Jump to content

Vezët e thëllëzave

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

"Vezët e thëllëzave" roman me Autor Rudi Erebara. Shtëpia botuese "Pika pa sipërfaqe", mars 2010. Faqe 338. ISBN 978-99956-824-9-1

Ne dolëm të shohim se çfarë po i bënin. Ata e rrahën në kuvertë. Kryetari bërtiste më fal, ose për ne, ose për Gencin. Askush nuk ndërhyri t’i ndalë. E shkelën me këmbë tre a katër njëherësh. Pastaj e kapën për këmbësh e për duarsh e sapo Genci ia bëri me dorë e hodhën nga kuverta të gjallë në det, sikur të ishte thes me sheqer. Mami bëri mos, nuk e di përse, mendoj se e urrente, por jo deri në vdekje. Trimat dhe Genci pinë fërnet me shishe dhe shkuan poshtë në hambar. Ne ndryshuam vendin dhe u futëm mes turmës së njerëzve në majë të anijes për të mos na njohur më njeri.

Mirë ja bënë!- dëgjuam disa zëra pas nesh. – Mos u mërzisni fare, se ja bënë mirë! -Ne ikëm. U fshehëm mes mijërave që rrinin në kuvertë.

Kur pamë Italinë, numëruam me gishta vitet e humbura, vitet e vdekjes së babit, vitet e torturës, dimrat e tmerrshëm nëntor 1985, 1986, 1987, 1988, 1989, 1990, deri në mars 1991...

Mami qante, unë qaja. Njerëzit qeshnin e qanin. Ne kishim po aq frikë sa ditën e parë kur na hodhën nga kamioni në mes të maleve.