Jump to content

Zef Brozi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Zef Brozi ish kryetari i Gjykatës së Kasacionit, sot Gjykata e Lartë e Shqipërisë. Nga viti 1982 deri më 1992 ka dhënë mësim në Fakultetin Juridik të Universitetit të Tiranës. Doktori i shkencave dhe profesor i associuar asistoi në lindjen, në vitin 1990, e lëvizjes studentore, që çoi në rënien e regjimit komunist. Ishte një ndër përfaqësuesit që u dërguan për të negociuar me presidentin Ramiz Alia.

Në vitin 1992 ishte kandidat për Partinë Demokratike në zgjedhjet pluraliste dhe u zgjodh deputet në rrethin e Mirditës, ku ka lindur, duke u bërë edhe kryetar i Komisionit të Ligjeve. Në shtator 1993, presidenti Sali Berisha e emëroi kryetar të Gjykatës së Kasacionit.

Shumë shpejt, marrëdhëniet e tij me presidentin Sali Berisha pësojnë një çarje të thellë dhe, pas një përplasjeje në rritje, gjatë së cilës Zef Brozi u përpoq të kundërshtonte ndërhyrjet e Berishës në vendimet e gjykatave, më 21 shtator 1995 u shkarkua nga kjo detyrë.

Dy muaj më pas u detyrua të shpëtonte nga kërcënimet e SHIK-ut dhe arratiset në Amerikë, sëbashku me gruan Diana, ku kërkon dhe merr strehim politik. Që prej atëhere, Zef Brozi jeton në Uashington, ku punon, si dhe bashkëshortja, për qeverinë federale.