Trimnika, vëll 1

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Trimnika roman me Autore: Inida Gjata Zhaku. Botuesi: "MORAVA". Faqet e librit 212.

"TRIMNIKA" është një roman me seri. Një botim i përmuajshëm që trajton realitetin e një personi publik në Shqipëri. Flet për padrejtësitë , shpifjet, ndjenjën e hakmarrjes që rritet si kancer tek TRIMNIKA. Libri ka karakter satirik dhe përbëhet gjithashtu nga karikaturat e personazheve dhe ngjarjeve .

Flet për një hakmarrje simbolike, nëpërmjet një arme që vetëm " TRIMNIKA" di ta përdorë drejt. Flet për një bashkim forcash që vendosin të venë drejtësinë në vend , duke sajuar një Reality - Show ku njerëzit më të pushtetshëm të medias dhe të politikës, që kishin abuzuar me TRIMNIKËN dhe aleatët e saj , marrin ndëshkimin e merituar.

Në këtë libër përzihet e ardhmja , e tashmja dhe e kaluara, dhe rrëfen ngjarje dhe personazhe reale, në një formë të parodizuar.

Fragment nga romani

…Nuk mund të përshkruhet dhembja që përjetonin ai dhe njerëzit e tij, ndaj dhe po kaloj në përshkrimin e mjekut që kishte ardhur për ndihmën e parë. Zbriti nga makina me një stetoskop, vazhdoi te kufoma dhe bëri sikur i mati pulsin, sikur i mati rrahjet e zemrës, sikur i mati temperaturën. E dëgjoi edhe njëherë me vesh a merrte apo jo frymë, atë kufomë që prej orësh dukej se kishte vdekur dhe pasi nxitoi tek makina, të merrte çantën e mjekut, hapi çantën dhe zbuloi se aty kishte vetëm mjete të padobishme për atë rast. Kishte një fasho sterile, por nuk kishte plagë për të mjekuar! Kishte jod, por nuk kishte për çfarë ta përdorte! Gjeti edhe një tjetër stetoskop të prishur! Alkool..., edhe ky nuk i hynte hiç në punë! Mbylli çantën dhe tha: - S´kam. S´di. S´bëj dot gjë. S´di çfarë të them. Ndihmë!! Gruaja e politikanit vazhdoi me këmbëngulje të provonte të telefononte të vëllanë e saj pushtetar dhe më në fund ia doli dhe e njoftoi për tragjedinë. Pas rreth një ore mbërriti një helikopter, për ta marrë e për ta shpënë në kryeqytet, në spitalin më të rëndësishëm shtetëror, kufomën e pajetë. Në darkë, në lajme u tha se helikopteri me të cilin trupi i politikanit po transportohej për në shtetin fqinj për ringjallje, ishte zhdukur dhe kishte humbur koordinatat. Nika dhe miqtë e saj nisën të alarmohen dhe u informuan përmes njëri-tjetrit mbi ecurinë e mëtejshme të ngjarjeve. Pasi kishte mbërritur në Tiranë trupi i politikanit, mjekët ia kishin hequr shpresën për rikthim në jetë. Por këmbëngulja e kryeministrit me profesion kardiolog njëherësh dhe një prej njerëzve më të afërt të politikanit në fjalë, alarmoi shërbimin ajror dhe u urdhërua një helikopter me mjekë, pilotë dhe shoqërues për politikanin që duhej të kthehej i ringjallur pas udhëtimit në shtetin më të pajisur fqinj. Specialistët e shërbimit ajror, pasi kishin studiuar gjendjen meteorologjike, e kishin kundërshtuar me forcë këtë shërbim duke i parashtruar të gjitha argumentet teknike mbi rrezikshmërinë e këtij udhëtimi në kushte të tilla atmosferike. Por, kryeministri, i vendosur ta ringjallte mikun e tij, urdhëroi në mënyrë të padiskutueshme dhe kështu, misioni u bë gati për nisje. Meqenëse bashkëshortja e politikanit nuk kishte vizë të vlefshme në pasaportën e saj për të kryer këtë udhëtim, vendin e shoqëruesit të trupit e zuri djali i tyre. E kështu qenë nisur në atë udhëtim pa kthim. Ai helikopter nuk u gjet më kurrë. As ata trupa, as ata njerëz që hynë të gjallë në atë helikopter. Nika punonte në një televizion të rëndësishëm atëherë dhe kur e diskutoi me drejtorët atë ngjarje, ata, përveçse e patën zili pse ishte ajo dhe jo ata aty, e qortuan dhe e përqeshën shumë për mungesën e instinktit të gazetarit dhe të instinktit të tregtarit, që nuk e filmoi dhe nuk e shiti këtë histori, pasi do të kishte bërë para dhe sukses. Qysh nga ajo bisedë, mes gazetarëve dhe njerëzve të medias nisën përpjekje për të marrë intervista të Nikës rreth ngjarjes dhe Nika, dha vetëm një intervistë, ku shpjegoi fije për pe se si kishin rrjedhur gjërat. Që atëherë nuk kishte folur më rreth kësaj ngjarjeje. As me miqtë e saj. (Përshkrimi që Zhaku i ka bërë tragjedisë së familjes Pashko)