Thoma Çami
Thoma Çami - Gjatë muajve nëntor-dhjetor të vitit 1906 u arrit bashkimi i të gjitha shoqërive të Bukureshtit në një të vetme. Në takimet që u bënë në fundin e nëntorit ishte vendosur që shoqëria e bashkuar të mbante emrin "Tomori", ndërsa më 7 dhjetor rreth 200 përfaqësues të shoqërive të kolonisë së Rumanisë ("Dituria", "Drita" dhe "Shpresa") shpallën shkrirjen e tyre në një Shoqëri të vetme kulturore me emrin "Bashkimi". Kryetar i komitetit të Shoqërisë u zgjodh Thoma Çami, ndërsa zëvendësa Kristo Meksi e Pandeli Evangjeli. Midis veprimtarëve të saj ishin edhe Mihal Gramenoja, Aleksandër Drenova (Asdreni), etj. Sipas statutit të ri, Shoqëria kishte për qëllim të përhapte kulturën në gjuhën shqipe, të botonte libra didaktikë për shkollat shqipe dhe të ndihmonte për mbajtjen e shkollave shqipe në Shqipëri, si dhe për hapjen e shkollave të tilla në Bukuresht. Në janar të vitit 1907 u formua në Kostancë një degë e Shoqërisë "Bashkimi" të Bukureshtit. Shoqëria "Bashkimi" e Kostancës mori përsipër të ndihmonte për përhapjen e ideve kombëtare dhe për ngritjen e shkollave shqipe në Shqipëri, si dhe të një shkolle të tillë në Kostancë, ku të mësonin shqiptarët e Dobruxhës. Një ndihmesë të rëndësishme në veprimtarinë e kësaj kolonie dha doktor Ibrahim Temo. Me nismën e tij, qysh në vjeshtën e vitit 1905, qe ngritur në Kostancë një shkollë nate për mësimin e gjuhës shqipe, ndërsa në vitin 1907 u hap një mësonjëtore shqipe, me drejtor Jani M. Lehova, ku jepnin mësim edhe Asdreni, Neofit Simoni nga Shkupi, Thoma Avrami, etj.