Jump to content

Thoma Kacori

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Thoma Kacori, shkencëtari dhe shkrimtari, profesori dhe intelektuali lindi në vitin 1922 në Shtikë të Kolonjës. Kur pushtuesit italianë e mbyllën liceun e Korçës, Thomai emigroi te vëllezërit e nënës në Bullgari, pasi i ati ishte mërgimtar në Amerikë. Ai shkoi në Sofje kur Shqipëria u pushtua nga fashistët italianë. Ishin vitet ‘40 të shekullit të kaluar. Thomai shkoi në Bullgari në një kohë kur aty kishte mjaft shqiptarë. Kolonia ishte ende gjallë dhe me ndihmën e disa patriotëve ajo bënte përpjekje për të ekzistuar dhe për ta vazhduar punën. Mes tyre u fut edhe Thomai. Kolonia shqiptare e Sofjes, me traditat që kishte krijuar, la mbresa e ndikoi në formimin e tij atdhetar. Në Bullgari, Thomai mbaroi studimet e larta në Universitetin e Sofjes, Fakultetin e Drejtësisë Administrative. Në Tiranë e në Sofje filloi të botojë krijimet e tij të para në shtypin letrar. Më 1957-n botoi në Tiranë vëllimin e parë me tregime “Jetë me brenga”; më 1958-n novelën “Ditë që s’harrohen” me të cilën mori çmimin e dytë në Konkursin Letrar Kombëtar. Në vitin 1961 boton romanin “Për Mëmëdhenë”, me dy vëllime dhe më pas novelën “Dashuria”, për të vazhduar me romanin “Shpata e Kastriotëve”, “Fabula” më 1989, romanin “Bijtë e shtrëngatës”, “100 Fabula”, “Kandili i De Radës”, si dhe romanin “Kryetrimi i Arbërisë-Skënderbeu”, i cili u botua në vitin 2007 me rastin e 600-vjetorit të lindjes, si dhe librin me tregime “Tregime të moçme”. Më 1998 u botua në Sofje libri “Albania”, me bashkautor Bobi Bobev. Thoma Kacori ka një veprimtari të gjerë edhe në fushën e studimeve shkencore. Është bashkautor dhe redaktor i pjesës në gjuhën shqipe të “Fjalorit bullgarisht-shqip”, si dhe autor i dy librave për mësimin e gjuhës shqipe nga të huajt, njëri në versionin bullgarisht, ndërsa tjetri në anglisht, të cilët janë botime të Universitetit të Sofjes. Thoma Kacori është shquar në hulumtimin e zhvillimin e shkencave albanologjike. Ka botuar një numër artikujsh shkencorë e libra që kanë tërhequr vëmendjen e studiuesve për thellësinë e mendimit, për argumentet shkencore, ku një vend me rëndësi zë libri “Ndriçime”. Thomai është një hulumtues i rrallë i gjuhës shqipe, i formimit, prejardhjes, evoluimit e pasurimit të saj ndër shekuj. Njihte mjaft mirë 6-7 gjuhë të huaja çka e ndihmoi në përkthimet e tij. Për gjuhën e përdorur dhe për përkushtimin ndaj vendit të tij, Thoma Kacorin e kanë quajtur rilindësi i fundit shqiptar. Në maj të 2008-s, pak para se të ndërronte jetë, Thoma Kacori u nderua nga Presidenti me titullin “Nder i Kombit”.