodor Drajzer romancier dhe gazetar amerikan. Lindi më 27 gusht të vitit 1871, në Terre Haute-Indiana të SHBA- së, dhe u nda nga jeta më 28 dhjetor të vitit 1945 në Los Anxhelos. Arsimin e lartë e kreu në universitetin Indianos, në vitet 1889-90. Karrierën e tij ai e nisi si gazetar në të përditshmen “Chicago Tribune” ku u bë i njohur me disa shkrime të bukura për shkrimtarë të mëdhenj si, Nathaniel Haw Thorne, William Dean Howells dhe disa intervista me personalitete të njohura të politikës së vendit. Në vitin 1893 martohet me Sarah White, e cila u nda nga jeta në një moshë të re. Edhe pse Drajzeri u mor edhe me poezi, tregime, kujtime e monografi, suksesi i tij i padiskutueshëm u bë romani i gjatë. Romani i tij i parë ishte “Motra Keri” (1899), por edhe pse ky roman nuk u pëlqye shumë vazhdoi të shkruante romane të tjera me të cilët do të bënte emër. Në romanin e dytë “Jennie Gerhard” (1911), ai sjell historinë e dhimbshme të një gruaje, që shet trupin e saj me një burrë të pasur për të ndihmuar familjen e varfër. Më pas ai shkroi triologjinë e përbërë nga “Financieri” (1912), ku pasqyrohet jeta e një manjati amerikan të transportit, “Titan” (1914), që u pasua më tej nga libri “Një udhëtim në Forty”, ku përshkruhen përshypjet e tij nga udhëtimet e tij nëpër Europë. Romanet që e bënë Drajzerin më të njohur ishin triologjia “Gjeniu”, shkruar në vitin 1915 dhe përkthyer e ribotuar disa herë, jo vetëm në shumë gjuhë të botës, por edhe në gjuhën shqipe në të cilin trajtohen çështje të thella të pasionit, moralit, të dashurisë dhe të shkatërrimit të barrierave të së vjetrës që pengonte të renë përparimtare. Në 10-vjeçarin e dytë të shkeullit XX Drajzeri botoi edhe disa vëllime me tregime dhe esse si: “Liria dhe histori të tjera”, “Dymbëdhjetë burra”, “Ngjyra e një qyteti të madh”, dhe dramën “Rolet e natyrës dhe të mbinatyrës”(1916). Drajzer ka shkruar edhe disa vepra autobiografike si “Një libër për veten time”. Në vitin 1925, ai botoi pjesën e parë të veprës së tij madhore “Një tragjedi amerikane”, subjekti i së cilës është ngritur mbi historinë e një vrasjeje, që u quajt vrasja më e madhe e shekullit, përmes të cilit fshikullohet ashpër sistemi ligjor amerikan i kohës. Mesazhet e tij u bënë shtysë e fuqishme për reformat më të thella sociale, të cilat do të sillnin ndryshime të thella në jetën shoqërore të Amerikës së shekullit XX. Në vitin 1931, T.Drajzer shkroi librin “Agimi”, ku rrëfen për fëmijërinë dhe rininë e tij. Ndërsa në vitin 1938, ai zhvendoset në Los Anxhelos, ku vendosi të merrej me marketingun e të drejtave të filmit. Në vitin 1944 mbasi gruaja e tij e parë kish ndërruar jetë, martohet me Helenën, e cila do ta ndihmonte për botimin e vëllimit të tretë të triologjisë “Yerkes”. Kurse dy veprat etij të fundit “Bulwark” dhe ”Stoiku”, u botuan pas vdekjes së tij, në vitet 1946-‘47. Ndërsa në vitin 1974 u botua libri me kujtime “Shënime për jetën”. Krijimtaria e Drajzerit do të shquhej për karakteret me pasione të fuqishme shumëdimensionale, të cilët luftojnë të “vrasin” krimin dhe dogmat morale të kohës, si dhe për realizimin e pasioneve dhe ëndrrave të tyre të bukura.