Albanejtë

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë


Albanejtë  (Lat. albanenses, Gr. albanois) ishin vëllazëri gnostike - manikej, që jetonin në Shqipëri, në shek. 8, në prag të krijimit të Themës së Durrësit (Dyrrhachion). Ishte një nga sektet e shumta gnostike, dualiste absolute, përmes të cilëve vazhdoi të lulëzojë në Shqipëri manikeizmi origjinal.

Manikeizmi është një fe misionare (sinkretike) në teologjinë e hershme të krishterë, e cila përfshin karakteristika të zoroastrianizmit dhe budizmit. Manikeizmi bën pjesë në gnosticizmin e hershëm.  Lindi në Perandorinë Sasanide. Parimi i tij themelor është dualizmi absolut, kundërvënia e paepur e dy parimeve të barabarta hyjnore: e së mirës dhe së keqes që zotërojnë botën dhe, gjithashtu, shpirtin e njeriut.

Manikejt si vëllazëri fetare gnostike mbërritën në Romë përmes apostullit Psatik (Psattiq) në vitin 280. Psatik qe apostull i profetit Mani (që jetoi në vitet 216 - 274 pas Krishtit. E quante veten “apostull i Jesu Krishtit”).

Manikeizmi u dënua me dekret nga perandori Dioklecian, më 297; nga perandori Theodos I, më 382. Për shkak të persekutimit dhe çfarosjes së egër manikeizmi ra në gjendje të keqe në fund të shek. 6.

Vëllazëritë manikeje në Ilirik (Illyricum) përmenden në kohën e Innait (296 - 303), jamag i manikejve në Ktesifon (Tisfun), bashkohës me shën - Maçelinon papë dhe perandorit Dioklecian. Manikejt predikuan “Ungjillin e Jetës” shkruar nga Mani. Manikejt përdornin në predikime edhe gjuhën e folur.

Kisha manikeje përbëhej nga auditorët dhe katekumenët. Ata respektonin Festën Bema, shoqëruar me tuje dhe “këngë pranvere”.

Në Shqipërinë e asaj kohe, dualizmi ishte mjaft i përhapur. Albanejtë duket kanë predikuar një formë shumë të rreptë dhe pa kompromis të manikeizmit, duke hedhur poshtë të gjitha modifikimet doktrinore.

A ndikuan “Albanenses” në përhapjen e emrit Albania gjatë periudhës së mesjetës?[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Termi gnostik “albanenses” u përdor në mesjetë nga katarët për të treguar (përcaktuar) dualizmin absolut.

Emërtimi albanenses - albanejtë duket të ketë ardhë nga emri i vendorigjinës së kësaj vëllazërie: “Albanopolis i albanois” Albanopoli i shqiptarëve (albanenses), në Ilirik. Albanopoli në lindje të Durrësit sot quhet Sgurdhesh - Zgërdhesh, ndodhet në jug të Krujës.

Simboli i albanejve duket të ishte rrethkryqi. Në juglindje të Albanopolit, në Bovillë (hyrje e krahinës Bena - Benda) ndeshim, të pikturuar mbi shkëmb, rrethkryqe të bardhë.

Vëllazëria fetare gnostike, dualiste absolute, manikeje që jetonte në Shqipëri u quajt - albanej - për t’i dalluar nga paulianët, si një emërtim i ri i cili shfaqet rreth vitit 796 në kohën e “polemikës moekiane”(kurorëshkeljes), polemikë fetare - politike - ligjore që lindi nga martesa e dytë e perandorit bizantin Konstandini VI, që tronditi moralin fetar të kohës.

Në vitet 867- 886, perandori bizantin Vasili I “Maqedonas” konverton në ritin greko bizantin vëllazëritë manikeje (maniatei) që kishin zbritur gjatë shek. 8 në Jug të Ballkanit, në Peloponez (sot krahina Mani). Ndërkohë, më 879, Kruja, në veri të Albanopolit, bëhet qendër peshkopale e ritit bizantin.

Kisha Romane, albanejtë i quajti edhe albanenses, edhe manikej.

Bizantinët i quajtën albanejtë edhe albanois, edhe manikej.

Më 1078-1079 në anët e Serdicas (Sofjes), në Pirin, Themë e Maqedonisë, nisën revoltat e heretikëve të drejtuara nga një udhëheqës i herezisë ballkanase - Lekë (Lecus). Nikolla Jorga do e vështronte si një manifestim të shqiptarëve (albanois - albanej) në historinë e Bizantit. Albanejtë, paulianët dhe bogomilët bashkëvepronin midis tyre.

