Turizmi në Shkodër

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Jump to navigation Jump to search

Olistolitet e Kodrës së Tepes[redakto | përpunoni burim]

Gjendën në kodrat Tepes pranë Shkodrës. Janë dy blloqe gëlqerore të zonës tektonike të alpeve, të vendosura mbi flishin paleologjenik (1200m2), 10 – 15 m lartësi. Vizitohen lehtë sipas rrugës për në kalanë e Rozafës.

Mbihipja tektonike e Shirokës[redakto | përpunoni burim]

Ndodhet pranë fshatit Shirokë, ku Taraboshi (zona tektonike e Alpeve) ka mbihipur mbi flishin paleogjenit të Krastë – Cukalit. Vizitohet sipas itinerarit Shkodër – Ura e Bunës – Shirokë.

Fragmenti i thyrjes tektonike Shkodër – Pejë (Karmë)[redakto | përpunoni burim]

Është ndër thyerjet më të mëdha tektonike në truallin shqiptar, nga Shkodra në Pejë (Kosovë). Sipas saj bëhet kontakti tektonik i ofioliteve të Mirditës me flisjin e Krastë – Cukalit. Riaktivizimi i saj sjell tërmete. Shprehja më e qartë është në fshatin Karm të Pukës. Vizitohet sipas rrugës automobilistike Vau i Dejës – Koman.

Blloku Gravitativ i Gurit të Zi[redakto | përpunoni burim]

Ndodhet pranë fshatit Gur i Zi, rreth 42 m mbi nivelin e detit. Përfaqëson shkëmb magmatik mes flishit, të ardhur nga sipër shpatit, me formë të përzgjatur 100 – 120 m, gjerësi 20 – 30 m lartësi 8 – 10 m. Vizitohet sipas rrugës Shkodër – Guri i Zi.

Ujëvara e Thethit[redakto | përpunoni burim]

Ndodhet në fshatin Theth, komuna Shalë, 900 m mbi nivelin e detit. Ujëvara 30 m e lartë, me pamje mahnitëse. Vizitohet me rrugën Koplik – Theth.

Rasa e Palajve[redakto | përpunoni burim]

Gjendet pranë fshatit Palaj, komuna Shosh. Përfaqëson rrëpirë shkëmbore gëlqerore të shkallëzuar, me gjatësi rreth 1 km, lartësi mbi 200m, me zgavra e guva karstike. Vizitohet sipas rrugës rurale Shkodër – Shosh – Palaj.

Guri i Lekës[redakto | përpunoni burim]

Gjendet pranë fshatit Malagji, komuna Temal, rreth 1200 m mbi nivelin e detit. Përfaqëson kreshtë dhe një greminë gëlqerore me gjatësi mbi 900 m e lartësi disa qindra metra. Vizitohet sipas rrugës rurale Shkodër – Shosh – Malagji.

Shpella e Gjeçovit[redakto | përpunoni burim]

Ndodhet afër fshatit Gomsiqe, në 450 m mbi nivelin e detit. E formuar nga karsti në gëlqeroret e trias – jures, është e gjatë 35 m, e gjerë 5 –6 m, e lartë 8 – 10 m, me konkrecione. Legjenda e lidh atë me At Shtjefen Gjeçovin. Vizitohet sipas rrugës Shkodër Gomsiqe.

Portat e Shalës[redakto | përpunoni burim]

Gjendet në fshatin Breglum, komuna Shalë. Përfaqëson grykë lumore në formën e kanionit, të formuar nga lumi i Shalës në shkëmb gëlqeror paleozoikë. Ka gjatësi 50 m, gjerësi 20 – 25 m, thellësi mbi 200 m. Vizitohet sipas rrugës rurale Shkodër - Theth – Breg Lumi.

Shpella e Thethit[redakto | përpunoni burim]

Gjendet pranë fshatit Theth, komuna Shalë, 900 m mbi nivelin e detit. Është shpellë karstike në gëlqeroret e trias – jures, e gjatë mbi 150 m, me ngushtime e zgjerime, degëzime, puse e mikroforma tërheqëse. Vizitohet sipas rrugës rurale Koplik – Theth.

