Tuma e Barçit
Ky artikull nuk citon asnjë burim, prandaj mund të mos jetë i saktë. |
Tuma e Barcit ndodhet ne zonen e Koces
Mënyra me vendosje të trupit
Kjo është mënyra më e përdorur, e konstatuar në 163 varre. Pjesa më e madhe e skeleteve u gjetën shumë të dëmtuar. Në bazë të atyre që ruheshin në gjendje të mirë kemi dalluar tre pozicione.
a) I mbështetur në njërin krah, me këmbë të mbledhura, me pëllëmbët e duarve njëra mbi tjetrën të vendosura pranë fytyrës ose poshtë saj. Kjo mënyrë varrimi njihet në vendin tonë që nga epoka e neolitit dhe eneolitit1. Raste analoge të vendosjes së kufomës janë konstatuar në epokën e bronxit dhe në fillim të epokës së hekurit të hershëm, në tumën e Pazhokut2, të Patosit3, të Dukatit4 dhe në tumën e Vajzës5.
b) I shtrirë në shpinë me kokën të anuar zakonisht mbi supin e djathtë, me këmbë të përkthyera e me duar të vendosura mbi bark, mbi kraharor, njëra mbi bark tjetra thyej deri tek supi, të dyja të kthyera në drejtim të supeve e etj. Kjo mënyrë e vendosjes së kufomës është vënë re në varrin qendror të tumës së Piskovës që i takon periudhës së bronxit të hershëm,6 si dhe në varre të periudhës së bronxit të vonë e të fillimit të hekurit në tumën e Dukatit.7
Deri tani ky pozicion i vendosjes së kufomës nuk njihej në epokat e mëparshme neo-eneolitike. Rrjedhimisht ai duhet konsideruar si një zakon i ri varrimi që duket për herë të parë në bronxin e hershëm së bashku me ritin e varrimit në tuma, e vazhdoi të përdoret edhe më pas në bronxin e vonë e në fillim të epokës së hekurit, krahas me mënyrën e vendosjes së trupit në pozicion të mbledhur të një tradite të hershme neo-eneolitike. Mendimi i shprehur se pozicioni i kufomë në periudhën fillestare të bronxit të hershëm në kuadrin e rritit me tuma, ka qenë i shtrirë me kurriz, 8 nuk përputhet me të dhënat arkeologjike që dëshmojnë për përdorimin në të njëjtën kohë edhe të varrimit me kufomë të mbledhur, sikurse është vënë re në varrin qëndror të tumës I të Pazhokut e të tumës I të Barçit dhe në atë të tumës së Cerujës.
Një rit i tillë varrimi duket në fillim të epokës së bronxit edhe në vise të tjera të Ballkanit dhe mendohet se pozicioni fillestar i kufomës ka qenë me këmbë të mbledhura me gjunjët lart.9
c) I vendosur në shpinë me këmbë të shtrira, me duar të vendosura gjatë trupit ose mbi bark. Kjo mënyrë varrimi është konstatuar në të gjitha tumat që janë zbuluar në vendin tonë, kryesisht në varre të periudhës së hekurit. Zakonisht çdo varr përmbante një skelet, por nuk mungojnë edhe rastet kur në të njëjtin varr u gjetën dy skelete së bashku. Vendosja e kufomave në këto varre përbri njëri tjetrit e në të njëjtin nivel tregon se këto varre janë të njëkohshme.
Në varrin 79 u gjetën dy skelete të vendosura pjesërisht njëri mbi tjetrin (koka e skeletit të sipërm ishte vendosur mbi basenin e skeletit të poshtëm). Mbasi u hoq skeleti i sipërm u vu re se tibialet e skeletit të poshtëm ishin vendosur përmbi femuret. Në këtë rast mendojmë se kemi të bëjmë me dy varre të veçanta, prandaj dhe i emërtuam 79 dhe 79a. Skeleti i varrit të fundit duhet të jetë dëmtuar pjesërisht nga hapja e gropës së varrit 79 që ndodhej mbi të.
Renditja e varreve brenda në tumë dëshmon se orientimi i tyre nuk ishte i njëjtë: mbizotëron vendosja e kufomave me kokë nga veriperëndimi e jugperëndimi
Varrimi me djegie të trupit
Kjo mënyrë varrimi është përdorur shumë rrallë. Gjithsej numërohen 18 varre me djegie. Nga vrojtimet rezulton se djegia, duhet të jetë kryer jashtë vendit të varrimit, meqënëse gjatë gërmimit në tumë nuk ndeshëm në asnjë gjurmë djegieje. Varrimi me djegie është bërë me urna dhe me gropë dheu.
Ky rit varrimi në vendin tonë njihet që nga koha e bronxit të mesëm.10 Në tumën II është përdorur vetëm riti i varrimit me vendosje të trupit në dy pozicione: a) i mbështetur në njërin krah me duar e këmbë të mbledhura b) në shpinë, me këmbë të shtrira dhe të dyja të vendosura mbi bark. Skeletet me këmbë të mbledhura ishin pothuajse të dekompozuara, ndërsa ato me këmbë të shtrira ruheshin në gjendje më të mirë e në disa raste krejtësisht të plota. Lidhur me kultin e të vdekurve dhe me ceremoninë që zhvillohej në lidhje me këtë, materiali arkeologjik na jep pak të dhëna.
Askund nuk u konstatuan mbeturina eshtrash të kafshëve, dëshmuese të ndonjë flijimi ndaj të vdekurit. Numri i madh i fragmeteve të enëve të thyera që gjendeshin jashtë varreve, na lejon të supozojmë se duhet të jetë kryer ndonjë ceremoni mortore ndaj të vdekurit. Këto enë mbas varrosjes thyeshin dhe hidheshin jashtë varrit, zakon varrimi ky i njohur tek ilirët.
Prania e fragmenteve të shumta të zbuluara në dheun e hedhur të tumës, nuk përjashton edhe mundësinë tjetër që ky dhé të jetë marrë nga ndonjë vendbanim, i cili duhet të ketë ekzistuar diku aty pranë tumave.
Literatura
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]1. F. Prendi, La civilisation préhistorique de Maliq, “SA”, I, 1966, f. 280; Po ai, Neoliti dhe eneoliti në Shqipëri, “Iliria” VI, 1976, f. 39, M. Korkuti – Zh. Andrea, Stacioni i neolitit të mesëm në Cakran të Fierit, “Iliria” III, 1974, f. 57, fig. 10. 2. S. Islami – H. Ceka, Të dhëna të reja mbi lashtësinë ilire në territorin e Shqipërisë, “KISA”, 1965, f. 447, Tab. VI, 4. 3. M. Korkuti, Tuma e Patosit, “Iliria” 1981, 1, f. 10, fig. 3. 4. N. Ceka, Gërmimi i një tume në Dukat, “Iliria” III, 1974, f. 140, Tab. VII, varri 20, 21. 5. F. Prendi, Tumat në fushën e fshatit Vajzë (Vlorë), “BSHSH” 2, 1957, f. 83, 100. 6. N. Bodinaku, Kërkime arkeologjike në rrethin e Përmetit, “Iliria” 1981, 2, f. 249, fig. 2. 7. N. Ceka, vep. cit., Tab. VII, varri 11, 12, 13, 14, 22. 8. N. Bodinaku, vep. cit., f. 249.