Agron Xhagolli
Prof. As. Dr. Agron Xhagolli (1949) ka kryer studimet e larta në degën Gjuhë – Letërsi shqipe të Fakultetit të Historisë e Filologjisë në Universitetin e Tiranes. Që nga viti 1975 është punonjës shkencor në Institutin e Folklorit, sot Instituti i Kulturës Popullore. Interesat e tij shkencore kanë qenë dhe janë drejtuar në lloje të ndryshme të folklorit shqiptar.
Ka kryer ekspedita folklorike në të gjitha rrethet e Republikës së Shqipërisë, në Kosovë, në Maqedoni dhe tek arbëreshët e Italisë. Ka realizuar, vetë ose me bashkautorë, botimin e nëntë veprave folklorike, dy nga të cilat janë përshirë në korpusin "Trashëgimi kulturore të popullit shqiptar". Ka botuar në shumë organe shkencore trajtesa, përmbledhje studimore e monografi të veçanta dhe ka kumtuar në mjaft veprimtari shkencore brenda dhe jashtë vendit.
Ka dhënë ndihmesën e vet edhe në veprimtari pedagogjike si pedagog i lëndës së folklorit në degë të ndryshme të Universitetit të Tiranës, si dhe duke udhëhequr mbrojtje diplomash e disertacionesh. Me vlerë të posaçme ka qenë puna dhe njohuritë e tij për organizimin dhe zhvillimin e festivaleve folklorike kombëtare.
Rezultatet e arritura në studimet për folklorin dhe puna pasionante e kanë renditur Agron Xhagollin si një ndër figurat më të spikatura të folkloristikës shqiptare. Ai është zgjedhur anëtar dhe kryeredaktor në redaksi të ndryshme të revistave shkencore brenda dhe jashtë vendit, ku vazhdon të japë ndihmesën e tij të çmuar.