Jump to content

Tirana 11 shkurt 1920 – Kryeqytet i Shqipërisë

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Tirana 11 shkurt 1920 – Kryeqytet i Shqipërisë libër album me autore Prof. dr. Kaliopi Naska dhe Andriola Kambo. Shtëpia botuese: "Kristalina KH", viti i botimit 2016. Faqet e librit 80. ISBN 978-9928-171-40-5


Albumi studimor i ilustruar "Tirana 11 Shkurt 1920 – Kryeqytet i Shqipërisë" (Trajtesë, dokumente dhe ceremoni festive) me autore Prof. dr. Kaliopi Naska dhe Andriola Kambo i është kushtuar kremtimit të 96 vjetorit të caktimit të Tiranës Kryeqytet i Shqipërisë. Ai përmes njëstudimi të mbështetur në dokumente dhe foto, sjell dëshmi historike mbi rrugëtimin patriotik historik të caktimit të kryeqytetit të Shqipërisë. Analizohen përpjekjet e autoriteteve të larta të shtetit shqiptar që dolën nga Kongresi i Lushnjes, marshimi i tyre menjëherë pas mbylljes së punimeve të tij, të cilët kaluan në Kavajë dhe në pamundësi për të hyrë në Durrës, pasi ai ishte i pushtuar nga forcat italiane, u kthyen drejt Shijakut, e për të mbërritur më pas në Tiranë. Trajtohen arsyet që u vendos të shkohej drejt Tiranës. Në këtë rrugëtim të rrezikshëm, rol kryesor luajti dhe mbështetja e popullit të Tiranës, e qytetit dhe e fshatit, vendosmëria e antarëve të qeverisë sidomos e ministrit të Punëve të Brendshme, antarëve të Këshillit të Naltë dhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës, që bënë të mundur caktimin e kryeqytetit të ri të përkohshëm, Tiranës më 11 shkurt 1920. Qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës vendosi t'i bëhej e njohur tërë vendit dhe botës së jashtme, ajo që kishte ndodhur në Tiranë, zgjedhja e saj "për kryeqytet të shtetit shqiptar". Çështja e kryeqytetit do të mbetej e hapur edhe për thuajse 5 vjet të tjera. Madje, tema kryesore e fushatës elektorale të zgjedhjeve për Asamblenë Kushtetuese që u zhvilluan në dhjetor 1923, ishte caktimi kryeqytetit të përhershëm. Kandidatë ishin disa qytete të vendit, për të cilat sillen të dhëna në trajtimin historik. Tirana ndërkohë kishte filluar transformimin e saj në një kryeqytet me pamje perëndimore që në vitet 1920 - 1925 e në vazhdim. Ndërtimet me karakterpublik bënë që Tirana të merrte një fytyrë perëndimore, duke ruajtur trashëgiminë e periudhës së mëparshme. Për të arritur deri në caktimin përfundimtar të kryeqendrës së vendit përfaqësuesit e Tiranës kishin dhënë shembuj të shquar atdhedashurie dhe pjekurie politike. Mbështetës u bënë dhe fiset më në zë të Tiranës të qytetit dhe të fshatit si: Toptani, Petrela, Qorralliu, Karrapici, Alimehmeti, Kaceli, Hobdari, Kora, Mara, Nishku, Tafaj, Lasku, Dema, Ndroqi, Këlliçi, Rreli , Bega, Myderizi etj. Të ndërgjegjëm për nderin që iu bë dhe për rolin që duhet të luanin tanimë si kryeqytetas, populli iTiranës, jo vetëm e mbështeti qeverinë e kryesuar nga Sulejman Delvina, por edhe e frymëzoi dhe e nxiti për të vënë në jetë detyrat e Kongresit të Lushnjës i cili vendosi gurët e parë në themelin e parlamentarizmit shqiptar. Çështja e caktimit përfundimtar të Kryeqytetit u diskutua në mbledhjen e 68 të Kuvendit Kushtetues, më datë 31 janar 1925 ku u miratua: Kaptina I, Formimi i Shtetit, nga artikulli 1 deri në artikullin 7. Artikulli 6 bënte fjalë për caktimin e Tiranës kryeqytet në Statutin themeltar të Republikës Shqiptare. Përkujtimi i ditës së krijimit të saj nga Kryeqytet i përkohshëm e më pas në vazhdim miratimi përfundimtar dhe cilësimi në kushtetutën shqiptare, shërben si një kujtesë dhe mirënjohje për të gjithë atdhetarët e mbarë vendit dhe në veçanti për kontributin e dhënë nga qytetarët e Tiranës, atdhetarinë dhe krenarinë e tyre të dëshmuar në mbrojtje të qytetit dhe shndërrimit të tij në kryeqendrën e vendit.