Kampi i Tepelenës

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Jump to navigation Jump to search
Kampi i Tepelenës 2018

Kampi i Internimit i Tepelenës apo Kampi i Tepelenës ka qenë një strukturë internimi në përngjasim me kolkozet sovjetike pranë kalasë së qytetit me të njëjtin emër, në Republikën Popullore të Shqipërisë, ku u mbajtën familjarët e të dënuarve, arratisurve dhe ushtarakëve dezertorë. U mbajtën dhe një numër i madh fëmijësh dhe nga kushtet pati një vdekshmëri të lartë foshnjore. Kampi identifikohej me dy numra, 4 dhe 6, dhe qëndroi aktiv prej prillit 1949 deri në mars 1954.

Kampi i Tepelenës fitoi nam të keq në arenën ndërkombëtare, madje duke zënë vend në raportin e qeverisë amerikane paraqitur në OKB në shkurt 1955.[1]

Dokumentacioni i trashëguar, sidomos ai vendimmarrës në lidhje me emrat e personave që kanë qenë në këto kampe, për shkak të cilësisë së dobët të administratës së kohës është shumë i pakët.[1]

Historia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Përdorimi i mëpërparshëm[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Gjatë pushtimit italian të Shqipërisë rrëzë kalasë së Tepelenës u ndërtuan disa kazerma nga ushtria e kohës në rrethanat e luftës italo-greke.

Përdorimi si kamp[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Fillimisht u ngritën dy kampe: në Berat për banorët e veriut dhe në Krujë për ata nga jugu. Këto dy kampe funksionuan deri në vitin 1949. Këtë vit u bënë disa riorganizime të kampeve. Të internuarit e Beratit u zhvendosën në Tepelenë dhe Porto Palermo.[2] Kazermat ushtarake nga koha e Italisë u përshtaten si vendbanime për të internuarit. Sipas udhëzimeve aty do të grumbulloheshin të gjitha ato familje që etiketoheshin nga pushteti komunist si reaksionarë, kulakë, borgjezë, tradhtarë të deklasuar dhe agjentë të huaj.[3]

Më 1952 i hoqën të gjithë të aftit për punë, afro njëmijë vetë dhe i shpërndanë në punime ndërtimi, kryesisht Dega të Brendshme e burgje. Për një kohë i grumbulluan në fabrikën e Tullave në Tiranë. Vendin e tyre e zunë të internuarit nga jugu, që ishin në kampet e Valiasit e të Krujës.[4]

U krijua sipas shembullit të kampeve të Bashkimit Sovjetik, si Siberia, por në përmasa te reduktuara me shkallën 1:10.000, përmasa 25 x 14 ku qëndronin 600 veta, sepse kishte shumë familje me fëmijë të vegjël. Kur filluan internimet e para në 1945 aludohej se qeveria komuniste shqiptare kishte vendosur t’i grumbullonte te internuarit dhe t’i niste për në Siberi me anije ruse.

Kampi i Tepelenës qëndroi gjashtë vjet dhe u mbyll më 1954, kur të internuarit u grumbulluan të gjithë në fushën e Myzeqesë në Lushnje të shpërndarë në disa sektorë-kampe të fermës 29 Nëntori, që u krijua në sajë të të internuarve. Vdekshmëria e madhe e fëmijëve në kampin e Tepelenës, por edhe nevoja për të konsoliduar institucionin e internimit solli mbylljen e kampit.[5]

Puna e detyruar[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Demografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Mendohet të jenë internuar nga 3000[6] deri në mbi 5.000 persona u përndoqën në këtë kamp gjatë periudhës kur qe aktiv.[7] Pohohet të kenë vdekur rreth 600 të internuar, gjysma e tyre qenë fëmijë deri 5 vjeç.[6][8]

Stafi[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Kampi u drejtua nga dy komandantë: Xhafer apo Bektash Pogaçe (1949-1952) dhe Haki Ibrahimi (1952-1954).[1] Sipas dëshmisë së Vasil Kokalit, i internuar aty nga dhjetori i 1950 deri në maj 1952, drejtoria policore e kampit përbëhej nga 15 policë.[9]

Skicat e Lekë Pervizit[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Editoriali i numrit të fundit të Revistës "Kuq e Zi" të botuar dhe drejtuar nga Lekë Pervizi[10], piktor e njëkohësisht një i mbijetuar i Ish-Kampit famëkeq të Tepelenës, i dedikohet edhe 70 vjetorit të Kampit të Internim Dëbimeve Tepelenë, që përkon me aktivitetet e organizuara në 23 gusht 2018, dedikuar muzealizimit të Kampit dhe punës së detyruar. Skicat e realizuara nga Lek Pervizi kanë dalë nga arkivi i Ministrisë së Brendshme.

