Xhevdet Shehu
Xhevdet Shehu
Gazetar shqiptar. Komiteti Kombëtar i veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të Popullit Shqiptar e ka dekoruar me “Nderi i Organizatës së Veteranëve të LANÇ” (Maj 2018).
I jepet titulli "Nder i Qarkut Fier" - 7/02/2021
“Qëkur kam nisur të punoj si gazetar në moshën 22-vjeçare dhe sot në 2019 unë nuk e kam ndërruar kurrë profesionin. Kam punuar në vijimësi si gazetar dhe më ka pëlqyer shumë ky profesion. Për mua është nga më të bukurit në botë. Natyrisht profesionet e tjera mund të japin të ardhura dhe bonuse më shumë, por gazetari që e do punën e tij është një fatlum i madh…”
Kështu shprehet gazetari Xhevdet Shehu teksa flet për profesionin e tij, sot, 42 vite pasi nisi të shkruante për herë të parë.
Si student i Agronomisë, Xhevdet Shehu në vitin e dytë të studimëve spikat për aftësitë e tij në shkrim duke tërhequr vëmendjen e pedagogëve. Menjëherë në 1 Nëntor të 1977 ai emërohet kryeredaktor i gazetës së shkollës “Studenti i Bujqësisë”, gazetë ku trajtoheshin kryesisht problematika ideopolitike dhe shkencore të rinisë studentore. “Me urdhër nga lart” detyrohet të ndërpresë studimet e rregullta pas vitit të dytë për t’ju përkushtuar plotësisht gazetës, ndërsa vitin e tretë e përfundon me korespodencë.
Puna në këtë gazetë do ta ndihmonte Xhevdet Shehun të perfeksiononte pasionin e tij, dhe t’i bashkohej gazetës së dytë më të madhe të kohës, “Zëri i Rinisë”, si dhe të kryente specializimin për gazetar të mirëfilltë në Universitetin e Tiranës.
I lindur në fshatin Hekal të Mallakastrës, zoti Shehu do të merrte arsimin fillor në vendlindje e më vonë atë të mesëm në Fier, në shkollën “Rakip Kryeziu” për të vazhduar më pas në Universitetin Bujqësor të Tiranës ku dhe u diplomua si agronom. Puna si gazetar dhe marrëdhënia me persona të njohur të shtypit të shkruar të kohës kur ishte kryeredaktor i “Studentit të Bujqësisë” bënë që ai të kryej specializimin për gazetari në vitet 1982-1983.
Xhevdet Shehu rrëfen se përpos pasionit, puna në gazetat e kohës do të bëhej për të dhe familjen e tij një shtysë tepër e madhe.
“Nga debitor që isha ndaj familjes që më jepte në atë kohë 1 mijë e 800 lekë në muaj për të paguar bursën, unë arrita të merrja në gazetë 5 mijë e 200 lekë në muaj dhe kështu ja dilja dhe vet por ndihmoja dhe familjen”, thotë ai.
Në vitet 1980 e mbrapa, Xhevdet Shehu punoi për 14 vite te“Zëri i Rinisë”, fillimisht si gazetare për t’u bërë më pas Sekretar i Kolegjiumit apo zëvendëskryedredaktor. Aty Xhevdet Shehu do të njihte dhe shkrimtarin e madh Dritëro Agolli, i cili do të bëhej “mësuesi” dhe “udhërrëfyesi” i tij në këtë profesion. Teksa kthehet afro 4 dekada pas në kohë, ai tregon se Dritëroi i kishte mësuar shumë “teknika” të punës, një prej tyre sipas tij intervistimi i personazheve.
“Në atë kohë ne nuk kishim diktofona si kanë gazetarët sot, apo kamera, por mbanim bllok. Dhe Dritëroi më thoshte: “Kur do të bësh një gjë të mirë mos mbaj bllok, por përqendrohu te bashkëbiseduesi. Përqendrohu maksimalisht te ai dhe regjistroje në tru njëlloj sikur je duke e regjistruar në diktofon. Me të mbaruar bisedën shkruaje të gjithën që të mos e harrosh sepse në momentin që hap bllokun bashkëbiseuesi “vetcensurohet” dhe stepet”, tregon zoti Shehu, ndërsa thekson se këshillat e Dritëro Agollit janë “piketa” në të cilat ai ecën dhe sot.
