Turizmi në Dumre

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Pamje e liqenit të Degës në Dumre

Pllaja e Dumresë është një territor i ndodhur në pjesën qëndrore të vendit tonë, që kufizohet në pjesën veriore me rrjedhën e mesme të lumit Shkumbin, në pjesën jugore me lumin Devoll, në lindje me qytetin e Cërrikut, ndërsa në pjesën perëndimore me fushën e Myzeqesë. Pllaja e Dumresë ka një shtrirje nga jugu në veri prej 24 km, ndërsa nga lindja në perëndim është 16 km, duke arritur në një sipërfaqe totale prej 196 km2, nga të cilat rreth 5% e sipërfaqes janë sipërfaqe ujore[1]. Dumrea ka një popullsi prej rreth 32,389 banorësh dhe një dendësi të lartë prej 168.8b/km2, pra më e madhe edhe se mesatarja e Shqipërisë[2]. Elementi më i veçantë i pllajës së Dumresë është prania e 84 liqeneve, të cilët kanë origjinë karstike.  

Pllaja e Dumresë në territorin e saj mbart potenciale të shumta natyrore në funksion të zhvillimit të turizmit, sidomos liqenet e shumta dhe bukuritë e peisazhit gjeografik. Dumrea po orientohet gjithnjë e më shumë drejt turizmit të qëndrueshëm, si një turizëm që promovon resurset lokale duke respektuar njëkohësisht ekuilibrat e brishtë mjedisorë.

Turizmi i qëndrueshëm është një mënyrë e zhvillimit të turizmit tërësisht “miqësore me natyrën”, duke patur në fokus të saj ruajtjen dhe promovimin e potencialeve dhe resurseve natyrore. Me turizëm të qëndrueshëm, sipas Organizatës Botërore të Turizmit (WTO), do të kuptojmë; “zhvillimin e çdo aktiviteti turistik që respekton dhe mbron për periudha afatgjata burimet natyrore dhe kulturore, dhe që kontribuon në mënyrë pozitive dhe të barabartë në zhvillimin social dhe ekonomik të këtyre hapësirave gjeografike”. Zhvillimi i turizmit të qëndrueshëm kontribuon në rritjen e ndërgjegjësimit për vlerat e natyrës dhe nxit mbështetjen publike për ruajtjen e këtyre sistemeve natyrore. Turizmi mund të jetë gjithashtu një mekanizëm novator, me efekte pozitive në zbutjen e varfërisë dhe të problemeve ekonomike për komunitetet që jetojnë pranë zonave turistike. Rritja e turizmit të qëndrueshëm sot nuk pasqyron vetëm realitetet mjedisore, por edhe një dëshirë nga vetë turistët për të përqafuar format e reja të turizmit.

Pllaja e Dumresë karakterizohet nga një larmishmëri e resursesh natyrore dhe kulturore, të cilat krijojnë premisat bazë për zhvillimin e turizmit e sidomos turizmit të qëndrueshëm në këtë hapësirë gjeografike. Këto potenciale krijojnë mundësinë e zhvillimit të disa llojeve të turizmit, si; turizmi natyror, rural, liqenor, i aventurës, agroturizmi, ekoturizmi etj. të cilat duhet të shfrytëzohen në të mirë të ekonomive lokale, të punësimit dhe të të ardhurave të zonës, por gjithnjë pa cënuar mjedisin dhe pa kompromentuar aftësinë e territorit për të përmbushur nevojat edhe për brezat në vazhdim.

Zhvillim i qëndrueshëm i turizmit në pllajën e Dumresë do të thotë shfrytëzim i potencialeve natyrore dhe kulturore, në funksion të menaxhimit të qëndrueshëm dhe afatgjatë të territorit, duke i rezistuar konkurencës që ky sektor ka, në nivel lokal, rajonal, kombëtar e më gjerë. Këtu qëndron edhe fokusi kryesor i planeve dhe strategjive të zhvillimit për pllajën e Dumresë, që lidhet pikërisht me zhvillimin e turizmit në format më “miqësore” me mjedisin dhe natyrën.


[1] Skënder Sala, Perikli Qiriazi, 2007, Banorët dhe Mjedisi në Pllajën e Dumresë, Ideart, faqe 9

[2] INSTAT, Censusi 2011

[1]

[2]

[3]

  1. ^ Bashkia Belsh, Faqja zyrtare
  2. ^ INSTAT, Censusi 2011
  3. ^ Sala Skënder, Qiriazi Perikli, 2007, Banorët dhe Mjedisi në Pllajën e Dumresë, Ideart