Pëllumb Xhufi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Pëllumb Xhufi (24 gusht 1951, në Durrës) është ish-diplomat e deputet, historian dhe akademik shqiptar.

Jetëshkrimi[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

U lind në Durrës, i biri i Muharrem Xhufit nga Progonati dhe i Katerinës nga Libohova. Prindërit e Xhufit qenë partizanë në brigadat 5 dhe 6. Muharremi pas lufte shkoi për studime në Akademinë Voroshillov në Moskë, ku u diplomua për oficer dhe arriti një karrierë të lartë ushtarake me gradën Kolonel,[1] dhe më tej punoi si sekretar në komitet partie. E ëma dhe e motra punonin në Drejtorinë e Sigurimit të Shtetit.[2]

Pëllumbi mbaroi shkollën e mesme në gjuhët e huaja në Tiranë për latinisht dhe greqishten klasike dhe më 1972 vazhdoi studimet e larta në Universitetin “La Sapienza” në Romë, në fakultetin e filologjisë (it. Lettere e filosofia), dega e gjuhëve dhe letërsisë klasike (it. Lettere classiche). Studimet i përfundoi më 1977 dhe u kthye në Shqipëri ku filloi punë në Radio-Televizionin Shqiptar, për marrëdhënie me jashtë, ku qëndroi për katër vjet.

Më 1981 u transferua si punonjës shkencor në Institutin e Historisë të Akademisë së Shkencave, prej ku u dërgua për specializim për studime PhD, në Universitetin e Këlnit, si bursist i Fondacionit “Humboldt”. Në vitin 1997, nisi punën në Ministrinë e Punëve të Jashtme në detyrën e Drejtorit të Drejtorisë Rajonale, ku pas një viti u emërua zëvendësministër i Punëve të Jashtme.

Karriera e tij diplomatike vazhdoi duke qenë ambasador i Shqipërisë në Itali, për katër vjet. Në vitin 2005, u kthye ne Shqipëri ku kandidoi për deputet dhe fitoi dhe mori pjesë aktive në jetën parlamentare në vitet 2005-2009.

Nga viti 2009, punon si studiues në Qendrën e Studimeve Albanologjike, në detyrën e Shefit të Departamentit për historinë e Mesjetës dhe të Kohës së Re. Njëkohësisht është lektor i lëndëve Histori e Bizantit dhe Histori e Italisë dhe Qytetërimit Italian në Universitetin e Tiranës.[1]

Vepra[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Historike[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

“Arbërit e Jonit” trajton shek. XV-XVII dhe ofron një informacion të panjohur më parë mbi jetën e shqiptarëve në Shqipërinë e Poshtme, jetën e tyre politike, ekonomike, kulturore, pushtimin osman dhe marrëdhënien me Perëndimin. Dokumentacioni i përdorur përbëhet nga 33 dosje voluminoze. Sipas autorit, nxitja për këtë vepër ka ardhur si "për të sjellë diçka të re në fushën përkatëse, konkretisht në periudhën e Mesjetës, në të cilën shihja zbrazëtira.[3]

Ashtu si hartuesit e Historisë së Shqipërisë (2002), që formacionin e parë politik arbëror të datuar rreth shek. XII, ka hyrë në përdorim si principatë shqiptare, Xhufi i delegon Mesjetës format modern duke barazparaqitur konceptin e vetëdijes etnike me atë të vetëdijes kombëtare.[4]

Përkthime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në përkthimin e tij të librit Statutet e Shkodrës, sipas Ardian Klosit, Xhufi "ka ndryshuar totalisht fjalët që gjenden në origjinal", ku banorët e Shkodrës dallohën nga “sllavët dhe shqiptarët”, pasazh i përkthyer nga Xhufi si “bujq dhe malësorë”. Sakaq, gjuhëtari dhe publicisti Ardian Vehbiu e sillte këtë si shembull të dëmit që i sjell “zotimi kombtarist” historianit.[5] Sipas historianit Doan Dani, përkthimi i Gjon Muzakës nga Xhufi i nënshtrohet interesit të tij në mënyrë që ky territor t’i përmbahet skemës marksiste të zhvillimit historik, edhe duke shtrembëruar me vetëdije burimin historik, për ta tregtuar pastaj interpretimin si të vërtetë të legjitimuar nga ky burim.[6] Në një artikull ka përkthyer «Άλβανιτων έϑνοϛ» – një pasazh nga kronikat e Akropolites – në «kombi shqiptar», duke sheshuar kësodore dallimin semantik mes koncepteve popull, etni dhe komb.[4]

Gjatë punës studimore në arkivat e huaj, Xhufi ka vënë re manipulimet që bëhen nga ana e politikës. Ai pohon se dokumentet e përkthyera dhe të botuara në gjuhën greke kanë deformime termash, ku vë në dukje se grekët përdorin fjalën "epirotë" kur në dokumentin origjinal shkruan "shqiptar".[3]

Çmime për veprën[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Për veprën Arbërit e Jonit u shpërblye me çmimin "Çabej".[3]

Qëndrime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në një intervistë më 2013 Xhufi ka cilësuar "burrë shteti" kryeministrin Mehmet Shehun. Sipas Xhufit, figura e Shehut ka anët e bardha dhe të zeza. Më tej ai është shprehur:[7]

«[...]“Në fakt ka një tendencë për të gjykuar të shkuarën dhe udhëheqësit e diktaturës në versionin “bardh e zi”, por për Mehmet Shehun ka edhe një pjesë shumë të rëndësishme me ngjyra”.[...]»

