Vilson Mirdita

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Jump to navigation Jump to search

Dr. Vilson Mirdita është Ambasadori i parë i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë në Ambasadën e Republikës së Kosovës në RF të Gjermanisë. V. Mirdita ka nisur karrierën diplomatike si “I Ngarkuar me Punë ad interim”, kohë e cila ka shërbyer në ngritjen e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Berlin, Gjermani (2008). Gjatë kësaj periudhe ai ka kryer disa trajnime kualifikimi për Diplomaci, në Prishtinë, pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës se Kosovës, për të vazhduar më pas në Akademinë Diplomatike të Ministrisë së Punëve të Jashtme në RF Gjermane (2009).

Para fillimit të shërbimit të tij si diplomat, V. Mirdita ka punuar si Kërkues Shkencor dhe Lektor, pranë Institutit të Përmirësimit Gjenetik dhe Gjenetikës së Popullatave, Universiteti Stuttgart-Hohenheim, në RF të Gjermanisë, i cili Universitet është shumë i njohur në arenën ndërkombëtare, për kërkime shkencore në fushën e Përmirësimit Gjenetik të Bimëve. Në këtë Institut, ai ka qenë jo vetëm kërkues shkencor, por njëkohësisht edhe përgjegjës për menaxhimin e fondeve të Bashkimit Evropian për financimin e projekteve kërkimore shkencore dhe institucionale për zhvillim në Gjermani dhe jashtë vendit (2006-2008). Gjatë karrierës së tij akademike, V. Mirdita ka publikuar rregullisht në revista të njohura shkencore ndërkombëtare, në fushën e Gjenetikës dhe Përmirësimit Gjenetik të Bimëve. Ai ka punuar gjithashtu si Kërkues Shkencor pranë Qendrës së Evropës Qendrore dhe Juglindore, Universiteti Stuttgart-Hohenheim, Gjermani, në Menaxhimin e Projekteve në Zonat Rurale, me fokus të veçantë Kosovën (2001-2002).

V. Mirdita studimet universitare i ka filluar në Fakultetin e Bujqësisë (1990), Universiteti i Prishtinës, të cilat i ndërpret pas emigrimit në RF te Gjermanisë (1992). Në vitin 1997, fillon studimet në Shkencat e Biologjisë se Aplikuar, në Universitetin Stuttgart-Hohenheim, Gjermani, të cilat i përfundon me rezultate të shkëlqyera (2001).

Pas përfundimit të studimeve universitare, ai ka vazhduar kualifikimin shkencor Ph. D - Doktoraturë, në Institutin e Përmirësimit Gjenetik dhe Gjenetikës së Popullatave, Universiteti i Stuttgart-Hohenheim, Gjermani duke marrë titullin shkencor: "Doktor në Shkencat Bujqësore” (2006).

Vilson Mirdita ka lindur më 29 prill 1970, në Ranoc të Komunës se Klinës, Republika e Kosovës. Është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Referenca[redakto | përpunoni burim]

[1]