Drishti

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Jump to navigation Jump to search
Drishti
Fshat
Shteti: Shqipëria
Qarku: Qarku i Shkodrës
Rrethi: Rrethi i Shkodrës
Komuna: Komuna Postribë
Targat e automjeteve: SH
Përdorimi i stampës

Drishti është një fshatkomunën Postribërrethin e ShkodrësShqipërisë.

Etimologjia[redakto | përpunoni burim]

Ka tre mendime të ndryshme lidhur me etimologjinë, së pari versioni i Çabejt, i cili e sjell ndryshimin e Drivastum duke kaluar nëpër disa shkallë, Drivësht - Driësht - Drisht. Së dyti është mendimi i David Lukës dhe Kamsit, të cilët e shohin rrënjën e toponimit si derivat i rrënjës indoevropiane *der që ka kuptimin e çarë, grykë, luginë apo drineste që ka kuptimin vend me drî, pra vend me të çara. Studjuesi Pjetër Topalli i jep etimologji ilire, duke e ndarë në dy pjesë Tyr+asti që domethënë "qyteti i hyjit TYR".[1]

Gjeografia[redakto | përpunoni burim]

Drishti ndodhet 12-13 km në verilindje të Shkodrës, duke kaluar Urën e Mesit në luginën e lumit Kir.[2]

Historia[redakto | përpunoni burim]

Vendbanimi i tanishëm është më i rishtë, por emërtimi është i hershëm, vendbanimi i moçëm gjendej në kalanë e Drishtit, ku janë gjetur qeramika, fragmente amforash, që janë gjetje të zakonshme të vendbanimeve ilire të shek. II dhe I para K.

Në kohën e Perandorisë Romake i njohur me emrin latin Drivastum, bashkë me Shkodrën dhe Dioklenë ishte ndër tre qytetet kryesore të provincës romake Prevalitana. Më 458 përmendet ipeshkvi i quajtur Pal, për të cilin Shuflaj nuk është i sigurt nëse bëhet fjalë për një ipeshkëv të Drishtit, apo jo.[3]

Me dyndjet sllave dhe trysninë e tyre në realitetin administrativ bizantin, e shndërroi Drishtin në një komunë qytetare të pavarur. Gjatë gjysmës së dytë të shek. XI qyteti ra në pushtetin e Konstantin Bodinit të Dioklesë. Më 1185 ra në duart e Nemanjiqëve, duke përfituar nga dobësia e bizantinëve, dhe në serbishten e vjetër quhej Drivost. Në sundimin serb, sipas Jireçekut, qyteti mbeti si një bashkësi e privilegjuar me nëpunës të zgjedhur dhe ligje lokale. Më 1242 qyteti u plaçkit nga tartarët; më 1251 mbretin serb e përfaqësonte një kapiten (comes). Qyteti gëzoi një gjallërim në vitet 1282 - 1324 si meritë e përkrahjes së mbretëreshës serbe Helena, franceze me prejardhje. Më 1348, ende gjatë periudhës së sundimit serb, ra sëmundja e murtajës.

Pas vdekjes së Stefan Dushanit në vitin 1355, zot i Drishtit bëhet një vasal i tij i quajtur Andrea Spani. Më 1362 qyteti hyri në zotërimet e familjes sundimtare të Zetës, Balshajve, të cilëve Spani u qëndroi vasal gjersa vdiq më 1366.[4] Ndonëse Balshajt kishin pranuar autonominë e qytetit, Gjergj Balsha II ushtroi pushtetin e tij në dëm të bashkësisë së qytetit në dobi të Shkodrës, duke i kaluar komunës shkodrane disa nga fshatrat e bashkësisë drivastine.[5] Pas dobësimit të pozitave të Balshajve me humbjen e betejës së Savrës, u dorëzua ashtu si Shkodra, për dy vite në duart e osmanëve.[6] Prillin e 1396 pasi Gjergj Balsha II i kishte rimarrë zotërimet e veta, iu dorëzua Venedikut sipas kushteve të marrëveshjes që kishin.[7] E Shumëkthjellta respektoi statutet e vjetra (observantur antiqua statuta eorum) dhe rregulloi kufijtë me Shkodrën,[5] gjë që shkaktoi dhe një lloj kryengritjeje ndaj venedikasve. Komandanti i rrethit (comitus[8]) të Drishtit ishte një pushtetar (podestà, potestas) venedikas.[6]