Xhufi përshëndeti humbjen e Sali Berishëszgjedhjet e vitit 2013, duke thënë se ai bëri me Shqipërinë atë që as Esad Pasha nuk e kishte bërë dhe se ashtu si Adolf Hitleri dhe Benito Musolini, Berisha e kishte çuar vendin drejt katastrofës:[8]

«[...] Rezultati më i dukshëm i politikave ekonomike është dhurimi i pasurive të vendit Fazlliçëve, Mishkoviçëve e Gaxojanëve të ndryshëm dhe sivëllezërve të tyre shqiptarë dhe kthimi i “së bukurës së dheut” në një kosh plehrash për mafien botërore; ku për hir të një pushteti të vjedhur, politika u shkri me krimin dhe nuk hezitoi as edhe të vrasë shqiptarë e të shesë interesat jetike të vendit, të luajë me varret, me kufijtë, me identitetin dhe me historinë e shqiptarëve,[...]»

Xhufi ka deklaruar se bashkimi kombëtar i shqiptarëve është i pashmangshëm, duke argumentuar se shqiptarët e Shqipërisë kanë një gjak, një histori dhe një kulturë me shqiptarët e Kosovës dhe shqiptarët tjerë. Sipas tij bashkëpunimi shumë i ngushtë mes dy vendeve është i lejuar me parametra evropianë por akoma nuk është shfrytëzuar. Ai ka thënë se qeveritë e të dy vendeve mund të punojnë për të krijuar sisteme të unifikuara në fushat e industrisë, bujqësisë, të energjisë, të tregtisë, të arsimit, të kulturës dhe të shkencës.[9]

Gjatë emisionit televiziv "Arena" të drejtuar nga Dritan Hila, Xhufi relativizoi duke dyshuar mbi vërtetësinë e vdekjes së 300 fëmijëve në Kampin e Tepelenës dhe të kushteve që krahas kampeve të tjera nuk ishin edhe aq të këqija. Gjë që çoi drejt reagimeve nga ish-të përndjekurit që kishin kaluar fëmijërinë në atë kamp dhe daljen në pah të lidhjeve familjare që Xhufi kishte me nomenklaturën komuniste bërë nga historiani Kastriot Dervishi.[2] Xhufi më pas përmes një interviste pohoi se është fort i ndërgjegjshëm për krimet e periudhës 1944-1990 dhe se qëndrimet kundra përbënin dekontekstualizime nga pohimet e tij.[10] Drejtori i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, Agron Tufa, publikoi një shkrim me faksimilen e një dokumenti të deklasifikuar të CIA-s të 1951 ku kampi në fjalë përshkruhet si më i vjetri dhe më i madhi, me vdekshmëri të lartë të fëmijëve.[11]

Xhufi po ashtu ka deklaruar që Greqia nuk e ka njohur asnjëherë kufirin me Shqipërinë.[nevojitet citimi]

Botime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ a b Nezha, Ago (25 mars 2015). "Performanca e profesor Pëllumb Xhufit". tiranaobserver.al. Tirana Observer. Arkivuar nga origjinali më 29 maj 2016. Marrë më 3 prill 2018.
  2. ^ a b Dervishi, Kastriot (31 mars 2018). "Kampi i Tepelenës/ Pëllumb Xhufi, agjitator dhe avokat i krimeve të komunizmit". opinion.al.
  3. ^ a b c Xhufi, Pëllumb (shtator 2017). "Si i manipuluan grekët dokumentet e Venedikut". Fakti Ditor.
  4. ^ a b Dani, Doan (2016). Shpikja e Mesjetës. Tiranë: Pika pa sipërfaqe. fq. 34–35. ISBN 9789928185303.
  5. ^ Sinani, Besnik (26 gusht 2011). "Mbi histerinë anti-turke". gentibasha.wordpress.com.
  6. ^ Dani, Doan (3 qershor 2016). "Fabrikimi i historisë". gazetamapo.al. Mapo.
  7. ^ Xhufi, Pëllumb (28 janar 2013). Intervistuar nga Elisabeta Ilnica. "Mehmet Shehu burrë shteti, Partia Komuniste erdhi prej tij në pushtet në 1944: historiani tregon pse mori pjesë në 100-vjetorin e lindjes së ish-kryeministrit". Panorama. 3698: 18–19.
  8. ^ "Xhufi: Berisha, ngjashmëri të frikshme me Hitlerin e Musolinin. Bëri me vendin atë që nuk kishte guxuar as Esad Pasha". Gazeta Tema. 2 korrik 2013. Marrë më 19 mars 2019.
  9. ^ "Pëllumb Xhufi rrëfen misteret e Çamërisë në arkivat e Venedikut". Gazeta Tema. 5 maj 2017. Marrë më 19 mars 2019.
  10. ^ Xhufi, Pëllumb (31 mars 2018). "Përgjigje neofashistëve, intervistuar nga Erion Habilaj dhe Xhevdet Shehu-Dita". gazetatema.net. Tema.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  11. ^ Tufa, Agron (2 prill 2018). "Ja dokumentet e CIA-s që manipuloi Xhufi për kampin e Tepelenës". mapo.al. Arkivuar nga origjinali më 5 prill 2018. Marrë më 3 prill 2018.