Jump to content

Turizmi në Parkun Kombëtar (PK) Divjakë-Karavasta

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Turizmi në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta ka filluar të zhvillohet shumë vonë. Në fillimet e shek. XIX deri në vitin 1945 nuk mund të pretendohej për një zhvillim të mirëfilltë të turizmit, jo vetëm në këtë zonë, por në të gjithë Shqipërinë, për shkak të gjendjes ekonomike të vendit dhe të luftrave në të cilat u përfshi Shqipëria.

Mbarimi i Luftës së Dytë Botërore dhe krijimi i kushteve të reja ekonomike ishin premisa pozitive për zhvillimin e turizmit, por si rezultat i një politike vetizoluese gjatë viteve të sistemit socialist, turizmi nuk u zhvillua sipas potencialeve që zona ofronte. Investimet kryesore në zonë në periudhën 1945-1990 ishin: ndërtesa e Kampit të Pushimit të Punëtorëve me rreth 80 dhoma dhe rreth 200 shtretër, si dhe një sistem kabinash e tendash pushimi me rreth 400 shtretër.

Pas vitit 1990, si rrjedhojë e ndryshimeve politike dhe ekonomike të ndodhura në vendin tonë, Divjaka filloi të vizitohej nga në numër më i lartë turistësh, si vendas, ashtu edhe të huaj të ardhur kryesisht nga Kanadaja, Finlanda, Gjermania, Hungaria, Maqedonia e Veriut, Italia etj.

Atualisht, një pjesë e ndërtimeve nga periudha komuniste kanë dalë jashtë fukskionit të tyre, një pjesë janë përshtatur dhe modernizuar (rasti i ish-Kampit të punëtorëve dhe disa kabinave), ndërsa një pjesë është prishur tërësisht (si p.sh hapësira për vendosjen e tendave të pushimit). Ndërkohë janë shtuar edhe ndërtesa të reja si: hotele, restorante, kabina pushimi etj. por kapaciteti i këtyre objekteve është shumë herë më i vogël se kapaciteti i përgjithshëm i kësaj zone, pasi numri më i madh i turistëve është instaluar nëpër shtëpitë e banorëve të Divjakës. Kjo lidhet dhe me zhvillimin e turizmit familjar.

Llojet e turizmit që praktikohen më shumë në PK Divjakë-Karavasta

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Pasuritë e shumta klimatike, ujore, të faunës e të florës të PK Divjakë-Karavasta kanë bërë që ajo të jetë një zonë mjaft e preferuar për turistët balnearë. Zona karakterizohet nga një periudhë e gjatë e ditëve me diell dhe të kthjellta. Gjatë periudhës turistike, temperatura e ujit ka vlera të larta 23,4°C-25,1°C. Këto karakteristika të klimës janë në vlerat e tyre optimale në periudhën midis fundit të majit dhe fillimit të tetorit, kur është edhe sezoni turistik. Pikun e tyre turistët e arrijnë në muajt korrik-gusht. Turizmi balnear në Divjakë është i organizuar kryesisht në formën e turizmit ditor.

Një lloj tjetër turizmi i praktikuar në PK Divjakë-Karavasta dhe pothuajse i pandashëm nga ai balnear, është turizmi kurativ. Pasuritë kurative të klimës bregdetare evidentohen në shumë studime. Klima detare ndikon në organizmin e njeriut në shërimin ose kurimin e sëmundjeve të tilla si: reumatizma (banjo rëre e dielli), sëmundje të lëkurës apo anemi, stimulon disa funksione fiziologjike, si: të frymëmarrjes, të sistemit tretës, shtimi i rruazave të kuqe, si dhe ndikon në sistemin nervor me anë të faktorit kimik të ujit. Plazhi i Divjakës është i pasur me jod dhe ndikon në kurimin e personave që kanë probleme me gjendrat tiroide dhe mungesë jodi.  