Shpella e Gajtanit[redakto | përpunoni burim]

Gjendet pranë fshatit Gajtan, komuna Gur i Zi. E formuar nga karsti në gëlqeroret e trias – jures, fillon me pus karstik. Pranë është një vendbanim i fortifikuar ilir i kohës së hekurit. Vizitohet sipas rrugës rurale Shkoder – Gur i Zi – Gajtan dhe rruga këmbësore.

Pragu i Kapreit[redakto | përpunoni burim]

Ndodhet në afërsi të fshatit Ndërlysaj, komuna Shalë, 900 m i thellë. Përfaqëson bllok gëlqeror të prerë nga lumi i Kapreit (degë e lumit të Thethit). Ështe i gjatë 900 m, 4 m i gjerë dhe 6 m i thellë. Vizitohet sipas rrugës rurale Koplik – Theth – Breglum.

Shpella e Jubanit[redakto | përpunoni burim]

Ndodhet rreth 300 m afer fshatit Juban, komuna Vau i Dejës. E formuar nga karsti në gëlqeroret e trias - jures, me degëzime ende të panjohura. Galeria kryesore është mbi 100 m. Ka disa zgjerime e mikroforma tërheqëse. Vizitohet me rrugën Shkoder – Gur i Zi – Juban – rruga këmbësore mali i Sheldisë.

Cirku i Gropës së Bukur së Jezercës[redakto | përpunoni burim]

Njihet edhe me emrin Gropa e Jezercës. Gjendet pranë fshatit Theth, komuna Shalë. Përfaqëson gropë glacio – karstike në cirk akullnajor (gjatësia mbi 1,5 km). Ka depozitim morenikë dhe 4 – 5 liqene të vegjël akullnajorë. Vizitohet sipas rrugës Koplik – Theth – rruga këmbësore.

Burimet e Shtarzës[redakto | përpunoni burim]

Ndodhet afër fshatit Theth, komuna Shalë, 900 m mbi nivelin e detit. Burimi karstik del në brekçë, ku zë fill lumi i Thethit. Vizitohet sipas rrugës rurale Koplik – Theth.

Liqeni i Jezerces[redakto | përpunoni burim]

Gjendet në cirk akullnajor të bllokut të Jezercës, rreth 20 ha, me ujë të pastër si kristali që ngrin në sipërfaqe gjatë dimrit. Bota e gjallë është e larmishme. Formon ekosistem të liqeneve alpine. Vizitohet sipas rrugës Shkodër – Theth – rruga këmbësore tek liqeni.

Pisha Flamur e Qafës së Pejës[redakto | përpunoni burim]

Ndodhet në Qafën e Pejës, 1700 m mbi nivelin e detit. Përbën dru 200 vjeçar me kurorë në formën e flamurit, me lartësi 20 m dhe diametër trungu 1,6 m. Vizitohet sipas rrugës rurale Skodër – Theth – rruga këmbësore.

Ura shkëmbore e Markzagorës[redakto | përpunoni burim]

Ndodhet afër fshatit Zagorë, 400 m mbi nivelin e detit. Përfaqëson gur gëlqeror me formën e urës, të formuar nga karsti. Është i gjatë 10 m, 5 m i gjere e 3 m i larte. Vizitohet me rrugën Shkodër – Prekal.

Burimet e Okolit – Thethit[redakto | përpunoni burim]

Gjenden në fshatin Theth (Nikgjonaj), komuna Shalë, pranë shtratit të lumit Theth, rreth 900 m mbi nivelin e detit. Burimi karstik del në kontaktin gëlqeror – rreshpë, me gjatësi rreth 20 m. Vizitohet sipas rrugës Koplik – Theth.

Shpella e Majës së Arapit[redakto | përpunoni burim]

Gjendet 840 m mbi nivelin e detit, pranë majës së Harapit, në afërsi të Thethit, komuna Shalë. E formuar nga karsti në gelqerorët e trias – jures, është e gjatë 3 km, ndërsa gjerësia e lartesia deri në 20 – 30 m, me puse uji, sifonë e mikroforma karstike. Vizitohet me rrugën Koplik – Theth – Okol – Kroi i Shtrazës – Maja e Harapit.

