Jump to content

Vendbanimi i fortifikuar i Karosit

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Vendbanimi i fortifikuar i Karosit ndodhet 490 m mbi nivelin e detit në një kreshtë me kah veri-jug përgjatë luginës së lumit Qeparoi. Pllaja e kodrës së fshatit Qeparo është 1 km e gjatë dhe vazhdon përgjatë shpatit perëndimor. Shpati ka një kreshtë të thepisur në anët veriore, perëndimore me pamje nga lugina e lumit dhe përgjatë bregut verior. Në faqen lindore shpati është i butë dhe këtu është përqëndruar vendbanimi kryesor.

Linja kryesore e mbrojtjes ndjek konturet natyrore dhe ka një hyrje (1,8 m gjerësi) të pozicionuar në qendër me faqe nga lindja. Ky mur është 340 m i gjatë dhe 3 m i gjerë. Lartësia më e madhe e ruajtur është 1,5 m. Mbas hyrjes janë shtuar dy linja mbrojtjeje për ta riforcuar. Materialet e grumbulluara nga gërmimi japin një datim të gjerë duke filluar me fazën e parë të banimit të datuar në Periudhën e Hekurit të Hershëm dhe vazhdon deri në shekullin e 4-të pas Kr.