Në këtë editorial paraqiten vizatime dhe poezi të vetë Pervizit, ilustruese nga jeta në kampin e internimit në Tepelenë. Pas shfaqjes së disa plagëve në duart e tij, Leka u hoq nga lista e punës pas lëshimit të raportit mjekësor nga doktori që vinte në kamp.

"Ndёrkohё kisha vizatuar nga jeta nё kazermё. Pamjen e skelёve ku rrinin tё internuarit. Figura tё ndryshme grashё e burrash qё rrinin aty pёrrreth. Nё mungesё letre, kisha porositё disa pleq qё tё mё ruanin letrat e kaushёve tё duhanit, qё ata blinin, ose ua sillnin me pako njerёzit e tyre'' shprehet ai në numrin e revistës 'Kuq e Zi". Vetëm disa vizatime arritën ti shpëtonin dhe të vinin si dëshmi deri në ditët e sotme.

Raporti i qeverisë amerikane mbi punën e detyruar[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Kampi mori vëmendje në arenën ndërkombëtare, duke zënë vend në raportin e Qeverisë Amerikane paraqitur në OKB në shkurt 1955.[1]

Në raport thuhej se puna e detyruar përdorej gjerësisht nga regjimi komunist në Shqipëri që prej ardhjes në pushtet në nëntor 1944. Një sërë ligjesh dhe rregullash u shpallën duke legalizuar asokohe punën e detyruar. Kodi i ri Penal shqiptar, bazuar në Kodin Penal Sovjetik përmbante dispozita të përpunuara për punën "korrektuese" (eufemizëm për punë të detyruar) dhe dëbimin e qytetarëve në kampet e punës. Edhe fëmijët që kishin mbushur moshën 12 vjeçare ishin të detyruar të vuanin dënimin në kampet korrektuese të punës.

Qëllimi fillestar i kampeve të përqëndrimit ishte të internonin familjet e numrit ekzistues të të burgosurve politikë dhe të merrnin familjet e dëbuara të klasave më të larta në mënyrë që të merrnin nën kontroll shtëpitë e tyre dhe të shpërngulnin në to anëtarët e regjimit të ri dhe komunistë të tjerë. Njerëzit nga veriu si rregull internoheshin në jug, veçanërisht në kampet e Tepelenës, Fierit, Beratit.[11]

Përkujtimi[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Përkujtime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Data 23 gusht e cila përkon dhe me Ditën Europiane të Përkujtimit të Viktimave të Sistemeve Totalitare, është shpallur dhe miratuar nga Parlamenti Europian në vitin 2008 si Dita Evropiane e Kujtimit për Viktimat e Stalinizmit dhe Nazizmit. Që nga viti 2011 çdo vit një vend europian organizon një konferencë kushtuar Ditës Europiane të Kujtimit.

30 gusht 2017[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në kuadër të kësaj dite, AIDSSH në bashkëpunim me Institutin e Integrimit të të Përndjekurve Politikë, Institutin e Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri dhe Bashkinë Tepelenë zhvilluan në 30 gusht 2017 një aktivitet përkujtimor për viktimat që vuajtën dënimin në kampet e punës së detyruar gjatë regjimit komunist.[12][13][14]

Të mbijetuar nga kampi i Tepelenës dhe të afërm të tyre mbollën qiparisa në kampin e Tepelenës, i njohur si “Reparti 84”, në përkujtim të 300 fëmijëve që u zhdukën ose humbën jetën nga sëmundjet, uria dhe mungesa e higjienës. Kjo mbjellje simbolike u pagëza me emrin “Pylli i Fëmijëve”.[15] Drejtoresha e AIDSSH u shpreh gjatë aktivitetit përkujtimor se një nga kazermat e kampit do të kthehej siç kishte qenë në vitet 1949-1954, duke ndërtuar memorialin në zemër të kampit, i quajtur “Memoriali i Varreve të Humbura të Fëmijëve”.[16][17][18]

23 gusht 2018[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Presidenti Ilir Meta mori pjesë në veprimtaritë përkujtimore për të internuarit dhe viktimat e kampit famëkeq në Tepelenë, që u zhvilluan në bashkëpunim me AIDSSH dhe Bashkinë e Tepelenës, në kuadër të Ditës Europiane të Përkujtimit të Viktimave të Sistemeve Totalitare. Në kuadër të kësaj dite u zhvillua ceremonia e nderimit nga Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta të disa prej të mbijetuarve: Lekë Pervizi që skicoi kazermat nga kampi dhe portrete të të internuarve, dhe tre gra që humbën fëmijët e tyre, Gjelë Gjikola, Mrikë Gjikola dhe Drane Jakja, u vlerësuan për kurajon e tyre njerëzore.

