Jump to content

Vullkanet dhe termetet

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shpërthimi i vullkanit Stromboli, Itali

Vullkanet janë forma të ngritura në Tokë, të cilat krijohen me shkatërrimin e masës së zjarrtë-magmës, gazeve dhe avujve nga brendia e Tokës në sipërfaqe. Proceset e ndryshme të lidhura me to quhet vullkanizëm. Vullkani paraqet një dukuri sipërfaqësore në formë kupe.

Lava

Kupa me kanal ose ndonjë çarje është e lidhur me brendinë e Tokës, nëpër të cilën lëviz masa e zjarrtë e lëngut-magma (nëse magma del në sipërfaqen e Tokës atëherë quhet lavë), gazrat, avulli e produkte të tjera dhe shkarkohen në sipërfaqe. Ky proces i shkarkimit quhet erupcion. Në majë të kupës gjendet krateri në formë hinke. Anash kupës vullkanike shpeshherë shfaqet kupa dhe kratere parazite.

Magma duke u nisur nga vatra e vullkanit, e cila gjendet në trysni të madhe nga shkëmbinjtë përreth ku nën ndikimin e nxehtësisë së saj dhe të gazeve që përmbanë ajo është e lëvizshme. Magma e vënë në lëvizje mund të ngurtësohet në brendi të kores së Tokës dhe të formojë shkëmbinjtë e brendshme magmatikë (magmatizmi intrusiv ose plutonizmi) ose të shpërthejë e të derdhet në sipërfaqe- vullkanizimi ose magmatizmi efuziv. Si prudukt kryesor i erupsionit vullkanik është lava, me një temperaturë kryesisht 1000-1300 ͦ C, dendësinë zakonisht e ka si të magmës dhe varet nga përbërja kimike, e në rend të parë nga përbërja e silicit. Kështu, lava bazike ose e bazaltit përmban 40-52% silic, e cila është më e lëngshme, ka ngjyrë të errët dhe lëviz më shpejt, deri 30 km/orë. Lava acidike përmban 65-80% silic, është më e dendur, ka ngjyrë më të çelët dhe lëviz më ngadal se ajo bazike.

Format vullkanike

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Me derdhjen dhe ftohjen e lavës si dhe me grumbullimin e materialit tjetër vullkanik formohen forma të veçanta të relievit. Këto janë forma vullkanike, ku më të rëndësishmet janë: kupat vullkanike dhe pllakat vullkanike. Lartësia e kupave vullkanike është e ndryshme, prej disa dhjetra deri në disa mijëra metra. P.sh. kupa e vullkanit Cimboraso në Ande ka lartësinë 6310 m, Kilimanxharo në Afrikë 5895 m, etj.[1] Derisa lava e dendur acidike formon kupa vullkanike, lava bazike formon pllaka vullkanike. Kurse në Dekan të Indisë lava mbulon një sipërfaqe rreth 650 000 km2 etj., shpeshherë ndodh që lava e kushtëzuar nga relievi përgjatë ndonjë lugine të rrjedh në formë të lumit, e të rrezikojë shumë vendbanime përreth.

Tipet e vullkanit

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Varësisht nga përbërja dhe mënyra e derdhjes lavrës, dallojmë këta tipa të vullkaneve:

  • tipi i Vezuvit,
  • Havajeve dhe
  • Mon pele.

Tipi i Vezuvit karakterizohet me erupcion të fuqishëm, që derdhet sasi e madhe e lavës së denduracidike dhe me material të thërrmuar vullkanik-hirit dhe pluhurit, etj.Këto vullkane me kupa të larta dhe me formë të rregullt konike, quhen edhe stratovullkane ose shtresorë, sepse kupa e tyre është e ndërtuar prej shtresave të lavës së ngurtësuar dhe e hirit vullkanik. Këtij tipi përveq vullkanit Vezuv, i përket edhe Etna, Fuxhijama, Kluçevskaja Sopka në Kamçatka, etj.