Më 1081 (në kohën e shën- Gregori VII papë), normanët me Robert Guiskardin, kur zbarkuan në Shqipëri, hasën në qëndresën e albanejve (manikejve) të cilët nuk pranuan të vihen nën armë pas tyre. Për këtë albanejtë u ndëshkuan. Mes tyre kishte edhe nga Glavinica (Ballshi). Në anën e perandorit bizantin, Aleks Komneni, i cili kërkoi ndihmën e të ashtuquajturve arbanitë kundër Robert Guiskardit pati edhe trupa manikejsh që u organizuan në Filipopol (Plovdiv), qytet në atë kohë me përqendrim të madh paulianësh.

Ana Komnena shkruan: manikejtë të përbërë prej 2.800 trupash ishin nën komandën e Ksantit dhe Kuleonit, që të dy, të së njejtës herezi. Por ushtarë  manikej nën shërbim perandorak dezertuan gjatë betejave me normanët.

Më 1096, në kohën e papës Urbani II, kur ushtritë e Kryqëzatës së Parë kaluan nëpër Shqipëri dogjën fshatra heretikësh që ndeshën rrugës për në vendet e shenjta. Kryqëtarëve iu deshën  shtatë javë për të përshkuar territoret për të mbërritur në Kastoria (Kostur). Më pas kaluan në Pelagoni (Manastir) ku dogjën një fortesë heretikësh bashkë me banorët e saj brenda.

Sipas Theofilaktit (kryepeshkop i Ohrit), Boemundi, më 1108, shkatërroi krahinat: Mokër dhe Bagorë (Gorë). Në këtë kohë përmenden sekt heretikësh në Kolonia (Kolonjë).

Më 1153, perandori bizantin Manueli I Komneni krijon marrëveshje me papën Anastasi IV për konvertime në ritin katolik, kryesisht në Arbëri, duket shënuar  edhe fillimin e fundit të Kishës albaneje në Arbanens (Arbëri). Kjo u shoqërua me krijimin e priorisë së Arbërit, me qendër në Krujë.

Më 1156, kleriku i lartë, Eustath, nga Durrësi, shkarkohet nga Koncili i Kostandinopolit për herezi pauliane.

Atëherë përndjekjet qenë të pashembullta, të shoqëruara edhe me shpërngulje popullatash. Është koha kur në Itali shkojnë e strehohen masa të përndjekurish dhe heretikësh, veçanërisht nga Arbëria dhe Maqedonia.

Në Itali, Kisha albaneje (albanenses) bashkëvepron me katarët (cathars). Kisha albaneje është quajtur edhe albanenses cathars ose cathars di Senzano (Lombardi) për shkak të përqendrimit të kësaj kishe në këtë qytet, më 1158 (sot Desenzano del Garda). Peshkopi, “mbikëqyrësi” më i hershëm i tyre njihet Joan Beli (Iohannes Bellus), më 1180.

Van Schaik shkruan: Katarët radikal i përkisnin Kishës albaneje ose Kishës së Drugunthisë (kishë dualiste absolute në Thraki me të cilën bashkëpunonin albanejtë). Inkuizitori dominikan, Raniero Sakoni, më 1250 shkruan: herezia albaneje (albanensian sect), një kishë shqiptare (ecclesia albanensium) dhe besnikët e saj quheshin shqiptarë (albanenses) me rreth 500 anëtarë.

Joan (Iohannes de Lugio Bergamensis) “ biri i madh” (“filius major”), udhëheqës i katarëve të Sencanos (1250-1260) shkroi, më 1241, librin “Libri Dy Principet” (Liber de Duobus Principiis - pa emër autori). Libri paraqet parimet e teologjisë dualiste absolute të albanejve, i performuar sipas pikëpamjes së peshkopit Garat (Garattus) të Konkorecos (Concorezzo), më 1190. Konkorejtë (concorenses) praktikonin dualizmin tipik të Bullgarisë. Ndërsa bergamejt (bergamenses), ashtu si banjolejt (bagnolenses) praktikonin dualizmin tipik të Sklavonis (Sclavonia). Vëllazëritë radikale (dualiste absolute) ishin katarë, joitalian. Raniero Sakoni, kishat pauliane, bogomile dhe katare i cilëson “neomanikeje”.

