Autoriteti i konkurences

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë


Kush e zbaton ligjin për mbrojtjen e konkurrencës?



Autoriteti i Konkurrencës (AK) është institucioni publik i ngarkuar nga ligji për të mbrojtur konkurrencën e lirë dhe efektive në Shqipëri. Ky institucion ka për qëllim të mbrojë konkurrencën në vetvete, si një e mirë publike. Në këtë mënyrë, mbrojtja e konkurrencës efektive i shërben interesit publik. Ky ligj është i zbatueshëm në të gjithë sektorët e ekonomisë, për të gjitha ndërmarrjet private dhe shtetërore, që e ushtrojnë veprimtarinë e tyre në territorin e Republikës së Shqipërisë, si dhe për ndërmarrjet që veprimtarinë e ushtrojnë jashtë këtij territori, por pasojat e saj ndihen në tregun shqiptar.

Puna e AK-së mbështetet në tri shtylla kryesore, të cilat përcaktojnë mbrojtjen e konkurrencës:

    * Marrëveshjet e ndaluara (kartelet)
    * Abuzimi me pozitën dominuese
    * Bashkimet ose përqendrimet e ndërmarrjeve


Një tjetër detyrë e AK-së është të veprojë si nxitës e si avokat i konkurrencës dhe i interesave të konsumatorit, si dhe të vlerësojë aktet e ndryshme normative që mund të cenojnë konkurrencën. Një aspekt i rëndësishëm i ligjit të sotëm për mbrojtjen e konkurrencës është e drejta e çdo personi që, nëse pengohet në veprimtarinë e tij nga një marrëveshje e ndaluar apo nga një praktikë abuzive, t’i drejtohet drejtpërdrejt gjykatës. Sipas ligjit, këta persona mund t’i drejtohen gjykatës së Tiranës me anë të një kërkesëpadie, pavarësisht faktit të nisjes së një procedure pranë AK-së. Në këtë mënyrë palët e interesuara kanë dy mundësi: të ankohen pranë AK-së ose të ngrenë padi pranë gjykatës së Tiranës. AK përbëhet nga:

   * Komisioni i Konkurrencës si organ vendimmarrës
   * Sekretariati, i cili përbëhet nga ekspertë që kryejnë monitorimet dhe hetimet në treg

Kjo strukturë respekton ndarjen e funksionit të hetimit nga ai i vendimmarrjes, i cili është një kusht për një proces të pavarur dhe të paanshëm në vendimmarrjen e Komisionit të Konkurrencës. Ky komision, para marrjes së vendimit, fton për t’u shprehur ndërmarrjet e hetuara, me synim për të qenë sa më objektiv dhe sa më profesional në këtë proces. Parimet mbi bazën e të cilave zbatohet ligji, politika kombëtare dhe veprimtaria e AK-së, janë: barazia, gjithëpërfshirja, transparenca, integriteti, përgjegjshmëria, besueshmëria dhe bashkëpunimi.