Statutet e Drishtit

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Statutet e Drishtit

Statutet e Drishtit (lat. Statuta et ordinationes capituli ecclesiae Cathedralis Drivastensis, "Statutet dhe urdhëresat e kapitullit të kishave të Katedrales së Drishtit) janë një kod normativ i Kapitullit të Katedrales së Drishtit. Kishte të bënte me organizimin dhe administrimin e këtij kapitulli, që përbëhej vetëm nga klerikë kanonikë përkatës.[1] Një formë kjo e të drejtës kishtare e përhapur në të gjithë botën katolike.[2]

Statutet u zbuluan dhe u botuan nga albanologu kroat Milan Šufflay më 1927 së bashku me paleografin polak Victor Novak.[3]

Historia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Ekzistenca e statuteteve bëhet e njohur që në vitin 1392. Dorëshkrimi është shkruar nga kanoniku dhe noteri i Tivarit, Simon Dromasys më 12 janar 1468, i cili ka bërë përshkrimin e variantit të zyrtarizuar të vitit 1464, nga libri i noterit dhe kanonikut të Durrësit, Gjon Mauros, që njëkohësisht ka qenë edhe sekretar i arqipeshkvit të Durrësit, Pal Engjëllit.[4]

Dorëshkrimi[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Dorëshkrimi i statuteve për herë të parë përmendet në katalogun 438 të antikuarit gjerman, Karl Wilhelm Hiersemann nga Lajpcigu, në qershorin e vitit 1915, fasc. 43, nën numrin 250, i përshkruar në mënyrë shumë sipërfaqësore, por me titull të plotë: “Statuta et ordinationes capituli eçlesiae Cathedralis Drivastensis”. Meqenëse dorëshkrimi nuk u shit, Hiersemann i përsëriti shënimet e vitit 1915 në katalogun 477 përvitin 1920, fasc. 7, nën numrin 33, duke mos shtuar asgjë më shumë. Në botën shkencore, i pari që tërhoqi vëmendjen për ekzistencën, vlerën dhe rëndësinë e këtij dorëshkrimi është Shuflaj. Në pamundësi për ta blerë vetë, Shuflaj i drejtohet banit kroat, Rauhit, që ta blente atë për Bibliotekën Universitare të Zagrebit. Kjo gjë nuk u realizua. Shuflaj provoi përsëri përmes Thalloczy-t që Akademia Vieneze ose ajo e Budapestit ta blinin këtë dorëshkrim, por pa sukses. Ndërkohë që Shuflaj po këmbëngulte që dorëshkrimi të blihej me çdo kusht, në vitin 1920, ai njoftohet, se një blerës anonim e kishte blerë dorëshkrimin për 2.000 marka, sipas çmimit të antikuarit gjerman.

Përmbajtja[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Kisha Katedrale e ipeshkvisë së Drishtit kishte statutet e veta, të përbëra prej 53 kapitujsh, nëpërmjet të cilave rregullohej jeta dhe veprimtaria e klerit.[4]

Botime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Pas botimit të 1927, u përkthye në gjuhën shqipe më 1972, botuar në Prishtinë në të përkohshmen Gjurmime Albanologjike: Seria e Shkencave Historike 1-1971 dhe më pas më 2009 në Tiranë nga Musa Ahmeti dhe Etleva Lala.[5]

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ Malaj, Edmond (2015). Historia dhe fizionomia e një qyteti mesjetar shqiptar: Drishti. Tiranë: Qendra e Studimeve Albanologjike: Instituti i Historisë. fq. 130–131. ISBN 9789928141439.
  2. ^ Malaj 2015, p. 353.
  3. ^ Ahmeti, Musa; Lala, Etleva (26 prill 2009). "Statutet e Drishtit. Botohet i plotë dorëshkrimi i rrallë i 1468: gabimet e Shuflajt mbi Statutet". Gazeta shqiptare ("Milosao", suplement). 4552: II–V. Arkivuar nga origjinali më 10 mars 2016. Marrë më 2 dhjetor 2010.
  4. ^ a b Malaj 2015, p. 352-353.
  5. ^ Malaj 2015, p. 423.