Gështenja e Mgullit (Pult)[redakto | përpunoni burim]

Ndodhet në Pult, 700 m mbi nivelin e detit. Përbën dru me kurorë piramidale, lartësi 20 m, diametër të trungut 1,1 m dhe moshë mbi 180 vjet. Vizitohet sipas rrugës Shkodër – Pult.

Bliret në Lesniqe[redakto | përpunoni burim]

Ndodhen afër fshatit Lesniqe, në stanet e Bratit, 1000 m mbi nivelin e detit. Janë grup drurësh me lartësi 20 m, diameter trungu 1,6 m dhe moshë mbi 120 vjet. Vizitohet sipas rrugës Shkodër – Lesniqe.

Kanioni i urës së Shtrenjtë[redakto | përpunoni burim]

Gjendet pranë fshatit Ura e Shtrenjtë, komuna Postribë, 120 m mbi nivelin e detit. I formar nga gëlqerorët nga lumi i Kirit, është i gjatë 700 – 800 m, i thellë 5 – 6m dhe i gjerë rreth 2– 4 m. Këtu është ura e Kirit që lidh Shkodrën me Prekalin. Vizitohet me rrugën Shkodër – Prekal.

Shpella e Zhylës[redakto | përpunoni burim]

Ndodhet pranë fshatit Prekal të Shkodrës, rreth 400 m mbi nivelin e detit. Është shpellë karstike në gëlqerorë, e gjatë 104 m, me galeri e zgjerime. Vizitohet sipas rrugës rurale Shkodër – Prekal.

Shpella e Melagjisë[redakto | përpunoni burim]

Gjendet afër fshatit Malagji të Shkodrës (mali i Cukalit), 1300 m mbi nivelin e detit. E formuar nga karsti në gëlqerorë, është 180 m e gjatë, me disa galeri, zgjerime dhe puse të thellë; liqene të vegjël dhe konkrecione. Vizitohet sipas rrugës Shkodër – Prekal – rruga këmbësore në Cukal.

Shpella e Muriqit[redakto | përpunoni burim]

Ndodhet afër fshatit Bratosh të Shkodrës, 1567 m mbi nivelin e detit. Është formuar nga karsti në gëlqerorë, 177 m e gjatë, 10 – 15 m e gjerë dhe 4 – 6 m e lartë. Ka tri zgjerime që lidhen me galeri e konkrecione. Vizitohet sipas rrugës rurale Shkodër – Prekal – rruga këmbësore në Cukal.

Kanioni i Grunasit[redakto | përpunoni burim]

Gjendet në fshatin Theth, komuna Shalë, 700 m mbi nivelin e detit. I formuar nga lumi i Thethit dhe nga karsti në shkëmbinjtë gëlqerorë, është i gjatë rreth 1,8 km, i thellë 40 – 60 m dhe i gjerë rreth 4 – 6 m. Vizitohet sipas rrugës rurale Shkodër – Breglum.

Kërleka e Kakisë[redakto | përpunoni burim]

Gjendet në fshatin e Lekaj, komuna Shalë, 1900 m mbi nivelin e detit. Jane grup drurësh kërlekë (Pinus mugus), bimë relikte e akullzimit kuaternar, me areal 1200 m të gjatë dhe 1000 m të gjerë. Drurët janë të lartë deri 2 m, me perimetër trungu 20 – 35 cm dhe moshë 100 – 120 vjet. Vizitohet sipas rrugës Shkodër – Breglum – rruga këmbësore mali i Kakisë.

Shpella e Liqethit Cukal[redakto | përpunoni burim]

Ndodhet në malin e Cukalit, 1200 m mbi nivelin e detit. E formuar nga karsti në gëlqerorët e kretës, është e gjatë 75 m, e gjerë 10 – 12 m dhe e lartë 26 – 31 m. Shpella ka konkrecine të shumta. Vizitohet sipas rrugës rurale Shkodër – Prekal – Cukal.

Burimet e Kirit[redakto | përpunoni burim]

Gjenden afër fshatit Kir, komuna Pult, 400 m mbi nivelin e detit. Burim karstik i tipit vokluzian në kontaktin tektoniko – litologjik gëlqerorë – flish. Uji i tij del gjatë një vije mbi 800 m. Prurja e tyre arrin mbi 600 l/sek. Këtu zë fill lumi i Kirit. Vizitohet sipas rrugës Shkodër –Kir.