Mauna Loa
Harta gjeologjike e Mauna Kea

Tipi i Havajeve-E sajojnë vullkanet me erupcion mjaftë të qetë të lavës më të lëngshme pa praninë e hirit dhe “bombave” vullkanike.Lava shpërndahet dhe ftohet në formë pllakash, që shtrihen njëra mbi tjetrën dhe formojnë kupa me bazë të shtrirë dhe shumë të gjerë dhe pa majë të theksuar. Psh. vullkanet Mauna Loa dhe Mauna Kea në ujdhesat e Havajeve lartësohen mbi 4000 m mbi nivelin e detit, kurse diametri i tyre në fundin e oqeanit arrin më se 400 km dhe shtrihen në thellësi më se 5000 m.

Tipi Mon pele-Ka marr emrin sipas vullkanit me të njëjtin emër Mon pele në ujdhesën Martinik në grupin e Antileve të vogla. Karakterizohet me erupcion shumë të fuqishëm, me re pluhuri, tym e gaze. Pas mbarimit të erupsionit lava e dendur dhe gjysmë e ngurtësuar ngadalë del nga gryka dhe merr një formë të një “briri” gjigant. Vullkanet, përveç formimit të trajtave relievore të ndryshme vullkanike, kanë rëndësi të madhe në sajimin e pasurive mineralogjike të një rëndësie të madhe ekonomike. Mirëpo shkaktojnë dhe dëme të mëdha materiale dhe viktima në njerëz. Kështu, psh. Vullkani Krakatao në një ujdhesë të vogël në mes të ujdhesave Java dhe Sumatranë Indonezi, në vitin 1883, shkaktoi 36 500 viktima në njerëz, më tepër nga valët e detit të lartë 15–30 m. Valëzimi është regjistruar në të gjitha oqeanet, kurse pluhuri i ngritur e ka përshkuar tërë rruzullin tokësor.[2] Vullkanet që kohë pas kohe hedhin lavë, gazë, avuj, pluhur etj. Quhen vullkane aktive. Në qoftë se gjatë periudhës historike nuk ka të dhëna për aktivitetin e tyre, quhen vullkane të shuara (vdekura). Në rruzullin tokësor gjenden më se 524 vullkane aktive, prej tyre 68 nëndetare (submarine), kurse numri i vullkaneve të shuara është 8 herë më i madh se i vullkaneve aktive. Shpërndarja gjeografike e vullkaneve aktive është e pabarabartë. Kështu, pjesa më e madhe e tyre shtrihet në skajin e oqeanit Paqësor dhe njihet me emrin “brezi i zjarrtë i Paqësorit”. Në Evropë vullkanet aktive shtrihen kryesisht në regjionin e Mesdheut.

Seizmogrami
Seizmografi

Janë dridhje apo lëkundje të papritura dhe të shkurtëra në koren tokësore. Për shkak të intensitetit, fuqisë shkatërruese e të befasishme, tërmetet janë dukuritë më të rrezikshme të katastrofave natyrore. Llogaritet se njerëzit mesatarisht në vit ndjejnë afro 9000 tërmete, prej tyre 2500 janë të intensitetit mesatar, por pa pasoja të mëdha, kurse 500 prej tyre janë me forcë të madhe shkatërruese - katastrofale. Mirëpo, me ndihmën e aparateve për regjistrimin e tërmeteve në botë regjistrohen më se 1 000 000 tërmete me fuqi të ndryshme. Qendrat ku gjenden aparatet e ndryshme për regjistrimin e tërmeteve quhen stacione seizmologjike, kurse aparati kryesor është seizmografi dhe paraqitja grafike në fletët e vijës së lakuar quhet seizmogram.

