Statutet e Shkodrës
Statutet e Shkodrës (it. Statuti di Scutari) janë një kod normativ vetëqeverisës i komunës së Shkodrës gjatë sundimit venedikas. Statute të tilla kanë pasur edhe qytete të tjera, por vetëm të Shkodrës janë ruajtur në mënyrë të plotë. Përbëhen nga 279 kapituj shkruar në dialektin venet të shekullit të 15. Mbaheshin në dy kopje, njëra kopje në zyrën e thesarit dhe tjetra në zyrën e gjykatës së qytetit.[1]
Dokumenti origjinal është shkruar në pergamenë dhe përmban 40 faqe, teksti është kopjuar me dorë nga njëfarë Marino Dulcic në fillim të shek. 16. Ekzistenca e këtij dorëshkrimi përmendej qysh në një bibliografi italiane të vitit 1907,[2] por iu zbulua publikut vetëm më 1997 kur u gjet në fondet e Muzeut Correr në Venecia nga studjuesja Lucia Nadin.[3]
Historia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Sipas Oliver Schmitt, mbledhja e neneve në formën e tanishme nis në fillimet e shek. XIV. Xhufi shkruan se shtrirja kohore e ushtrimit të tyre si normë rregullatore e jetës qytetare ka qenë periudha 1330-1479, deri në dorëzimin e qytetit Perandorisë Osmane.
Sipas studjuesve Nadin, Schmitt, Pellegrini e Ortalli, statutet ishin hartuar dhe zbatuar para ardhjes se Car Dushanit në Shkodër dhe u mbajtën edhe me rënien e kontrollit nga serbët tek venedikasit. Popullsia e qytetit ka qenë kryesisht dalmate, por pas një murtaje të madhe më 1348, arbërit dhe sllavët nisën të vendoseshin në qytet.
Përmbajtja
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Dihet që Antivari më 1369, Dulcigno në 1379, Durazzo më 1392 e deri tek Drivasto në 1397 posedonin tekste juridike të shkruar në këtë mënyrë. Por të gjithë këto statute nuk janë ruajtur. Janë bërë përpjekje për identifikimin e tyre, por kjo ka qenë e vështirë deri kur u zbuluan statutet e Shkodrës.[4]
Rregullonin jetën e këtij qyteti, duke dhënë me të 279 nyjet e veçanta përcaktime që kanë të bëjnë me administratën, ndërtimet, mirëmbajtjen e qytetit, zanatet, punët e bujqësisë e blegtorisë, importet e eksportet, gjyqet, të drejtën familjare, qëndrimin e të huajve etj. Për çdo kundravajtje ndaj dispozitave janë përcaktuar gjoba, të cilat përgjithësisht ndahen më dysh midis kontit (mëkëmbësit të mbretit serb) dhe komunës, ose kontit dhe të dëmtuarit ose paditësit.[2]
Schmitt i klasifikon ata duhe nisur me kapitujt e parë nga 1-7, ku jepen marrëdhëniet mes individëve dhe mbretit serb, kapitujt nga 8-50 flasin për marrëdhëniet mes fqinjëve, ndarjen e tokës, etj. Kapitujt vijues flasin për kriteret e vërteta të qytetarisë me dispozita relative të asamblesë popullore, në këshill, në gjykata, në impenjime të ndryshme, shërbimin e detyruar ushtarak, për detyrimet mbi pronën, ndërshkimet pas një fyerjeje, grindeje, krimi, etj.[4]
Gjuha
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Statutet u zbatuan nga para 1346 deri më 1479 në një gjuhë latine të zonës; që ishte e zakontë për bregdetin e Adriatikut. Në tituj është përdorur gjuha veneciane-venete, brenda në tekst dialekti dalmat i atij regjoni që i përket gjuhës dalmate jugore. Tregues ky i karakterit roman të botës qytetare-bregdetare të Arbërisë Veneciane dhe Dalmacisë në gjysmën e parë të shek. XIV. Sipas Pellegrinit, gjuha e përdorur është ajo labeate, pasi i ka analizuar fonetikën, morfologjinë dhe leksikun e tij.
E vetmja gjurmë e arbërishtes, sipas Ardian Klosit dhe Vehbiut është folja besare që ka të bëjë me institucionin e besës.[2][5] Kurse gjakmarrjen statutet e sanksionojnë me fjalën urazhba, me prejardhje serbe ku Xhufi e interpreton me pohimin e Shuflajt se "gjakmarrja është një institucion që shqiptarët e huazuan nga sllavët kur ranë në kontakt me ta, pas shek. VIII."[3] Fenomen që statutet e përshkruajnë me fjalën pazia, marrëzi.[2]
Nadin vëren se në tekstin e Statuteve “latino” është sinonim me “cittadino”, dhe “cittadini” dallonin nga “slavi”, “albanesi”, “forestieri” etj.[6] Dallimbërje përmes së cilës është kuptuar edhe dallimi mes identitetit lokal qytetar dhe atij të huaj: sllav dhe arbër.[7]
Botimet
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Për të parën herë u botua në Itali për herë të parë më 2002, me tekstin origjinal në venetishten e kohës dhe me përkthimin shqip nga Pëllumb Xhufi.[3] Në përkthimin e tij, Xhufi ka ndryshuar totalisht fjalët që gjenden në original, ku banorët e Shkodrës dallohën nga “sllavët dhe shqiptarët”, pasazh i përkthyer nga Xhufi si “bujq dhe malësorë”. Me të drejtë, publicisti Ardian Vehbiu e sillte këtë si shembull të dëmit që i sjell “zotimi kombtarist” historianit.[8]
Në botimin e dytë, viti 2010, është ruajtur përkthimi i tekstit të statuteve të bërë nga Pëllumb Xhufi në botimin e parë. Studimet e brendësuara në ribotim u përkthyen nga Vjollca Lisi.
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ Anamali, Skënder and Prifti, Kristaq. Historia e popullit shqiptar në katër vëllime. Botimet Toena, 2002, ISBN 99927-1-622-3 p.231-232
- ^ a b c d Klosi, Ardian (30 tetor 2002). "Statutet e Shkodrës - kujtesa historike e rigjetur". Shekulli. 297: 1, 17.
- ^ a b c Xhufi, Pëllumb (4 shkurt 2010). Intervistuar nga Fatmira Nikolli. "Ju rrëfej statutet e Shkodrës". Gazeta shqiptare. 4828: 26–27.
- ^ a b Hoxhalli, Migena (18 nëntor 2002). "Statutet e Shkodrës", dëshmia e qytetërimit: [Prezantohen "Statutet e Shkodrës", botohen pas 7 shekujsh]". Reportazh (Suplement i "Gazeta shqiptare"). 83: 8–9.
- ^ Vehbiu, Ardian (27 shtator 2009). "Etiketat shtegtare". peizazhe.com.
- ^ Plasari, Aurel (27 tetor 2002). "Vlera përcaktuese / qortuese e një "dokumenti të bukur"". 55. 257: 14–17.
- ^ Dani, Doan (2016). Shpikja e Mesjetës. Tiranë: Pika pa sipërfaqe. fq. 39–40. ISBN 9789928185303.
- ^ Sinani, Besnik (26 gusht 2011). "Mbi histerinë anti-turke". gentibasha.wordpress.com.