Ëngjëll Radoja
Ëngjëll Radoja (1820-1880) nga Shkodra, i njohur italisht si Dom Angelo Radoja, ishte prift katolik që studioi në Kolegjin e Propaganda Fides në Romë. Si edhe shumëshkrimtarë të tjerë katolikë shkodranë ai u nxit për të shkruar jo vetëm nga edukimi fetar, por edhe nga ndjenja kombëtare. Flitet se Radojën e kanë helmuar pikërisht për angazhim e tij në çështjen kombëtare. Radoja është autor veprash fetare shqip dhe përkthimesh, nga të cilat sot kemi tre: Jesu Criscti n'semer t'mesctaarit, Romë 1862 (Jezu Krisht në zemër të meshtarit); Concilli i Dhèut Scciypniis baamun n'viet 1703 n'coh t'paps scciyptarit Clementit t'Gnimdhettit, Romë 1872 (Kuvendi shqiptar i mbajtur në vitin 1703 në kohën e Papës shqiptar Klementi XI), një përkthim i ri shqip i dokumenteve të të famshmit Kuvendi i Arbënit më 1703; dhe Dotrina e kerscten me msime e me spieghime, Shkodër 1876. Kjo e fundit thuhet se përbënte të vetmin katekizëm të hershëm origjinal në shqipe, për vetë faktin se Doktrinat Kristiane të mëparshme, si ato të Pjetër Budit (1618), Bernard de Kuintianos (1675) dhe Zef Gualiatës (1845), kishin qenë të gjitha përkthime të 'katekizmës së vogël' të Shën Robert Belarminit.