Tokësorët në Hapësirë-Kohë... Ç’tronditje!
Tokësorët në Hapësirë-Kohë... Ç’tronditje! roman, Autori: Agron Shehu. Botuesi: Filara. Faqet e librit 328.
Tokësorët në Hapësirë-Kohë...Ç’tronditje, është roman fantastiko-shkencor, filozofik. Ai është një testament për njerëzimin për të ardhmen e tij, mbështetur në historinë prej 4 milionë vitesh të ekzistencës së derisotme të tij në planetin tonë. Si i tillë, në të shfrytëzohen mjaft ngjarje nga e kaluara dhe e sotmja e jetës në tokë, disa prej të cilave tepër të njohura. Ai e ka shkruar në origjinal këtë vepër në gjuhën angleze dhe e ka botuar për herë të parë në ShBA para pak muajsh nga ShB “Xlibris”. Po vetë e ka dhënë edhe në gjuhën shqipe, në këtë botim të ShB “Filara”. Romani është ndërtuar ndërmjet reales dhe ireales, i shtrirë në një hapësirë të pafundme që udhëton në kohë. Konceptet hapësirë-kohë, energjia, marrëdhëniet shoqërore, raportet drejtues shtetesh me popullin, raportet dhe lidhjet e forcave të errëta etj., janë në qendër të vëmendjes. Personazhet e tij janë mjaft figura historike, disa, të cilët janë edhe boshti i veprës, janë krijime të autorit, si dhe disa të tjerë pa emër, si kalimtarë të rastit, gjithmonë të përmbledhur në një sfond të fantazisë, në shërbim të idesë qendrore të veprës: fati i njerëzimit në gjithësi, rrugëtimi i tij në këtë hapësirë të pafundme. Veçse do pasur parasysh se të gjitha personazhet historike dhe vepra e tyre janë vënë në shërbim të kuptimit dhe të zbërthimit të idesë qendrore të veprës për domosdoshmërinë e një qëndrimi të prerë për të mbrojtur “pasurinë” e paçmueshme, që kemi, planetin tonë, jetën në këtë planet, njerëzimin.