Varfëria në Shqipëri
Varfëria është një koncept i cili shprehet në mënyrë sasiore bazuar në treguesit e të ardhurave për frymë dhe në aftësinë e individëve për të përmbushur nevojat jetësore bazë.
Treguesit më të rëndësishëm të nivelit të varfërisë janë: përqindja e popullsisë që jeton në varfëri absolute (e përcaktuar në Shqipëri si numri i personave me konsum mujor real nën 4,891 lek), dhe përqindja e popullsisë që jeton në varfëri ekstreme (e përcaktuar si numri i personave që kanë vështirësi në përmbushjen e nevojave bazë.
Metodologjia që është përdorur për llogaritjen e këtyre shifrave bazohet në vrojtime të kryera në familjet shqiptare gjatë periudhave qershor 2002, korrik 2005 dhe gusht 2008 nga një projekt i INSTAT, Bankës Botërore dhe UNDP.
Bazuar në dhënat e vrojtimeve, rezulton se në 2008, rreth 12.4% e popullsisë jetonte në varfëri absolute (rreth 373,137 persona), nga 25.4% në vitin 2002 (rreth 813,196 persona).
Shqipëria është ende kombi më i varfër i Evropës. Varfëria në Shqipëri u përshpejtua me krizën ekonomike të vitit 1997. Pjesa më e madhe e varfërisë në Shqipëri konsiderohet e thellë, ku të ardhurat janë nën standardet minimale të pranueshme. Shumica e njerëzve që jetojnë në nivele të varfërisë absolute ndodhen në zonat rurale.
Varfëria është më e lartë në zonat rurale dhe veçanërisht në zonat malore. Zonat urbane janë më të zhvilluara se zonat rurale. Në vitet e fundit, Shqipëria shënon mesatarisht 20% të popullsisë që jeton në nivele të varfërisë absolute.