Mrikë Gjikola
Mrikë Gjikola (lindur më 17 prill 1921-28 gusht 2018) ishte një e internuar nga Kurbneshi i Mirditës gjatë regjimit komunist në Shqipëri. Mrika u internua bashkë me kunatën Gjelë Gjikola në vitin 1948, fillimisht në Burrel e më pas në Kampin e Tepelenës.
Internimi
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Internimi për Mrikën dhe Gjelë Gjikolën nisi pas arratisjes nga vendi të bashkëshortëve të tyre së bashkë me 60 burra të tjerë, Preng dhe Bibë Gjikola, të cilët u pushkatuan në kufi në 1948. Ata ishin mbështetës të Muharrem Bajraktarit, Abaz Kupit, Qazim Mulletit dhe shumë të tjerëve që u deklaruan hapur kundër regjimit të porsainstaluar. Dyqanet që i administronin prej vitesh ua mbyllën dhe sekuestruan që në vitet e para pas Luftës.[1]
Të dyja kunatat, Gjela lehonë me vajzën triditëshe, Dilën, dhe Mrika shtatzënë, u internuan menjëherë në gusht të 1948. Mrika e lindi fëmijën e vet, Prenën, rrugës së internimit për në Burrel. Ato u internuan fillimisht në Burrel, ku qëndruan katër muaj në hetuesi. Ky izolim në Burrel mori fund kur burrat e tyre që kishin kaluar në Jugosllavi i kishin vrarë dhe më pas u dërguan në Kampin e Tepelenës, ku iu nënshtruan punës së detyruar sikurse mijëra të internuar të tjerë. Në vitin 1951, në kushtet e mungesës së ushqimit, ngrohjes, higjienës dhe ilaçeve, vajzat e tyre 3 vjeçare u sëmurën nga tifoja dhe ndërruan jetë, bashkë me dhjetëra fëmijë të tjerë që nuk i mbijetuan epidemisë së dizanterisë.[2] E para u sëmur Prena, e cila u dërgua për kurim në Gjirokastër por u kthye e pajetë. [3] Dy zonjat Gjikola i varrosën vetë fëmijët pranë kampit[4] dhe vijuan dënimin me punë të detyruar deri në fund të vitit, kohë kur u liruan dhe u kthyen në Kurbnesh.[5]
Në dëshmitë e veta për vuajtjen e dënimit në Tepelenë, Drane Jakja kujton: “Jetova bashkë dhe me dy gra të reja nga Mirdita, me Gjelën dhe Mrikën… Kishin dy vajza, Prena e Dila, ishin tre vjeçe. U sëmurën të dyja nga tifoja e morrit dhe vdiqën. I varrosëm pranë njëra -tjetrës.”
Rigjetja e varreve
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Pas 55 vjetësh, Mrikë dhe Gjelë Gjikola arritën të riktheheshin në Turan të Tepelenës dhe të rigjenin varret e vajzave të tyre.[6] Identifikimi, gjetja dhe zhvarrosja e vajzave më 13 qershor të 2006 dhe rivarrimi në tokën e tyre erdhi pas një procesi të gjatë, edhe rehabilitues, të mbështetur nga të tretë.U bë dhe sistemimi i tyre në arkivole të vegjël.[7]
Në librin e studiueses Fatbardha Saraçi me titull “Kalvari i grave në burgjet e komunizmit”, Mrika shprehet në këtë formë: "Nuk mund të vdisnim pa gjetur eshtrat e dy vogëlusheve që na vdiqën në internim… Iu referuam shenjave të tjera, por mbi të gjitha instiktit të nënës. Pas disa gërmimeve u bë e mundur gjetja e eshtrave të fëmijëve të varrosur para 55 vitesh. U bë sistemimi i tyre në arkivole të vegjël dhe ne, dy kunatat – punuam veshjet e tyre si nuse, me kostume të vogla mirditore. Dy arkivolët i mbuluam me flamurin kombëtar. I vendosëm arkivolat në oborrin e shtëpisë ku jetojmë. E gjithë zona u mblodh për ngushëllim.”
Dekorimi
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në 23 gusht 2018 Mrikë Gjikola u dekorua me Titullin e lartë “Për Merita të Veçanta Civile” nga Kreu i Shtetit, Ilir Meta. Ky titull iu dha në shenjë nderimi e respekti, e me mirënjohje të veçantë për vuajtjet e sakrificat në kampet e internimit.[8]
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ https://www.voal.ch/rrefimi-trondites-gjele-gjikoles-foto-dhe-video-ne-kampin-e-tepelenes-ku-vdiq-vajza-3-vjece-nga-admirina-peci/
- ^ http://www.shqiperia.com/blog/gjele-gjikola-mes-6-mije-te-uriturve-ne-kampin-e-tepelenes-vajza-3-vjec-me-vdiq-tu-lyp-uje/
- ^ http://www.radiandradi.com/gjela-gjikola-na-vdiqen-foshnjat-kerkimi-i-eshtrave-pas-55-vjetesh-nga-fatbardha-saraci-mulleti/
- ^ http://madame.mapo.al/ja-ceshte-kujtesa-historike-gjele-gjikola-i-varrosem-vajzat-prane-nje-varri-monumental-te/[lidhje e vdekur][lidhje e vdekur]
- ^ https://kujto.al/gjele-gjikola-ne-kampin-e-tepelenes-lashe-shpirtin/
- ^ http://opinion.al/deklarata-komuniste-mbi-kampin-e-tepelenes-pas-55-vitesh-gjenden-trupat-e-dy-vajzave-mirditore-ne-turan-te-tepelenes/
- ^ http://www.observatorikujteses.al/gjele-gjikola-ne-kampin-e-tepelenes-ku-me-vdiq-vajza-3-vjec/
- ^ http://top-channel.tv/2018/08/24/historia-e-dhimbshme-e-nenave-qe-varrosen-femijet-e-tyre-meta-ne-kampin-famekeq-te-tepelenes/
Lidhje të jashtme
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Libri "Kalvari i grave në burgjet e komunizmit”, Fatbardha Saraçi