Në Francë, vëllazëri dualiste absolute albaneje (albanenses) ishin në Don- ezachum (Oçitani). Pas vitit 1204, në kohën e peshkopit Filip (Filippo), albanejtë (albanenses) i ndeshim në Montsegur ku bashkëvepruan me katarët (e Oçitanisë). Albanejtë mbijetuan në Montsegur,  deri më 16 mars 1244, kur  anëtarët e vëllazërisë albaneje dhe katarët e ardhur  pas 1232, kryesuar nga peshkopi Bertand Marti, u dogjën të gjallë nga inkuizicioni, në një zjarr të madh, rreth  211 njerëz, së bashku me kryemurgeshën e vëllazërisë, Riksenda e Teles dhe djakonin Gulam Dejani nga Tarabeli. Ato nuk pranuan të heqin dorë nga besimi i tyre, në kohën e papës Inoçenti IV.

Kisha albaneje (albanenses) qëndroi deri më 1276, kur inkuizicioni arrestoi anëtarët e vëllazërisë albaneje, së bashku me peshkopin e tyre Lorenc në Sirmion të Desencanit, që duket kishin zhvilluar një kishë tyren me praktika gnostike, dualiste absolute. (Në Sirmion ishin vendosur edhe bergamej, ardhur nga Bergamo). Më 13 shkurt 1278, albanej me peshkopin Lorenc dhe katarë të ardhur (nga Oçitania) me peshkopin Bernard Oliba, si dhe banjolej me peshkopin e tyre u dogjën të gjallë në turrë të druve në Verona Arena, rreth 166 njerëz, kur refuzuan të heqin dorë nga besimi i tyre. Kjo ndodhi në kohën e papës Nikolla III. Më 1298, në një letër papale të Bonifacit VIII, i jepet urdhër arqidiakonit të Durrësit të luftojë për shfarosjen e herezisë.

Më 1308, “Anonymi Descriptio Europae Orientalis” (teks mesjetar latin, me autor  që  mendohet  frëng, misionar dominikan, që viziton Shqipërinë, për krahinat: Clisaram (Këlcyr), Tumurist (Tomorisht), Cumaniam (Kunavi), Stophanatum (Stefaniak), Polatum (Pult), Debre (Dibër), shkruan se njerëzit e këtyre provincave “nec sunt pure catolici, ne sunt pure scismatici” - “ nuk janë as krejtësisht katolik, as krejtësisht ortodoks”.

Albanejtë më së shumti u kthyen në katolik. Inkuzicioni përfundon përndjekjet ndaj tyre, si dhe shkrimeve të tyre.

Më pas albanejtë (albanenses) nuk përmenden.

Referimet[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. Attaliatae, M.  Historia Bon1853; Cedreni, G. Compendium historiam, Venedik 1729, vëll 2.
  2. Buck, Ch.  Entry for “Albanenses” Charles Buck Theological Dictionary. 1802.
  3. Bozhori, K. - Liço, F.  Burime tregimtare për Historinë e Shqipërisë, shek. 10-15, Tiranë , 1975.
  4. Dondaine, A.  Un traite Neomanicheen du 13-e sec. “Liber de Duobus Principiis”, Roma, 1939.
  5. Dragoljovic, D.  The history of paulicianism on the Balkan peninsula (“Balcanica”1974 ; citon “Analet e Barit”).
  6. Farlati, D.  Illyricum sacrum, Venedik, 1817, vëll 7.
  7. Gorka, O.  Anonymi Descriptio Europae Orientalis, në Burime të zgjedhura për Historinë e Shqipërisë, vol. 2, Tirane, 1962.
  8. Herbermann, Charles, ed. (1913). "Albanenses". Catholic Encyclopedia. Robert Appleton Company.
  9. Hopko, Th.  Besimi Orthodhoks, vëll.3, Shkrimi i Shenjtë dhe Historia e Kishës Tiranë, 2000.
  10. Iorga, N.  Etudes byzantines, Bucarest, 1939, vëll 1.
  11. Iorga, N.  Histoire de la vie byzantine, Bucarest, 1934, vëll. 2.
  12. Luli, F.  Fjalor Biblik dhe i termave Kishtare, Shkodër, 2004.
  13. Runciman, S.  La civilización bizantina, vol. 1, Madrid, 1942.
  14. Sacconus, R.  Summa de Catharis et Leonistis, 1250.
  15. Shuteriqi, Dh. S.  Shënim mbi Herezinë Mesjetare në Shqipëri, në Studime Historike, Tiranë, 1980, Nr. 2.
  16. Xhufi, P. Biçoku, K.  Shqipëria gjatë shek. 5-14 (kr 1, 2, 3 dhe 4) në Historia e Popullit Shqiptar, vol. 1, Tiranë, 2002.