Jump to content

Uzina e Radio - Televizorëve

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Uzina e Radio - Televizorëve (URT) në Durrës ishte uzinë për prodhime elektronike të konsumit të gjerë dhe për sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Ka filluar punën në vitin 1963 si një repart më vete i UEM-it (Uzina Elektro-Mekanike) dhe u nda si uzinë më vete në vitet 1973-1974. Qysh në 1965 ka fillluar montimi i radiove dhe televizorëve, ndërsa më 1969 u vu në punë linja për prodhimin e televizorëve bardhezi, duke i importuar pjesët. Me kalimin e viteve u plotësuan disa linja prodhimi me teknologji të përparuar, si ato të përpunimit të qarqeve të stampuara, prodhimit të kasetave, si dhe për një varg detalesh metalike dhe plastike. Në vitet 1980 veprimtaria e uzinës u zgjerua duke hedhur hapa në prodhimin eksperimental të televizorëve me ngjyra (“Blaupunkt”) dhe të disa pajisjeve elektronike për automatizimin në proceset industriale. Në rreth 20 vjet të veprimtarisë së saj u prodhuan disa dhjetëra tipe radiosh, televizorësh, magnetofonësh, stabilizatorësh e aparatesh të tjera matjeje, kontrolli, komandimi etj. duke plotësuar gjerësisht nevojat e vendit. Në vitet 1990 uzina u mbyll për shkak të konkurrencës nga prodhimet e importit. (Sipas Fjalorit Enciklopedik Shqiptar, botim i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, Tiranë 2009).