Shko te përmbajtja

Progonati

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Progonati

Progonati është një fshatRrethin e Tepelenës, Qarku i Gjirokastrës, në jug të Shqipërisë, në krahinën etnografike të Labërisë. Me reformën territoriale më 2015 u bë pjesë e Njësisë administrative Kurvelesh.[1]

Sipas Çabejt për nga toponimia ky fshat hyn ndër katundet e fisit, duke e pasur emërtimin një lloj plurale kolektive nga pikëpamja gjuhësore, Progonát "pasardhësit e Progonit".[2]

Progonati shtrihet në një rrafshnaltë 900m mbi nivelin e detit. Është rrethuar nga një kurorë malesh dhe rrihet vazhdimisht nga erërat e perëndimit. Karakteristikë ndryshe nga shumë fshatra të Labërisë, shtëpitë janë pranë njëra tjetrës të rrethuara nga pemë (arra, gështenja e qershi kryesisht). Në dimër bie dëborë ndërsa vera vjen e freskët. Klima dhe uji i ftohtë të shëndetshëm kanë qenë dhe mbeten dy pasuri të pandryshueshme dhe të pazëvendësueshme për vendasit. . Fshati interesant është rritur deri 350-400 shtëpi, e pastaj si për çudi, për shkak të migrimit dhe emigrimit, sfumohet në 70-199 shtëpi. Migrimet më masive që mbahen mend kanë qënë në Himarë, Progër-Korçë, Lazarat, Mallakastër, etj. Ka disa vende historike të përmendura ku mblidheshin burrat e krahinës së Labërisë ne kuvende si Lisat e Kadhe, Përralli i Buxe, Rrapi i Progonatit.

Hapja e shkollës së parë shqipe në Progonat të Kurveleshit të Sipërm. Në 1625, një misionar i Vatikanit, që raportonte për një përleshje të banorëve të Progonatit, në Labëri, me ushtrinë osmane, shprehte habinë e tij, se si ishte e mundur që në këtë vend “turqit luftonin kundër turqve”! Sipas historianëve, që në vitin 1790, misionarë arbëreshë të ardhur nga Italia e Jugut fshehtas autoriteteve pushtuese osmane u mësonin banorëve të Kurveleshit dhe Himarës gjuhën shqipe, duke përdorur si libër bazë "Doktrina e Krishterë" e Budit.

"Mirëpo, pavarësisht se nga kjo nismë cenoheshin interesat e pushtuesve osmanë, ajo që reagoi më pozitivisht pranë autoriteteve qendrore osmane ishte Patriarkana e Stambollit, që kërkoi masa ndëshkimore dhe që pas persekutimeve dhe ndëshkimeve të rrepta të administratës pushtuese turke u ndërpre mësimi i shqipes nga misionarët arbëresh", thekson ish-nxënësi i kësaj shkolle, Martin Cukalla, theksojmë se nismëtaret e kësaj veprimtarie ishte Shkolla e Mesme e Progonatit, fjalimine hapjes dhe përshëndetjen e beri Drejtori i Shkollës se Mesme mësuesi Gezim Dana. Këto mësime të para të shqipes janë zhvilluar nga misionarët arbëresh në mjediset e kishave të Progonatit dhe Himarës, ndërsa shkolla e parë shqipe në Progonat është çelur 100 vjet më parë në mjediset e xhamisë së këtij fshati. Gjithmonë sipas historisë së paraqitur gjatë kësaj ceremonie, patriotët dhe mësuesit e parë progonatas që kontribuuan në hapjen e kësaj shkolle ishin Shaqo Buxo, Arif Toto, Hajredin Qëndro, Cane Xhufi dhe Sheh Abazi. Abetaret e para u shtypën në Janinë dhe atdhetarë si Ismail Lesko Progonati i sponsorizuan dhe i dërguan disa ditë para çeljes së shkollës në Progonat. Shkolla e parë nuk mund të hapej nëse nuk do të ishte themeluar paralelisht me të Klubi patriotik "Arbëria", që shumë shpejt u kthye në një "engjëll" mbrojtës për shkollën e parë ku mësuan fëmijë të ardhur edhe nga Lekdushi, Gusmari, Rexhini dhe Nivica.

Vëmendjen e të pranishmëve e tërhoqën deklarimet e bëra nga politikani dhe historiani Pëllumb Xhufi me prejardhje nga kjo trevë. Sipas Xhufit, Progonati është fshati i Progonit dhe emri Progon është autentik mesjetar shqiptar që shfaqet që në shekullin XI. Progon quhet në vitin 1190 princi i shtetit të Arbërit, i të parit formacion shtetëror mesjetar shqiptar që shtrihej në krahinat midis Mati dhe Shkumbinit dhe që kishte si kryeqendër Krujën.

Në kuadër të këtij përvjetori u përurua edhe një memorial kushtuar patriotëve që çelën klubin "Arbëria" dhe shkollën e parë shqipe në Progonat.

Fise me prejardhje nga Progonati gjen sot jo vetëm në Himarë e Vuno, si Milot, Bollanot, Kasnecët dhe Dhimajt, por edhe në Frashtan e Lazarat, të cilat janë zhvendosur në kohë të ndryshme prej tij, theksoi Pëllumb Xhufi. Sipas kronikave të historianit osman Evlija Çelebiu, në vitin 1630, Progonati kishte rreth 160 shtëpi dhe ishte qendra e një krahine të tërë që përfshinte 80 fshatra të krahinës së Kurveleshit, Himarës, Kardhiqit, Rrëzomës dhe Borshit. "Me gjithë reaksionin e madh xhonturk dhe synimet aneksioniste të fqinjëve të Shqipërisë, shkolla shqipe e Progonatit nuk e ka ndërprerë për asnjë çast veprimtarinë e saj mësimore për 100 vjet me radhë, duke u kthyer në një vatër të dijes dhe diturisë së banorëve të kësaj zone", nënvizoi në përshëndetjen e tij ish-mësuesi i saj Daut Gumeni.

  1. "Ndarja territoriale Fletorja zyrtare.pdf" (PDF). Arkivuar nga origjinali (PDF) më 24 shtator 2015. Marrë më 16 shkurt 2018.
  2. Eqrem Çabej, Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes, Tiranë: Çabej, f. 25. ISBN 99927-33-72-1