Turizmi sportiv është një nga llojet e turizmit të praktikuar pothuajse spontanisht në plazhin e Divjakës. Sportet kryesore që praktikohen në Divjakë janë kryesisht sportet në rërë, në ujë, si dhe peshkimi e gjuetia. Nga sportet e rërës, praktikohet volejboll në rërë, futboll, vrapim pranë bregut etj. Ndër sportet e ujit përmendim notin (sporti më masiv dhe më spontan), shëtitje me varka të vogla, zhytje (në masë shumë të vogël), peshkim etj.

Turizmi vizitues (natyror dhe kulturor)

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Me interes të veçantë vizitues është peisazhi i pasur natyror, mozaiku i mjediseve natyrore të Parkut Kombëtar të Divjakës, vrojtimi i zogjve, pylli me pisha të buta, moçalet e kripura përreth, shëtitjet me varka pranë ishujve të pelikanëve, si dhe mjediset bregdetare ndërmjet detit Adriatik dhe lagunës së Karavastasë.

Pozita e favorshme gjeografike i ka siguruar dhe vazhdon t’i sigurojë asaj një vend të rëndësishëm në lidhje me vatrat kryesore të kulturës në Shqipëri dhe prej saj mund të vizitohen lehtësisht Kisha Bizantine e Karavastasë së Re, Apollonia, Berati etj.  

Zhvillimi i këtij turizmi tashmë është kthyer në një traditë dhe lidhet me krijimin e mundësive për të pritur turistët, ruajtjen dhe kultivimin e traditave në gastronomi, në mikpritje etj. Banorët e zonës vënë në dispozicion të turistëve të gjithë vendbanimin e tyre ose një pjesë të tij. Për vetë kushtet që zotëron, infrastrukturën më të zhvilluar, afërsinë me plazhin etj, ky tip turizmi është praktikuar më tepër në qytetin e Divjakës dhe më pak në fshatrat përreth.

PK Divjakë – Karavasta ka qenë gjithmonë në vëmendjen dhe itineraret shkencore të studiuesve vendas dhe të huaj. Përfshirja e Lagunës së Karavastasë dhe e tokave të lagura përreth saj në Konventën e Ramsarit, ka shtuar më shumë interesin e studiuesve për këtë zonë. PK Divjakë – Karavasta ofron kushte për kërkime në fusha të ndryshme si: për studiuesit e florës dhe faunës, të llojeve të ndryshme të shpendëve dhe sidomos të specieve të rralla dhe në zhdukje, siç është pelikani kaçurrel, të peshqeve, për gjeomorfologët për studimin e lagunës dhe evolucionit të saj etj.

Pasuritë e rralla të peisazheve piktoreske të PK Divjakë-Karavasta nuk mund të kalojnë pa u vënë re nga syri kërkues i artistit. Pylli i Divjakës është trajtuar gjerësisht në tablotë e shumë piktorëve, jo vetëm me origjinë lushnjare, por edhe nga qytete të tjera. Gjithashtu kjo zonë është trajtuar edhe në letërsi dhe kinematografi. Herë pas here organizohen edhe punë në grup të artistëve të cilët shëtitin në kërkim të peisazheve për t’i pikturuar. Disa nga piktorët e shquar shqiptarë që kanë pikturuar në pyllin e Divjakës janë: Sali Shijaku, Kujtim Buza, Lec Shkreli, Besim Golemi etj.

[1]

[2]

[3]

[4]

[5]

  1. ^ Disertacion S. Papathimiu “Bashkia Divjakë-Komuna Qendër. Veçori të zhvillimit demo-social, ekonomik dhe mjedisor (analizë krahasuese)”, 2011
  2. ^ PHARE: Eko udhëzues. Laguna e Karavastasë, 1998
  3. ^ Ramsar Convention (www.ramsarconvention.google.com)
  4. ^ Instituti Hidrometeorologjik: Klima e Shqipërisë
  5. ^ Akademia e Shkencave, QSGJ: Gjeomorfologjia e aplikuar, mjedisi dhe turizmi bregdetar në Shqipëri, Tiranë 1998