Antigona Uka
Antigona Uka është e lindur në Prishtinë. Ajo ka diplomuar në vitin 2010, në Fakultetin Filozofik, dega Psikologji, në Universitetin e Prishtinës. Që nga mosha 19 vjeçare ka filluar punën si gazetare në të përjavshmen “Zëri”, ku ka aplikuar gazetari hulumtuese për gjashtë vjet radhazi. Krahas punës në “Zëri”, znj. Uka ka bashkëpunuar edhe me revistën për gruan dhe familjen “Teuta”. Në vitin 2006 ka vazhduar profesionin e gazetares në të përditshmen “Infopress”. Që nga viti 2007, znj. Uka është redaktore në këtë medium. Ajo bashkëpunon edhe me revistën psikologjike “Psika”, si dhe me OJQ-në Qendra për Hulumtime Psiko-Sociale dhe Mjekësore. Gjatë shkrimeve të saja autoriale, znj. Uka ka ngrehur shqetësimin për një varg çështjesh që e shqetësojnë qytetarin e Kosovës, ndërsa theks të veçantë këto shkrime kanë pasur pabarazinë gjinore në Kosovë. Për probleme të kësaj natyre znj. Uka ka realizuar edhe shkrime hulumtuese. Në dhjetor të vitit 2007, Antigona është nderuar për storien më të mirë të shkruar, për barazinë gjinore dhe dhunën në familje, çmim që e ndan çdo vit ATRC & UNDP. Në cilësinë e gazetares, Antigona ka marr pjesë edhe në një varg trajnimesh për të drejtat e njeriut, për shëndetin mendor dhe reproduktiv etj.