Aleksandër Flloko
Kjo faqe është e palidhur nga faqe të tjera. |
Aleksandër Flloko lindur në Pejë në vitin 1946, është Prof. Ass. Dr. dhe Sekretar i Përgjithshëm i Presideniti të Republikës Bamir Topi. Pas përfundimit te studimeve në Biologji në Universitetin e Tiranës emërohet në sektorin e peshkimit Vlorë, ku punon deri në vitin 1980. Krahas punës si biolog në peshkim, në vitet 1974-79 ka qenë pedagog në Universitetin e Vlorës. Në vitet 1981-1991 punon në Institutin e Kërkimeve të Peshkimit Durrës. Në periudhen 1986-1992 ka qenë edhe Pedagog në Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe në UBT. Në maj 1991 emërohet Drejtor i Përgjithshëm i Peshkimit në Ministrinë e Bujqësisë dhe Ushqimit, detyrë që e kryen deri ne 1998. Në vitet ’90 e në vijim ka bashkëpunuar si koordinator dhe konsulent në projekte dhe studime të ndryshme të FAO-s për Peshkimin dhe Akuakulturën në Mesdhe. Në vitin 1998 merr gradën “Doktor i Shkencave” në fushën e biologjisë së aplikuar për realizimin për herë të parë të riprodhimit artificial të peshqve detarë në Shqipëri. Për kontributin e tij në fushën e kërkimit shkencor, si edhe në mësimdhënie, në vitin 2005 ai merr titullin “Profesor i Asociuar”. Nga 1998 deri në 2000 drejton Stabilimentin e Konservimit të peshkut në Durrës. Në periudhën qershor 2000 deri në qershor 2004 ka punuar si Koordinator Kombëtar në një projekt pilot të Bankës Botërore. Nga korriku 2004 deri në janar 2007 ka qenë Shef Departamenti në Institutin e Kërkimeve Veterinare. Gjatë gjithë kësaj periudhe, Prof. Flloko ka qenë bashkëpunëtor i disa projekteve të FAO, BE dhe BB, si edhe anëtar i disa bordeve kombëtare e ndërkombëtare. Nga viti 1999 deri në vitin 2006 ka qenë Drejtor i Bordit të Drejtorëve në Këshillin e Ekspertëve të Agrobiznesit. Nga viti 2003 deri në vitin 2007 rikthehet si Pedagog në Universitetin Bujqësor të Tiranës, duke futur për herë të parë në këtë Universitet lëndët « Iktiologji » dhe « Menaxhim peshkimi ». Në janar 2007 emërohet sekretar i parë në Misionin e Shqipërisë pranë BE-së në Bruksel, në fushën e bujqësisë, ushqimit dhe resurseve peshkore, detyrë që e kreu deri në gusht 2007. Është autor i mbi dyzet studimeve dhe ka botuar një numër të madh artikujsh në revista shkencore, brenda dhe jashtë vendit, si dhe ka marrë pjesë në mjaft aktivitete ndërkombëtare, kongrese, konferenca, simpoziume, etj. Është gjithashtu bashkëautor i monografisë “Iktiofauna e Shqipërisë” dhe autor i disa teksteve universitare si Iktiologjia, Menaxhimi i Peshkimit, Akuakultura, etj. Prof. Flloko është njohës i mirë i disa gjuhëve të huaja.