Bajraku i Drishtit[redakto | përpunoni burim]

Bajraku i Drishtit qe njëri prej bajrakëve të Postrribës, e cila në Salnamenë e Vilajetit të Shkodrës më 1892 figuronte një nga dhjetë malet e Malësisë së Shkodrës. Bajraku i Drishtit e pati fushën e bardhë të shkruar me një tegel të kuq, me gjysmëhënë të kuqe, një yll me gjashtë cepa e përsipër tyre një jatagan i tipit turk dhe një dorë.[9]

Demografia[redakto | përpunoni burim]

Sipas Ippenit, banorët romakë të qytetit i përkitnin gjinisë romake Quirina, porsi banorët romakë të Shkodrës,[4] tipikë për viset lindore të perandorisë.[10]

Më 1332 Guillaume Adae e përshkruan si një nga qytetet e Arqipeshkvisë së Tivarit që banohej vetëm nga latinët (inhabitant soli latini) dhe nga një popull jashtë mureve. Disa dhjetëvjeçarë më vonë, më 1404 venedikasit dallonin aty krahas latinëve edhe arbërit. Ndër familjet banuese të shek. XIV-XV përmenden ato që sipas Shuflajt dhe Novakut janë emra romanë, Palombo ose Colomba, Lepore, Barbabiancha, Summa, Bello; krahas tyre ka edhe mbiemra arbër si Bariloth, Precalo, Scapuder, Zogi (Çodhi apo Zogy); mbiemra serbë a sllovenë si Beroj (Berivoj, Beriuoy), Svinja (de Svinis, Suignis, Grinçarius) ose grekë, si Calageorgii dhe Spano.[11]

Familje të tjera të përmendura janë fisnikët Angelus, Bel (Belli, Belle), Humoi, Mazrekët, Shpanët, Ungrejt (Ungaro ose Hungarus)[12] dhe ndër fisnikët e vegjël Dushmanët.[13]

Shih edhe[redakto | përpunoni burim]


Referimet[redakto | përpunoni burim]

  1. ^ Malaj 2015, pp. 34-35.
  2. ^ Armao 2006, pp. 73.
  3. ^ Malaj 2015, pp. 37-38.
  4. ^ a b Malaj 2015, pp. 39-46.
  5. ^ a b Malaj 2015, pp. 50-53.
  6. ^ a b Thallóczy, Lajos (2004) [1916]. Vëzhgime iliro-shqiptare. Përkthyer nga Mustafa Kruja. Shkodër: Camaj-Pipa. f. 120–121.  99927-56-34-9.  Një parametër i panjohur |trans_title= është injoruar (ndihmë)
  7. ^ Gelchich, Giuseppe (2009) [1899]. Zeta dhe Dinastia e Balshajve. Përkthyer nga Laura Leka. Tiranë: 55. f. 205–206.  9789994356539. 
  8. ^ Armao 2006, pp. 197.
  9. ^ Ulqini, Kahreman (1991). Bajraku në organizimin e vjetër shoqëror. Tiranë: Akademia e shkencave e RPS të Shqipërisë. f. 65, 95.  39215998. 
  10. ^ Oxford Classical Dictionary, "Tribus."
  11. ^ Malaj 2015, pp. 153-157.
  12. ^ Malaj 2015, pp. 157-187.
  13. ^ Malaj 2015, pp. 193.

Literaturë[redakto | përpunoni burim]

  • Armao, Ermanno (2006) [1933]. Kamsi, Willy, red. Vende, kisha, lumenj, male e toponime të ndryshme të një harte të lashtë të Shqipërisë Veriore. Përkthyer nga Akil Spathari. Tiranë: Korbi.  99943-620-8-9.  Një parametër i panjohur |trans_title= është injoruar (ndihmë)
  • Malaj, Edmond (2015). Historia dhe fizionomia e një qyteti mesjetar shqiptar: Drishti. Tiranë: Qendra e Studimeve Albanologjike: Instituti i Historisë.  9789928141439. 
  • Oxford Classical Dictionary, N. G. L. Hammond and H. H. Scullard, eds., Clarendon Press, Oxford (Second Edition, 1970).