Vili Kamsi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Willy Kamsi (Bari, 17 dhjetor 1926[1] - Shkodër, 24 janar 2017) ka qenë arsimtar, bibliograf, publicist, albanolog dhe diplomat shqiptar.

Jeta[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

U lind në Bari, djali i vetëm i Gjonit të Palokë Kamsit dhe Rozës së Pjetër Daragjatit.[2] Të vendosur në qendrën puljeze nga pjesëmarrja e të atit në Lëvizjen e Qershorit. U pagëzua në Bazilikën e Shën Pjetrit në Romë, ku jetonin gjyshërit e tij amësor. Ndoqi shkollimin fillor dhe atë të mesëm në qytetin e lindjes, pranë Institutit "Di Cagno Abbrescia" të drejtuar nga etërit jezuitë.[3] Shtëpia e tij në Bari ishte një votër e ngrohtë për patriotë dhe politikanë shqiptarë, aty u përshkuan: Luigj Gurakuqi, Atë Gjergj Fishta, mons. Bumçi, dom Lazër Shantoja, Mustafa Kruja, Bahri Omari, Sotir Gjika, Xhevat Kortsha e shumë të tjerë.[4]

Willy u rrit në mërgim, prej nga erdhi në Shqipëri në kulmin e Luftës së Dytë Botnore, në qershor të vitit 1943. Prej 1943 gjer më 1946 nuk ndoqi shkollim në Shqipëri dhe vetëm më 1946 u regjistrua, për të marrë diplomën e pjekurisë më 1946. Më 1944 u angazhua në bibliotekën e Institutit të Studimeve Shqiptare, drejtor i të cilës qe Filip Fishta që e ndihmoi të përvijonte një formim albanologjik megjithëse fort i ri.[3] Edhe pse i ati, Gjoni, nuk ishte marrë gjatë luftës me politikë, familja e tij në qershor të vitit 1953 dëbohet prej Tiranës dhe detyrohen të shkojnë në Shkodër.[4]

Punoi si bibliotekist në Institutit të Lartë Pedagogjik në Shkodër më 1954. Vitin tjetër punësohet në zyrën teknike të Komitetit të Shkodrës, punë në të cilën qe për afro 9 vjet, deri më 1963, kur u emërua përgjegjës i bibliotekës së Institutit të Lartë Pedagogjik. Prej 1963 e deri më 1990 drejtoi këtë bibliotekë duke e pajisur me rreth 120 mijë vëllime, libra dhe të përkohshme. Ndër punët e vyera formoi prej së pari sektorin e albanologjisë me botime të blera kryesisht prej familjeve shkodrane. Sektor i cili mbahet si njëri prej më të mirëve në Shqipëri, pas Bibliotekës Kombëtare në Tiranë. Ndërkohë ndoqi studimet e larta duke u diplomuar më 1975 për Histori dhe Gjeografi.[3]

Një prej miqve të tij më të mëdhenj, Atë Viktor Volaj; ish-sekretar personal i Atë Anton Harapit dhe komentues i Fishtës - çmonte tek Kamsi mendjen e tij logjike dhe kujtesën mirandoliane që i jepnin vlerë kërkimeve të tija të censhme në lëmin e historisë mesjetare.[4] U muar part time me rindërtimin e bibliotekës "Át Zef Valentini S.J." të Institutit të Lartë Filozofik dhe Teologjik në Shkodër. Mori pjesë ndër konferenca, simpoziume, takime shkencore që u zhvilluan në Shqipëri dhe veçanërisht në Shkodër.[3]

Ndërroi jetë më 24 janar 2017 në shtëpinë e tij në Shkodër, duke pasë pranë të motrën Milën.

Kontributet kulturore[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Krahas punës ndër biblioteka Willy Kamsi është marrë edhe me studime historike dhe bibliografike. Ka botuar një seri artikujsh, ka përkthyer vepra dhe ka disa punime të gatshme për botim.

Mbas rënjes së komunizmit, në vitin 1993 me dekret nga Presidenti i vendit Sali Berisha ai u emërua prej qeverisë demokratike ambasador i parë i Republikës shqiptare pranë Selisë së Shenjtë. Letrat kredenciale ia paraqiti Papës Gjon Pali II më 25 prill 1993, tri ditë para ardhjes së tij në Shqipëri. E kreu atë detyrë deri në dhjetor të vitit 1996, vit në të cilin kaloi në pension.

Willy Kamsi jeton në Shkodër i përkushtuar i tëri mbas botimit të disa veprave të randësishme siç është treguesi i plotë i revistave «Hylli i Dritës», «Leka», «Albania» e Konicës, «Shêjzat» si edhe i disa materialeve me rëndësi historike, siç janë «Ditari» historik i Shuk Gurakuqit, «Kujtimet» e Gjon Kamsit, një përmbledhje të studimeve të veta me karakter historik. Merret dhe me histori, monumente e arkeologji, me gjuhë shqipe, sidomos me etimologji të toponomastikës historike e fusha të tjera shkencore[1]. Kohët e fundit ka dorëzuar në shtyp përkthimin e veprës së Atë Jak Marlekajt, profesor për shumë dekada në Universitetin e Barit, «Pjetër Bogdani dhe Shqipnia e kohës së tij» të pajisun me treguesin e plotë të emnave[4].

Nderime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

I janë dhënë tri dekorata: Medalja «Naim Frashëri» për merita pune në punën bibliotekare (1987), Kalorës i Kryqit të Madh të Urdhërit të Shën Gregorit të Madh (1995) dhënë nga Papa Gjon Pali II, mbas dy vjetëve shërbimi diplomatik; dhe Kalorës i Urdhërit të Yllit të Solidaritetit Italian, prej Presidentit të Republikës së Italisë Carlo Azeglio Ciampi më 2005.[3]

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ a b Dushi, Anila (5 prill 2010). "Familja Kamsi, intelektualët e djeshëm e të sotëm të Shkodrës". Gazeta Shekulli. V (2926): 16–17.
  2. ^ Logoreci, Pjetër (14 shtator 2014). "Ju lutem... mos e vritni Gurakuqin për herë të katërt". voal.ch. Shqiptarja.com.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  3. ^ a b c d e "Curriculum Vitae - Willy Gjon Kamsi". voal.ch. 7 nëntor 2004.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  4. ^ a b c d Ndreca A., Mirënjohja ndaj intelektualit Willy Kamsi, Publikue ne albanovaonline.com me 11.11.2007