Jump to content

Çështja Shqiptare, Riformësimi i Ballkanit

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

"Çështja Shqiptare, Riformësimi i Ballkanit" me Autorët James Pettifer - Miranda Vickers. Përktheu Xhevdet Shehu. Shtëpia botuese "Bota Shqiptare", viti i botimit 2007. Faqet e librit 484.

Ngjarjet e librit "Çështja Shqiptare" nisin më 1997 dhe vazhdojnë deri në ditët tona, por në epiqendër të tij janë tri konfliktet e armatosura. Ai i vitit 1997 në Shqipëri, i vitit 1999 në Kosovë dhe ai i vitit 2001 në Maqedoni. Në vitin 1997, Shqipëria që deri atëherë ishte një vend pak i njohur dhe i izoluar në Ballkan, shpërtheu në një kryengritje të armatosur që ishte e para në kontinentin europian që nga vitet 1920, duke e çuar vendin në prag të luftës civile. Ndërsa dhuna u përhap në fillim në Kosovë, mandej në Serbinë Jugperëndimore dhe së fundi në Maqedoni, çështja shqiptare gjithnjë e më tepër u vu në epiqendër të politikës botërore. Në këtë vepër të re të historisë bashkëkohore, dy personalitetet e njohur ndërkombëtarisht sqarojnë vendin e Shqipërisë në Ballkan, një rajon i cili ka qenë i detyruar të përballej njëherësh me realitetet e botës postkomuniste dhe me kërcënimin e projektit të "Serbisë së Madhe" të Sllobodan Millosheviçit. Autorët argumentojnë se shqiptarët janë përfshirë në procesin e vetemancipimit kombëtar: ringritja e ekonomisë së tregut të lirë dhe heqja e kontrollit të kufijve komunistë kanë gjallëruar lidhjet e hershme kulturore dhe ekonomike midis shqiptarëve dhe gjithë rajonit. E ardhmja e shqiptarëve në Ballkan është sot për sot çështja më e ngutshme. Autorët theksojnë se Perëndimi duhet t'i kushtojë një vëmendje të madhe këtij kombi të shpërfillur për një kohë të gjatë që ai të bëhet një partner europian. Për më tepër, autorët pohojnë se mostrajtimi si duhet i çështjes shqiptare mund ta fusë krejt rajonin në një konflikt të armatosur.