Sipas tij, gazetari që e do profesionin është një fatlum i madh sepse si askush tjetër ai ka mundësi të njohë kohën që jeton, të njohë personalitete e figura të rëndësishme, të zhvillojë talentin e tij në një hapësirë të pafundme.
Më tej, Xhevdet Shehu rrëfen dhe një ngjarje shumë të rëndësishme që kishte ndjekur kur punonte te “Zëri i Rinisë”. Ai tregon se ky ishte artikulli që e mbante mend shumë mirë për jehonën që bëri, por dhe për faktin se për të e thirri personalisht në zyrë Presidenti i Shqipërisë Ramiz Alia.
Zoti Shehu tregon se në tetor të 1991 në redaksinë e “Zërit të Rinisë” kishte shkuar një ftesë për të ndjekur një event të organizuar nga Ambasada e Gjermanisë në Tiranë, pas bashkimit të dy Gjermanive, i quajtur “Java e kulturës gjermane”.
Ceremonia organizohej te “Piramida” e Tiranës, 200 metra larg zyrës së redaksisë, dhe merrnin pjesë politikanët më të lartë të vendit, intelektualë të njohur, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, ambasadorë të ndryshëm e trupa të tjerë diplomatikë.
“Papritur, Ambasadori i Gjermanisë thotë së në ekran do të shihej një film i shkurtër për historinë e popullit gjerman nga gjeneza deri në ditët e sotme. Kur filmi erdhi në vitin 1923, në ekran u shfaq një foto e Hitlerit dhe salla duartrokiti. Unë u habita, por e kalova, thash janë provokatorë që janë futur në sallë. Kur më pas në ekran dolën trupat e ushtrisë hitleriane që bënin parakalime në sheshet e Gjermanisë. Aty salla me gjithë të ftuarit shpërtheu në ovacione dhe unë menjëherë si isha afër derës, u ngrita dhe dola jashtë. Shkova direkt në redaksi dhe në vend që të shkruaja për “Javën e kulturës gjermane” bëra një editorial me titull “Hitleri duartrokitet në Tiranë”, i botuar në dy kolona që në faqen e parë, me një mesazh të qartë: Po vjen Hitleri në Shqipëri”, rrëfen Xhevdet Shehu.
Pak kohë më pas Xhevdeti fillon punë te “Zëri i Amerikës”, duke u bërë korrespondenti i parë në gjuhën shqipe. Ai thotë se puna te “Zëri i Amerikës” ka qenë një fat shumë i madh për të pasi ka pasur mundësinë të bisedonte me ish-presidentët e SHBA-ve Jimmy Carter e George H. W. Bush, si dhe shumë ambasadorë.
Pas eksperiencës te “Zëri i Amerikës”, gazetari Xhevdet Sehu punon në disa media të tjera të shkruara, si “Drita”, “Pasqyra”, “Albanian Daily News” e “Telegraf”, ndërsa prej marsit 2013 punon si gazetar në të përditshmen “DITA”.
Duke folur për vështirësitë e punës në atë kohë, ai tregon se ndryshe nga sot gazetarët lëviznin me trena, autobusë dhe makina të rastit pasi redaksitë kishin vetëm nga një makinë, e cila përdorej vetëm për ngjarje të veçanta. I vetmi mjet pune në gazetë, para viteve 90′ ishte blloku i dorës, ndërkohë që kujton se diktofonin e parë e ka marrë në vitin 1991.
“Ishte një diktofon special i markës ‘Sony’ që na e kanë dhuruar në 91′ dhe më të kam punuar dhe te “Zëri i Amerikës”. Ai ishte super special dhe bënte 250 dollarë të asaj kohe dhe e ruaj dhe sot”, kujton ai, duke shtuar se gazetarët e sotëm i kanë të gjitha mundësitë për të bërë punë dhe lajme shumë të mira pasi kanë në favor të tyre teknologjinë.