Gjithashtu gjatë ditës një ekspozitë me titullin "Persekutimi komunist në zonën e Tepelenës" ku u paraqitën dokumente arkivore të personave që vuajtën persekutimet e komunizmit, u zhvillua në Pallatin e Kulturës në Tepelenë. Pjesë e ekspozitës ishin edhe pantallonat e Gjon Vatnikaj (Tunxhit) të cilat janë arnuar me fije flokësh të nënës së tij, Mrika Tunxhi, gjatë kohës së internimit në këtë kamp.[19] Ekspozita u shoqërua me një simpozium shkencor mbi kuadrin historik dhe juridik të punës së detyruar.

Memoriali dhe muzealizimi[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Më 2018 kampi u përzgjodh nga AIDSSH si shenjë kujtese dhe nderimi ndaj viktimave të diktaturës. Projekti u iniciua nga AIDSSH ne bashkëpunim me Bashkinë e Tepelenës si edhe familjarët e atyre që vuajtën në atë kamp.[20] Projekt-ideja e u konceptua nga Gjon Radovani. Ideja e plotë u prezantua në Tepelenë më 30 gusht 2017, në bashkëpunim me Bashkinë Tepelenë dhe Muzeun Historik Kombëtar.[21] Synohet në transformimin e tij në një qendër muzeale kujtese dhe respekti për viktimat e diktaturës. Kompleksi muzeal parashikon në koncept:[22][23][24]

  • rinkonstruksionin e kazermave të fjetjes së të internuarve;
  • rindërtimin e zyrave të oficerëve të kampit dhe të personelit;
  • rindërtimin e zonës sanitare;
  • transformimin e një prej ndërtesave ekzistente në një salle multimediale dhe muzeale për ekspozimin e artefakteve në rindërtimin e memories së viteve të diktaturës;
  • krijimin e një ambienti për studime dhe për kërkime historike;
  • krijimin e ambjenteve ndihmëse të strukturës, si hyrje, bileteri, dyqan suveniresh, tualete;
  • rindërtimin e rrethimit me tela me gjemba i kampit.

Debati në opinionin publik[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në emisionin "Arena" në TV Ora News të datës 28 mars 2018, historiani Prof. Dr. Pëllumb Xhufi është shprehur se "Kampi i Tepelenës" ka qenë një kamp pune me kushte të mira dhe jo një kamp shfarosës ashtu siç cilësohet nga shumica e studiuesve ku, ndër të tjera, thuhet se kanë vdekur burra e gra dhe mbi 300 fëmijë të mitur. Kjo deklaratë ka nxitur dhe polemizuar debatin publik rreth kësaj teme.[25][26] I ftuar në emisionin ‘Studio e Hapur’ në News24, Pëllumb Xhufi tha se raporti i tij bazohet tek dokumentet e CIA-s dhe rrëfimet e të mbijetuarve.

“Unë citova një dokument të CIA-s të vitit 1953 që ka informacion të detajuar. Pra nuk janë deklarata të miat. Thuhet se i kam thënë unë këto fjalë se ky kamp ka qenë me kushte më të mira se të tjerët, apo se edhe ka qenë dhe kamp pushimi".

Deklarata e Xhufit nxiti reagime tek ish-të përndjekurit[27] që kanë kaluar fëmijërinë në atë kamp, shoqata e ish të përndjekurve politikë si dhe institucione që përfaqësojnë interesat e këtij komuniteti si dhe historianë të tjerë. Ndër ta historiani Kastriot Dervishi nxorri në pah lidhjet familjare që Xhufi kishte me nomenklaturën komuniste.[28]

Ndërkohë historiania Enriketa Pandelejmoni u shpreh se në analizën historike duhet marrë parasysh dhe kujtesa kolektive e ndërtuar përmes dëshmive gojore, në mungesë të dokumentimit arkivor.[29]

Filmi mbi Kampin e Tepelenës[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Gazetarja Luljeta Progni së bashku me regjisorin Gentian Kurti ekranizuan në filmin me titull Azizi vendos të rrëfejë, dëshmi e njërit prej të mbijetuarve të Kampit të Tepelenës i cili ka treguar për vuajtjet në këtë kamp.[30]

Persona të njohur që kanë vuajtur dënimin në Kamp[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Miratimi nga Ministria e Kulturës[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në datën 13.11.2018, AIDSSH i ka dërguar Ministrisë së kulturës një kërkesë në lidhje me miratimin e projektit të restaurimit të Kampit të Tepelenës.

Në përgjigje të kërkesës, vendimi me nr. 431 vendos miratimin e projektit "Memoriali i fëmijëve të Vdekur në kampin e internimit Tepelenë" si pjesë e kompleksit muzeal të kampeve në diktaturë.

