Jump to content

Arbërit e Jonit, Vlora, Delvina e Janina në shekujt XV-XVII

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Arbërit e Jonit, Vlora, Delvina e Janina në shekujt XV-XVII [1] libër me autor Prof. Pëllumb Xhufi. Botuar në Tiranë nga shtëpia botuese "Onufri" në vitin 2016. Faqet e librit 1440.

Mbi librin:

Në shek. XV-XVII, Shqipëria joniane, apo viset që atë kohë u përfshinë në sanxhaqet e Vlorës, Delvinës e Janinës, u përfshinë nga një dinamikë historike e jashtëzakonshme. Si vendi ku kishin lulëzuar disa nga principatat më të shquara shqiptare, ky territor u kthye, pas pushtimit osman, në segmentin më të ndjeshëm të marrëdhënieve të Perandorisë së Gjysmëhënës me Perëndimin e krishterë.

Këtu e patën pikënisjen e tyre ekspeditat osmane për pushtimin e brigjeve të Italisë, dhe po këtu e patën një nga pikëmbërritjet kryesore përpjekjet e fuqive perëndimore, të prira nga Papati, për të destabilizuar pushtetin osman e për të krijuar një të çarë në këtë provincë periferike e të paqëndrueshme të Perandorisë. Përpjekje, të cilat sintonizoheshin me lëvizjet e vazhdueshme për çlirim e shkëputje të popullsive shqiptare të asaj treve. Mbi bazën e burimeve të shumta, në një pjesë të madhe të panjohura e të zbuluara prej tij në arkivat e Venedikut, studjuesi i njohur i Mesjetës shqiptare, Prof. Pëllumb Xhufi, evidenton rolin e luajtur në ngjarjet historike të atyre shekujve nga shqiptarët e Labërisë, të Himarës, të Delvinës e të Çamërisë. Fushata ushtarake, beteja e kryengritje shpesh herë të panjohura mbushin e pasurojnë njohuritë e deritashme për historinë e së ashtuquajturës “Shqipëri e Poshtme” në shek. XV-XVII. Por, në këtë libër, mbi bazën e burimeve dokumentare të cituara bollshëm, lexuesi do të njihet edhe me aspekte po aq interesante të organizimit administrativ, të veprimtarive ekonomike e tregtare, të lëvizjeve demografike, të strukturës sociale, të institucioneve juridike, të zhvillimeve kulturore e fetare të shoqërisë shqiptare në ekstremin jugor të saj, ku mbetën gjithnjë të forta lidhjet dhe shkëmbimet me shtetet italiane, në veçanti me Mbretërinë e Napolit e me Republikën e Venedikut.


  1. ^ https://www.bksh.al/details/100841/