Çetat Antiosmane në vitet 1910-1912 në Elbasan
Çetat Antiosmane në vitet 1910-1912 në Elbasan janë formacione të vogla luftarake, të formuara në Elbasan që në fillim të shek. XX, numri i të cilave filloi të rritej. Objektivi i këtij formacioni ishte goditja pushtuesit osman dhe lufta për lirinë dhe pavarësinë e vendit.
Historia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në zonat e Elbasanit vepronin disa Çeta Antiosmane :
Çeta Antiosmane që vepronte në rrethinat e Elbasanit, me komandant Gani Bungën, në përbërje të së cilës kishte luftëtarë, si: Kothel Deden, Lim Skënderin, Xhafë Malehoxhën, Selman Blloshmin etj.
Çeta Antiosmane që vepronte në zonën Polis-Shpat, e udhëhequr nga Sadik Zharri, organizoi aksionin për thyerjen e postës turke te "Gurrat e Zeza", pranë Qukësit.
Ndërkohë në Manastir ishte krijuar një çetë antiosmane e përbërë nga elbasanas, si: Sheh Hysen Sulova, Irfan Ohri, Muç Shqiptari, Fetah Ceka etj. Bashkëpunoi dhe u lidh me çetën e Korçës e cila drejtohej nga Themistokli Gërmenji.
Në pranverë të vitit 1911 në Shtërmen krijohet komiteti i fshehtë me drejtues Nexhip Haxhiademi, Refik Myftiun, Hysen Cekën, Ymer Dervishin etj. Një takim i dytë u organizua te "Mulliri Sallak" në dalje të qytetit të Elbasanit. Në fillim të vitit 1912 numri çetave antiosmane dhe i luftëtarëve që bënin pjesë në to ishte rritur. Ato vepronin në disa krahina e zona dhe njiheshin si Çeta e Martaneshit, e Çermenikës, Funarit që më pas mori emrin Çeta e Bushekut, me rreth 50 luftëtarë nën komandën e Irfan Ohrit. Më pas, në të u përfshinë dhe shumë luftëtarë nga qyteti, zona e Dumresë, ushtarë që dezertuan nga ushtria e perandorisë si dhe nga shumë fshatra përreth. Ajo u rrit si formacion luftarak komandohej nga Aqif Pashë Biçakçiu.
Zona e Shpatit në përbërje të saj kishte disa çeta antiosmane si: çeta që vepronte me shtrirje në fshatrat Shelcan, Bujaras, Kodërbujaras, Kuqan, Lleshan, Tudan me komandant Jonuz Topuzin. Kishte në përbërjen e saj 35 luftëtarë. Çeta që përfshinte fshatrat Valësh, Xibreth, Bizhdan Stërstan, Jeronisht, Llukan me komandant Asllan Dervishi, në përbërje të së cilës kishte 23 luftëtarë.
Në fshatrat Gjinar, Trepsenisht, Kryezjarrth, Mlizë vepronte çeta me komandant Selim Shqaun, e cila kishte në përbërje 32 luftëtarë. Në Pashtresh vepronte një çetë e veçantë me 25 luftëtarë, e komanduar nga Isuf Muça, ashtu si dhe një tjetër në Zavalinë me 21 luftëtarë me komandant Xhepë Skënderin.
Ndërsa në fshatrat Seltë, Nezhan çeta me 23 luftëtarë drejtohej nga Lef Nosi .
Në kuadrin e kryengritjes së përgjithshme të vitit 1912 në korrik, në fshatin Kryezjarrth u organizua mbledhja me përfaqësues të gjerë të çetave, nga ku u zgjodh një komitet i kryesuar nga Irfan Ohri.
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ Elbasani Enciklopedi. fq. 101–102.