Lidhje të jashtme[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

*Publikimi: Kampi i Tepelenës/ Dëshmitë e të mbijetuarve

Referimet[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ a b c d Dervishi, Kastriot (28 korrik 2017). "Del dokumenti, fëmijët në kampet e internimit në Tepelenë e Krujë". panorama.com.al. Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  2. ^ Roshi, Laureta (31 gusht 2017). "30 Gusht, bota shenoi Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve". botasot.info. Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  3. ^ "Skicat e panjohura qe tregojne jeten ne kazermat e kampit te Tepelenes". Kuq e Zi v. XXI. 91: 9–10. 2014. Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  4. ^ http://www.shkoder.net/fjala/2008/lpervizi.htm
  5. ^ Lekë Pervizi, "Piktori i kampeve të vdekjes" 'Kuq e Zi (Revistë kulturore, 2017) 5.
  6. ^ a b Radovani, Gjon (1 shtator 2017). Intervistuar nga Fatmira Nikolli. "Si do bëhet muzeu i Kampit të Tepelenës". Gazeta shqiptare. Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  7. ^ http://top-channel.tv/2017/08/30/reparti-qe-u-mori-jeten-300-femijeve/
  8. ^ Sina, Beqir (1 shtator 2015). "Në kampin e ish-të përndjekurve politikë në Tepelenë u zhdukën 300 fëmijë". botasot.info. Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  9. ^ Kokali, Vasil (14 prill 2018). "Golgotha e Tepelenës (Tepelenë, Turan, Bënçë, Luzat)". observatorikujteses.al. Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  10. ^ http://www.radiandradi.com/revista-kuq-e-zi-dhe-pervjetoret-e-saj-nga-botuesi-i-saj-lek-pervizi-1993-2017/
  11. ^ United States Government Printing Office Washington, "Communist takeover and occupation of Albania", "Special Report nr. 18 of the select committee on communist aggression" (Report, 1955) 20.
  12. ^ http://www.gazetatema.net/2017/08/31/historite-e-patreguara-te-kampit-te-tepelenes/
  13. ^ https://www.faxweb.al/memorial-ne-kampin-famekeq-te-tepelenes-me-30-gusht-perkujtohen-te-ekzekutuarit-nga-regjimi-komunist/
  14. ^ "Kopje e arkivuar". Arkivuar nga origjinali origjinali më 22 shtator 2017. Marrë më 17 gusht 2018. Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  15. ^ http://tvklan.al/reparti-84-si-nje-vend-kujtese/
  16. ^ http://gazeta-shqip.com/lajme/2017/08/30/reparti-qe-u-mori-jeten-300-femijeve/
  17. ^ http://www.zhurnal.mk/content/?id=1783023364958
  18. ^ https://www.zeriamerikes.com/a/tempelena-camp-victims/4007162.html
  19. ^ http://www.gazetadita.al/viktimat-e-kampit-ne-tepelene-meta-te-reflektojme-se-bashku-ne-kete-dite-perkujtimore/
  20. ^ http://ata.gov.al/2018/08/09/dita-muze-memorial-tepelene-ne-nderim-te-viktimave-te-komunizmit/
  21. ^ http://www.gsh.al/2017/08/17/muzeu-ne-kampin-e-tepelenes-leke-pervizi-besnikeria-e-vizatimeve-te-mia-i-kalon-caqet-e-aparateve-fotografike/
  22. ^ http://www.radiandradi.com/qendra-memo-dhe-beteja-e-se-vertetes-lakuriqe-nga-gjon-radovani/
  23. ^ http://www.newsbomb.al/article-88528
  24. ^ https://www.shqiperia.com/Skicat-e-panjohura-qe-tregojne-jeten-ne-kazermat-e-kampit-te-Tepelenes.20983/
  25. ^ https://www.idmc.al/reagim-kunder-deklarates-se-prof-pellumb-xhufi.html
  26. ^ http://shqiptarja.com/lajm/xhufi-kunder-memorialit-te-tepelenes-autoriteti-i-dosjeve-dhe-peci-do-te-behet
  27. ^ http://www.balkaninsight.com/en/article/albanian-historian-angers-survivors-of-communist-camp-03-29-2018
  28. ^ http://opinion.al/kampi-i-tepelenes-dervishi-pellumb-xhufi-agjitator-dhe-avokat-te-cdo-krimi-te-komunizmit/
  29. ^ http://www.panorama.com.al/debati-mbi-tepelenen-kujtesa-mbi-te-dhe-objektiviteti-historik/
  30. ^ http://www.gazetatema.net/2018/10/26/azizi-vendos-te-rrefeje/