“Sot ka më tepër hapësirë për të bërë një gazteari cilësore sepse liritë e shprehjes janë më të mëdha se në kohën kur kam nisur unë të shkruaj. Ama tani ky profesion është disi në vështirësi pasi duke qenë se mediat janë private, në shkrim ndikojnë dhe interesat e pronarëve dhe kjo e kompromenton rolin e gazetarit dhe zbeh profesionalizmin e tyre”, shpreht gazetari.
Gjithashtu, Xhevdet Shehu thotë se ka pasur marrëdhënie të shkëlqyera me drejtuesit e tij pasi u paraprinte ngjarjeve.
Si gazetar që i ka provuar të gjitha gjinitë e publicistikës, Xhevdet Shehu shprehet se për të intervista është një nga gjinitë që i ka pëlqyer gjithnjë pasi siç thotë e gjithë jeta është bashkëbisedim, ashtu si intervista. Ama pavarësisht intervistave apo dhe raportimeve të shumta, ai pa droje tregon se ka pasur raste dhe kur ka dështuar. Një ngjarje që ai sjell në vëmendje, por dhe që e ka peng dhe sot është ndërprerja e një cikli emisionesh për korrupsionin në Shqipëri, kur punonte te “Zëri i Amerikës”.
“Njëherë të vetme kam dështuar dhe këtë e kam pranuar. Sa kishte filluar të lulëzonte korrupsioni në Shqipëri dhe shefi i “Zërit të Amerikës” nga Uashingtoni, Elez Biberaj më thotë se kjo është një dukuri e rrezikshme për vendet në tranzicion dhe ka filluar dhe në Shqipëri. Vendosëm të bëjmë një cikël prej 5 emisionesh të cilat do t’i transmetonim radhë. Bëj emisionin e parë, të dytin po kur pa nisur të tretin më bie telefoni dhe personi në anën tjetër me thotë qartësisht “Atë punë që ke nisur lëre në mes ose në të kundërt nesër të hidhet në erë gjithë familja.” Menjëherë telefonova Elezin në Uashington dhe i tregova se ndihesha vërtet i kërcënuar dhe vendosëm të mos vazhdonim më me emisionet. Këtë e quaj një dështim timin dhe ma ka mbetur peng”, rrëfen gazetari Xhevdet Shehu.
Për të, pavarësisht dështimit në mbulimin e një ngjarjeje të caktuar gazetarët nuk duhet ta lënë asnjëherë profesionin e tyre.
Më tej, zoti Shehu thotë se me kolegët kishte një marrëdhënie të mirë dhe i dilnin shpesh në mbështetje njëri-tjetrit. Për të, ata janë miqtë më të mirë dhe me disa prej tyre i ruan kontaktet dhe sot, ndërsa i përmend një nga një, nga Ymer Minxhozi, te Kiço Blushi, Xhevahir Spahiu, Andrea Stefani, Bedri Isami e Moikom Zeqo.
Si një gazetar me një përvojë të vyer mbi 40-vjeçare, Xhevdet Shehu në mbyllje jep disa këshilla për qasjet që duhet të ketë gazetaria e sotme.
“Unë gazetarët i quaj misionarë sepse ashtu si shpërndahej Bibla apo mesazhet e Krishtit për shembull, edhe gazetari është misionar i së vërtetës, shpërndan dije. Dua që gazetarët e rinj të jenë të pavarur dhe të thonë gjithmonë të vërtetën përpara njerëzve, me kurajo. Ky vend ka shumë nevojë për të vërtetën për të ngjallur shpresën”, përmbyll zoti Shehu.
Botime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Pararendës : eseistikë - 2001
- Ambasadori VOA : publicistikë - 2002
- Peneli i çuditshëm : poemë - 2005
- Shefqet Hekali : jeta e një atdhetari të devotshëm, (bashkautor) - 2005
- Episode me dritë : duke kujtuar Dyrr Këlliçin, (përg.) - 2007
- Prapaskena : hulumtime në historinë e Shqipërisë komuniste - 2015
Ky artikull në lidhje me një biografi individi është i cunguar. Ju mund të ndihmoni Wikipedian duke e zgjeruar atë. |