Jump to content

Uzina e Përpunimit të Thellë të Naftës, Ballsh

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Uzina e Përpunimit të Thellë të Naftës, Ballsh uzinë e industrisë së rëndë shqiptare, që u vu në shfrytëzim më 1978. Përpunon një pjesë të madhe të naftës që nxirret në vend dhe bën përpunimin e mëtejshëm të gjithë karburanteve që prodhohen në uzinat e qytetit Kuçovë, Cërrikut dhe Fierit. Duke u mbështetur në metodat fizike dhe kimike siguron marrjen e më shumë karburantëve nga naftat, sidomos nga ato të rëndat, dhe përmirëson cilësitë e tyre duke larguar squfurin dhe duke rritur karakteristikat energjetike. Uzina përbëhet nga 10 impiante prodhimi. Në impiantin e kokzimit të ngadalshëm në temp. 500° merren më shumë nënprodukte të lehta (gaz, benzinë, gazoil etj.) nga mbetjet e rënda të distilimit parësor të naftës (mazutet), kurse në impiantin e hidropastrimit bëhet pastrimi me hidrogjen i gjithë karburanteve nga përbërësit e padëshirueshëm (squfur, azot, oksigjen). Impiante të rëndësishme në përbërjen e uzinës janë ai i platformimit icu benzinës së hidropastruar i përmirësohen karakteristikat energjetike (rritet numri i oktanit) dhe ai i krekingut katalitik, ku gazoili shndërrohet në benzinë me numër oktani të lartë dhe gaz me përmbajtje të lartë hidrokarburesh të pangopura. Uzina prodhon mbi 20 produkte të gatshme si gaz të thatë, gaz të lëngët, tretësa, benzinë, vajgure, gazoile, vaj solar, kok nafte, dhe disa lëndë të para për industrinë kimike (benzen, toluen, ksilen, squfur, sulfur natriumi, përzierje hidrokarburesh të pangopura në gjendje të gaztë) etj.