Shfaqjen e tërmeteve e përcjellë lirimi i sasisë së madhe të energjisë që shkakton copëtime, lëvizje dhe çrregullime të tjera në sipërfaqen e Tokës. Vendi nën brendinë e Tokës, ku bëhet lirimi i energjisë seizmike quhet vatra ose hipoqendra e tërmetit, e cila gjendet në thellësi të ndryshme. Më se 70-75 % të tërmeteve e kanë hipoqendrën deri në 70 km thellësi. Vendi në sipërfaqen e Tokës mbi vatrën e tërmetit, ku më parë arrin vala e tërmetit dhe përhapet në të gjitha anët quhet epiqendër. Në epiqendër rënia e tërmetit ndihet si lëkundje vertikale, dhe sa të largohemi nga epiqendra valët e tërmetit marrin drejtimin horizontal dhe forca e tërmetit dobësohet. Shpejtësia e lëvizjes së valëve të tërmetit varet nga fuqia e goditjes së tërmetit.[3] Tërmetet ndahen në:

  • tërmete tektonike,
  • vullkanike dhe
  • shembjeve.

Tërmetet tektonike – Janë të lidhura ngushtë me zonat e vargmaleve e të maleve të reja, që lëvizjet tektonike në procesin e krijimit të tyre ende nuk kanë pushuar. Këtij grupi i përkasin më se 90% të numrit të tërmeteve. Këto tërmete dallohen me forcë të madhe dhe me radius të madh shkatërrues. Shkaktarët kryesor të paraqitjes së tyre janë çrregullimet e pllakave kontinentale, zhvendosja e tyre apo e thyerjeve të thella të shkëmbinjve nën koren e Tokës dhe zhvendosja e tyre përbrenda vetë korës së Tokës. Faza e qetësimit karakterizohet kohë pas kohe me goditje të reja që mund të zgjasin edhe me vite deri në qetësimin e plotë të trollit, që është dukuri normale. Gjatë kësaj periudhe mund të regjistrohen edhe qindra tërmete, por asnjëri nuk e arrin intensitetin e tërmetit të mëparshëm. Intervali kohor i zgjatjes së dridhjeve të Tokës zakonisht është 30 sekonda deri në një minutë.

Tërmetet vullkanike – Janë të lidhura me lëvizjen e magmës nga brendia e Tokës dhe derdhja e saj në sipërfaqe shpshherë u paraprinë erupcioneve vullkanike. Magma mund të shkaktojë tërmete edhe atëherë kur nuk arrinë të shperthejë në siperfaqen e Tokës. Tërmetet vullkanike janë më të lokalizuara në vetë zonat vullkanike, prandaj kanë edhe përhapje gjeografike më të vogël se ato tektonike. Në tërësi kanë rreze veprimi dhe forcë më të vogël.

Tërmetet e shembjeve – Shkaktohen nga shembjet e plafoneve të shpellave si zbrazësira më të mëdha nëntokësore. Këtij lloji i përkasin rreth 3% të numrit të termeteve në Tokë dhe janë të një intensiteti më të dobët e të një karakteri lokal.

Shkalla e fuqisë së tërmeteve

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Bëhet në bazë të dy shkallëve ndërkombëtare: shkalla e Rihterit dhe e Merkalit. Shkalla e Rihterit tregon sasinë e energjisë së liruar në hipoqendër. Ajo ka 9 shkallë. Kurse shkalla e Merkalit tregon shkallën e rrënimit dhe të dëmtimit të objekteve në epiqendër dhe në sipërfaqen e Tokës. Që nga viti 1971 përdoret si shkallë ndërkombëtare me 12 njësi. Tërmetet kanë më tepër rëndësi gjeografike, ekonomike e sociale se gjeomorfologjike. Ato shkaktojnë rrënime të mëdha dhe viktima në njerëz. Ato mund të shkaktojnë ngritjen e valëve të larta në dete e oqeane “cuname”, që rrënojnë çdo gjë para vetës.[4]

Zonat e tërmeteve

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Dallohen tri zona kryesore të tërmeteve:

  • pjesët periferike të Paqësorit, e njohur si “brezi i zjarrtë i Paqësorit”,
  • gjeosinklinalja e dikurshme e detit Tetis dhe
  • pjesa qëndrore e Oqeanit Atlantik.