Habitati i Salamandrës Alpine[redakto | përpunoni burim]

Gjendet në veriperëndim të bllokut malor të kakisë (Bjeshka e Madhe), 1500 – 2000 m mbi nvelin e detit. Salamandrat janë zvarranikë me gjatësi 12 – 15 cm, të ngjashme me hardhucat, por me ngjyra karakteristike. Vizitohet sipas rruges Shkodër - Breglum – rruga këmbësore mali i Kakisë.

Shpella e Kataraktit[redakto | përpunoni burim]

Gjendet afër fshatit Theth, 870 m mbi nivelin e detit. Njihet edhe me emrat “Ku thyen uji qafën”, “Ujëvara e Grunasit” dhe “Shpella e Ujit”. Është shpellë karstike në gëlqerore, 170 m e gjatë, me galeri, puse, zgjerime e ngushtime, sifone me ujë. Vizitohet sipas rrugës Koplik – Theth – monumenti.

Fusha e Liqethit[redakto | përpunoni burim]

Ndodhet në malin e Cukalit, 1200 m mbi nivelin e detit, pranë fshatit Lekgegaj, komuna Shllak. Përfaqëson gropë glacio – karstike në kryqëzimin e shkëputjeve tektonike. Është e gjatë 1,3 km, e gjerë 800 – 100 m. Ka disa forma të vogla karstike, cakullina, bimësi barishtore dhe një liqen të vogël gjatë shkrirjes së borës. Vizitohet sipas rrugës rurale Shkodër – Cukal.

Pylli i ishullit të Franc Jozefit[redakto | përpunoni burim]

Gjendet në delten e Bunës, afër fshatit Velipojë, 1,2 m mbi niveline detit. I vendosur në ishullin me të njëjtin emër (4,5 ha), përbëhet nga plep, verri dhe fletore të tjerë dhe rrënjë (dushk në rrezik zhdukje), me lartësi 12 – 16 m, diameter të trungut 30 – 40 cm, moshë 70 – 75 vjet. Përben mjedis për folenizimin e shpendëve ujore. Vizitohet sipas rrugës Shkodër – Velipojë – grykëderdhja e Bunës.

Lisat e Minaqit (Domne)[redakto | përpunoni burim]

Ndodhen në afërsi të fshatit Domen, në stanet e bratit, 1000 m mbi nivelin e detit. Përbën grup lisash 100 vjeçarë, me lartësi 25 m, diametër të trungut 1 m. Vizitohen sipas rrugës Shkodër – Domen.

Rrepet e Vorrezave të Ramajt[redakto | përpunoni burim]

Ndodhen në varrezat e Ramajve të qytetit të Shkodrës, 10 m mbi nivelin e detit. Jane disa drurë me lartësi 25 – 30 m, diameter të trungut 1,5 – 2 m, perimetër rreth 6 –7 m, ndërsa i kurorës mbi 30 – 40 m.

Çinari i Hoxhë Dheut[redakto | përpunoni burim]

Ndodhet në qytetin e Shkodrës. Përben dru rrapi 140 vjecar. “Hoxhë Dheu”, ishte titulli që mbante pajtuesi i gjaqeve. I pari i familjes Hoxha, pas thirrjes së Çinarit, porositi mikun nga Postriba që t’i sillte një fidan dhe e mbolli.

Çinari i Tophanës[redakto | përpunoni burim]

Ndodhet në qytetin e Shkodrës. Përbën dru rrapi, mbi 150 vjecar, që ka qënë pikë takimi e i kuvendeve për banorët. Kënga popullore thotë: “hajde t’mblidhemi tek Çinari/ me Ndocjan e me Tophanë/ mos ta lajmë na Tarboshin/ i biri i shkjëut t’ua shkelë me kamë”.

Rrapi i T’planës[redakto | përpunoni burim]

Gjendet afër fshatit T’plan, komuna Shalë, 800 m mbi nivelin e detit. Përbën dru 200 vjecar, me lartësi 20 m, trashësi trungu 90 – 100 cm e perimetër 3,5 m. Vizitohet sipas rrugës rurale Koplik – Theth – T’plan