Trevat shqiptare bëjnë pjesë në zonën aktive seizmike të gjeosinklinalës së dikurshme të Tetisit, me shfaqje të shpeshta të termeteve. Si zona më të ndjeshme janë: vija Korçë-Ohër-Peshkopi, vija Lushnjë-Elbasan-Dibër dhe Vlorë-Tepelenë-Ersekë, regjioni i Shkodrës, i Anamoravës, i Shkupit, etj.

Metodat e parashikimit të tërmeteve

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në shumë vende të botës, sidomos në vende të zhvilluara, po bëhet e mundshme të bëhet prognozimi i tërmeteve, duke u nisur nga pasojat që i shkaktojnë që sadopak të jenë më të lehta. Si metodë që po aplikohet është mbledhja e të dhënave mbi lëvizje e shtresës sipërfaqësore të Tokës. Me rastin e këtyre hulumtimeve po përdoret aparati laser, me anë të cilit mund të caktohen me saktësi deri në 1 cm të gjitha lëvizjet sipërfaqësore të shtresës së epërme të Tokës. Metodë tjetër për parashikimin e tërmeteve është ajo në bazë të deformimeve të radiovalëve. Ndryshim më i shpeshtë është rënia e intensitetit të radiosinjaleve, e kjo shfaqet 1-6 ditë para tërmetit. Për parashikimin e tërmeteve po zbatohet metoda e pranisë së radonit në ujërat nëntokësor, që mund të saktësojnë praninë e tij deri 600 km rreth epiqendrës.[5] Me ndihmën e aparateve shumë të ndjeshme, në vendet e zhvilluara po regjistrohen krismat e vogla në brendi të Tokës edhe dy-tri ditë para shfaqjes së krismave të mëdha dhe goditjes së tërmetit. Gjithashtu po bëhet përpjekje që tërmetet të parashikohen në bazë të matjeve të dukurive elektromagnetike, ndërrimeve në rezistencën elektrike të shtresave sipërfaqësore të Tokës, ndërrimet e nivelit të temperaturës së ujërave nëntokësore, etj. Këto parashikime kërkojnë instrumente shumë të shtrenjta dhe një rrjetë të dendur të matjeve. Me qëllim të parashikimit të tërmeteve , shfrytëzohet edhe ndjeshmëria dhe sjellja e kafshëve para goditjes së tërmetit. Mendohet se mbrojtja më e sigurtë nga tërmetet është ngritja e objekteve të banimit dhe e objekteve tjera të rezistueshme ndaj valëve të tërmeteve, përkatësisht të objekteve antisizmike.[6]

  1. ^ Asllan Pushka, Gani Gashi, Florim Isufi, Nevzad Krasniqi ”Gjeografia 10”, Gjimnazi matematikë dhe informatikë, Prishtinë, 2004, Faqe 97
  2. ^ Asllan Pushka, Gani Gashi, Florim Isufi, Nevzad Krasniqi ”Gjeografia 10”, Gjimnazi matematikë dhe informatikë, Prishtinë, 2004, Faqe 98
  3. ^ Asllan Pushka, Gani Gashi, Florim Isufi, Nevzad Krasniqi ”Gjeografia 10”, Gjimnazi matematikë dhe informatikë, Prishtinë, 2004, Faqe 99
  4. ^ Asllan Pushka, Gani Gashi, Florim Isufi, Nevzad Krasniqi ”Gjeografia 10”, Gjimnazi matematikë dhe informatikë, Prishtinë, 2004, Faqe 100
  5. ^ Asllan Pushka, Gani Gashi, Florim Isufi, Nevzad Krasniqi ”Gjeografia 10”, Gjimnazi matematikë dhe informatikë, Prishtinë, 2004, Faqe 101
  6. ^ Asllan Pushka, Gani Gashi, Florim Isufi, Nevzad Krasniqi ”Gjeografia 10”, Gjimnazi matematikë dhe informatikë, Prishtinë, 2004, Faqe 102